LAJMI I FUNDIT:

Albanian Chrome, ACR, përuron Furrën e Re në Elbasan

Albanian Chrome, ACR, përuron Furrën e Re në Elbasan

50 punëtorë i shtohen Uzinës, ndërsa Elbasani bëhet furnitori i pestë në botë për Ferrokrom me karbon të ulët.

"Rohtraut Skatsche Depisch, në emër të pronarëve, deklaroi se me këtë investim të fundit, Shqipëria ka hyrë në tregun ndërkombëtar në mënyrën më dinjitoze me një prej produkteve më të kërkuar dhe më të vlerësuar në tregun e metaleve. Sipas gazetës më të madhe ekonomike austriake, "Wirtschaftsblatt", furra e re e shkrirjes që është ndërtuar në Elbasan, është më e madhja në botë në llojin e vet.

Skatsche Depisch deklaroi se ky investim e bën Elbasanin një prej pesë furnitorëve më të rëndësishëm të tregut botëror me ferrokrom me karbon të ulët.

"Kjo është një furrë shumë e madhe dhe shumë moderne. Ne do të furnizojmë ferrokrom me karbon të ulët dhe aliazhe të tij në të gjithë botën, në Amerikën e Veriut dhe Europë. Jemi shumë krenarë të themi se Elbasani do të jetë një furnitor ndërkombëtar i ferrokromit me karbon të ulët. Kemi aplikuar ndërkohë disa aliazhe të kromit mbi çeliqe dhe rezultatet janë shumë të kënaqshme. DCM është pronarja e të dyja ndërmarrjeve në Bulqizë dhe në Elbasan.


Është shumë e rëndësishme për ne si pronarë që të kujdesemi për sigurinë, si në minierë ashtu edhe në uzinë.

Ne sot festojmë suksesin e përbashkët të ekipit tonë ndërkombëtar këtu në Shqipëri. Ne i urojmë Elbasanit një fat të mbarë dhe shumë suksese në të ardhmen", tha në fjalën e saj znj. Skatsche Depisch, përfaqësuese e pronarëve të Albanian Chrome, ACR.

Uzina e ferrokromit në Elbasan rifilloi në ditët e para të gushtit prodhimin e ferrokromit me karbon të lartë, ndërsa DCM DECOmetal investoi në total mbi 11,5 milionë euro në këtë uzinë për të futur në prodhim gjithashtu edhe një furrë e re për prodhimin e ferrokromit me karbon të ulët.

Montimin e furrës së re për prodhimin e ferrokromit me karbon të ulët e zbatoi një ekip specialistësh rusë përkrah ekipit të inxhinierëve shqiptarë.

Uzina e Elbasanit po prodhon aktualisht rreth 3 mijë tonë ferrokrom në muaj, gjysma e të cilit me karbon të ulët.

Drejtori teknik i uzinës, Vasil Tolstoguzov, vlerësoi se uzina ka njohur një zhvillim të rëndësishëm nga laboratorët e prodhimit deri te furrat dhe teknologjia më e re.

Alfred Vangjeli, drejtor i prodhimit në Elbasan, deklaroi në fjalën e tij se përpjekjet për realizimin e cilësisë së produktit kanë qenë të mëdha dhe angazhimi i punonjësve ka qenë vendimtar.

Albanian Chrome, ACR, ka mbështetur gjithmonë objektivin që t‘i kthejë Shqipërisë shkëlqimin e dikurshëm në tregun e kromit dhe ferrokromit.

"Ne duam që Shqipëria të mos eksportojë vetëm lëndë të parë, por produkt final, të renditet ndër vendet e zhvilluara që ofrojnë jo thjesht pasuri natyrore, por një industri realisht të përparuar dhe me standarde europiane të besueshme", tha Heinz Mueller, president i shoqërisë që mban kontratën koncencionare.

Në takim merrnin pjesë edhe përfaqësues të sindikatës së uzinës. Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve në Elbasan, Ismet Dauti, deklaroi se ishte i kënaqur për përgjigjen që kishte gjetur te kompania e huaj në lidhje me kërkesat e punonjësve.

"Unë e deklaroj pa dyshim se DCM DECOmetal është kompania më e mirë e huaj që ka ardhur ndonjëherë në Shqipëri", thotë Dauti. Ai nënvizon nivelin e kënaqshëm të pagave që e vendosin Elbasanin në krye të industrisë së rëndë në Shqipëri. Gjithashtu, sipas tij, edhe masat e sigurisë dhe kujdesi ndaj punonjësve është përmirësuar. "Rifillimi i punës ishte festë për punëtorët tanë", thotë Dauti, duke shtuar se 50 punëtorë të rinj janë shtuar në uzinë me fillimin nga puna të furrës së re.

Albanian Chrome, ACR, po vlerëson ndërkohë edhe të ardhmen e uzinës së ferrokromit në Burrel, ndërsa 140 punonjësit e kësaj uzine kanë shumë muaj që paguhen me 50% të pagës, pavarësisht mbylljes së uzinës.

Sipas gazetës austriake "Wirtschaftsblatt", pronarët austriakë të Albanian Chrome, ACR, e kanë përdorur kohën e krizës botërore për të investuar në sektorin e minierave.

"Kompania nga Fürstenfeld përveç kontrollit 100% të qendrës më të madhe prodhuese të kromit në Shqipëri, ka rritur edhe pronësinë në një minierë zirkoni në Australi. DCM mban gjithashtu 63% të aksioneve në një minierë të manganit në Afrikën e Jugut", shkruan gazeta më e madhe ekonomike e Austrisë, "Wirtschaftsblatt".

Drejtori i përgjithshëm i Albanian Chrome, Elton Beqi, tha në takim se investimi i nisur në Bulqizë për thellimin e pusit 7 do të fuqizojë ndjeshëm aftësinë prodhuese të kompanisë, edhe në uzinat e ferrokromit. "Ato 20 milionë euro që do të investohen në 4 vitet e ardhshme do të fillojnë të ndjehen që vitin tjetër në rendimentin e prodhimit, në të ardhurat e punonjësve dhe në tërësi në fuqizimin e një sektori që mbetet më i rëndësishmi në ekonominë tonë kombëtare", tha Beqi.

Prej dy vitesh, Albanian Chrome, ACR, zbaton në Shqipëri një kontratë koncensionare, e cila përshin rezervën më të pasur në vend të kromit në Bulqizë, dy uzina ferrokromi në Elbasan dhe Burrel, një fabrikë pasurimi në Klos dhe disa njësi të tjera industriale.