LAJMI I FUNDIT:

30 kompani vullnetarisht pajisen me arka fiskale

30 kompani vullnetarisht pajisen me arka fiskale

Projekti për pajisjen e bizneseve me arka fiskale ende është në fazën nismëtare Zyrtarët e Administratës Tatimore të Kosovës thonë se faza e parë e projektit ka filluar të zbatohet me lëshimin e numrave fiskalë, kurse deri në fund të vitit pritet që me arka të pajisen rreth 30 kompani të deklaruara vullnetarisht.

Drejtori i ATK-së, Behxhet Haliti, konfirmon se procesi i fiskalizimit do të fillojë gjatë vitit të ardhshëm dhe do të zhvillohet gradualisht.
Ndonëse ishte paraparë të fillojë sivjet, procesi i pajisjes së bizneseve me arka fiskale ka gjasë të fillojë vetëm vitin e ardhshëm. Kështu të paktën konfirmon drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Behxhet Haliti. Sipas tij, procesi i fiskalizimit është një proces i gjatë dhe një sfidë para Administratës Tatimore të Kosovës.

“Hapi i parë ka filluar me lëshimin e numrave fiskalë nga gushti i këtij viti, që janë parakusht për arka fiskale. Për arkat fiskale, dhe pajisjet elektronike është bërë kuadri ligjor dhe janë ndërmarrë të gjitha veprimet që ai të startojë”, sqaron drejtori Haliti.

Haliti tha se zyrtarët e Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave së shpejti pritet të përzgjedhin operatorët për pajisjen me numra fiskalë, dhe sipas tij mund të jenë më shumë se një operator, ku bizneset do të mund të marrin pajisjet elektronike fiskale. Ai paralajmëroi se gjatë pjesës së mbetur të këtij viti do të instalohen arkat fiskale në 30 biznese të deklaruara vullnetarisht, kurse numrin më të madh të instalimit të pajisjeve elektronike fiskale, ne do ta kemi gjatë vitit 2010, 2011, 2012 e tutje.


“Me aktivitetet që kemi, aktivitetin e numrave fiskalë, aktivitetin e arkave fiskale, dhe aktivitete tjera, ne synojmë ta zvogëlojmë ekonominë joformale, evazionin fiskal dhe ta realizojmë misionin tonë për t’u bërë mbledhësi kryesor për buxhetin e KS-së”, thekson Haliti.

Aktualisht është duke u zhvilluar një pilot-projekt me 10 biznese vullnetare, në të cilat janë instaluar arkat fiskale. Pas vendosjes së arkave fiskale, qarkullimi do të jetë më real seç që është prezantuar deri tash. Kjo formë mundëson zvogëlimin e ekonomisë joformale dhe zvogëlimin e evazionit tatimor, thotë Berat Rukiqi, sekretar i Odës Ekonomike të Kosovës.

Pas vendosjes së arkave fiskale, si mënyra më e mirë e deklarimit të qarkullimit në një biznes, ato do të jenë të lidhura me ATK-në nëpërmjet rrjetit GPRS, apo ndonjë rrjeti tjetër dhe ato do t’i transmetojnë të dhënat në ATK në lidhje me qarkullimin që realizon biznesi.

Ndonëse Kosova përballet me ndërprerje të shpeshta të energjisë elektrike, zyrtarët e ATK-së shpjegojnë se arkat fiskale, që do të përdoren në Kosovë, do të jenë të pajisura me bateri, me memorie fiskale, që nuk i humb shënimet as në rast të harxhimit të baterive.

Ndërkaq, për bizneset të cilat nuk do të transmetojnë të dhëna, do të zhvillohet një proces kontrolli nga komisioni i ATK-së, apo nga vetë inspektori tatimor i kontrollit.

Ndryshe, Agjencia Tatimore e Kosovës ka të punësuar rreth 330 inspektorë tatimorë në gjithë Kosovën./rtklive/