LAJMI I FUNDIT:

APIK përfundon misionin shitës në Itali

APIK përfundon misionin shitës në Itali

Agjencia për Promovimin e Investimeve (APIK), që vepron në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë së Republikës së Kosovës, ka përfunduar në mënyrë të suksesshme misionin shitës në Itali.

Në këtë mision, i cili u mbajt në shtator të këtij viti, APIK-u në bashkëpunim me Zyrën e Komisionit Evropian ua ka bërë të mundur 13 kompanive prodhuese kosovare, veprimtaria e te cilave është prodhimi i produkteve ushqimore, bimëve mjekuese, kultivimi i luleve, industria e shiritave transportues, industria e përpunimit të drurit, metaleve dhe gurëve dekorativë, që të krijojnë marrëdhënie kontraktuese me afaristë nga Italia.

Këto kontakte kanë përfshirë një gamë të gjerë kooperimi, duke filluar nga përshkrimi i bizneseve, mundësia e furnizimit direkt të mallrave, aranzhimi dhe distribuimi, bashkëpunimi dhe partneriteti në investime, mundësia e futjes së teknologjive të reja, si në prodhim ashtu edhe në ambalazhim.

Gjatë këtij misioni drejtuesit e APIK-u jo vetëm që sollën në kontakte të drejtpërdrejta afaristët kosovarë me partnerët potencial italianë, por edhe kanë arritur që të bëjnë një prezantim të shtetit të Kosovës gjatë takimeve të shumta që kanë realizuar në institucionet qeveritare italiane.


Pas një evoluimi që i është bërë misionit shitës me biznesmenët vendës, kryeshefi i APIK-ut, Mustafë Hasani, ka vlerësuar se rezultatet e këtij misioni ishin mbresëlënëse, për faktin se afro 2 milionë euro eksport janë konfirmuar gjatë marrëveshjeve në mes palëve, ndërsa 3 milionë të tjerë janë në negociata. Gjithashtu janë identifikuar mundësi tjera për bashkëpunim dhe investime të drejtpërdrejta nga ana e palës italiane.

Kryeshefi Hasani ka shpjeguar se edhe benefitet e krijuara gjatë lidhjeve biznesore ndërkombëtare, duke theksuar se fakti kryesor i këtij misioni ishte vënia e kontakteve të kompanive kosovare me kompanitë italiane, ku pritet të thellohet bashkëpunimi reciprok dhe shkëmbimi tregtar në mes afarizmit kosovar dhe italian. /Telegrafi/