LAJMI I FUNDIT:

Tirana, të huajt vlerësojnë biznesin e ambienteve me qira

Tirana, të huajt vlerësojnë biznesin e ambienteve me qira

Tirana është një nga kryeqytetet më të mira në botë për dhënien e ambienteve me qira për zyra dhe zë vendin e katërt në këtë drejtim pas Rio de Zhanerios dhe dy qyteteve kanadeze

Një studim i agjencive ndërkombëtare të menaxhimit të pronave të paluajtshme ka dalë në konkluzionin se Tirana është një nga kryeqytetet më të mira në botë për dhënien e ambienteve me qira për zyra, për shkak se 98 për qind e hapësirave të disponueshme nëpër qendrat tregtare janë dhënë sakaq me qira dhe vetëm 2 për qind janë të disponueshme.

Tirana zë vendin e katërt në këtë drejtim pas Rio de Zhanerios dhe dy qyteteve kanadeze. Megjithatë, kompania që kreu studimin paralajmëron se vlerësimi i saj mund të mbajë një normë të lartë gabimi, për shkak se shumë ambiente të dhëna me qira për zyra nuk deklarohen fare si të tilla, ndërsa kontratat mbahen shumë të fshehta.

Për më tepër, paralajmërohet se shumë qendra biznesi janë në ndërtim e sipër në Tiranë, aktualisht dhe sipas ekspertëve, sipërfaqja e disponueshme për zyra do të rritet më shpejt se sa kërkesa për ambiente të tilla, gjë që do të krijojë presion për uljen e çmimeve.


"Para vitit 2000, nuk kishte fare ambiente të përshtatshme për zyra të klasit të parë në Tiranë, por pas kësaj, oferta është rritur dhe kërkesa është rritur gjithashtu", thonë ekspertët.

Duke shtuar edhe disa projekte të rëndësishme që po zbatohen aktualisht, oferta për ambiente zyrash pritet të rritet më shumë se sa kërkesa. Brenda dy viteve të ardhshme, parashikohet që në Tiranë të hyjnë në treg rreth 31 mijë metra katrorë ambiente të përshtatshme për zyra. Aktualisht qiraja e ambienteve për zyra nëpër qendrat tregtare varion nga 12 në 23 euro për metër katror.