LAJMI I FUNDIT:

KEK lë pa rrymë veriun, Serbia iu del në ndihmë të serbëve

KEK lë pa rrymë veriun, Serbia iu del në ndihmë të serbëve

Për KEK furnizimi nga Serbia është i papranueshëm. Kjo pjesë përfshin 17 për qind të territorit apo pjesën veriore të Mitrovicës, Zveqanin, Leposaviqin dhe Zubin Potokun. Banorët serb të këtyre anëve që nga viti 1999 kanë refuzuar pagimin e fakturave të energjisë elektrike. Ndërsa borxhi që konsumatorët e këtyre anëve, e që janë në shumicë serbë, kanë kaluar tashmë vlerën e 100 milionë eurove.

Mediat serbe njoftuan se furnizimi prej 20 megavatesh është duke u bërë për shkak të mënjanimit të ndonjë katastrofe humanitare ndërsa nevojat për këtë pjesë janë 60 megavat për orë energji elektrike. E në KEK arsyet e ndërprerjes thonë se janë teknike.

“Ditëve të kaluara, nga koha kur ka nisur moti të ftohet (fundjava dhe dita e djeshme) operatorët e sistemit energjetik të nënstacionit të Vallaçit kanë refuzuar të menaxhojnë sistemin energjetik të asaj zone sipas kërkesave të bëra nga Qendra dispeçerike e KEK. Rrjedhimisht disa herë rradhazi ka ardhur deri tek mbingarkesa e sistemit të transmisionit në pjesën që furnizon këtë nënstacion, i njëjti dhunshëm është ndalur nga puna disa herë”, tha Viktor Buzhala, zyrtarë për informim në KEK.

Operatori i Sistemit të Transmisonit (KOSTT) ka kërkuar nga KEK-u të siguroj kushtet për funksionim të sigurt të transmisionit. KEK-u duke mos qenë në gjendje të ofrojë sigurinë e kërkuar nga ana e KOSTT-it, ka udhëzuar të fundit të mos bëjë ri-kyçjen e të njëjtit larg-përçues pa plotësimin e kritereve që kërkohen për një operim të sigurt dhe rregullt të sistemit të transmisionit.


Me gjithë këtë Korporata Energjetike e Kosovës paralajmëron se shumë shpejt do ta ndërpres furnizimin me rrymë në këtë pjesë për shkak të mospagesës së energjisë së shpenzuar nga serbet.