LAJMI I FUNDIT:

Agron Mustafa, prapë drejtor i ANP-së?

Agron Mustafa, prapë drejtor i ANP-së?

Mbyllet konkursi për drejtor të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës. Agron Mustafa kandidati i vetëm që i plotëson kriteret e konkursit. Kandidatët tjerë nuk dinë as anglisht.

Katër kandidatë kanë konkurruar sipas gazetes EPoka e Re për postin e drejtorit menaxhues të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës (ANP). Burime zyrtare të ANP-së, pasi kanë konfirmuar konkurrimin e kandidatëve, kanë bërë me dije se konkursi për drejtor tashmë është mbyllur.

I kontaktuar nga gazeta, kryetari i Bordit të Drejtorëve të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, Bekim Jashari, ka thënë se pas mbylljes së konkursit për drejtor do të takohet bordi për t’i përzgjedhur kandidatët për intervistë.

“Shumë shpejt do të mblidhet bordi i ANP-së, por do të konsultohemi me ekspertë të kësaj fushe dhe pastaj do të ftohen kandidatët në intervistë”, është shprehur Jashari, duke premtuar se do të përzgjidhet kandidati më i mirë i mundshëm, i cili, sipas tij, do ta zhvillojë edhe më shumë ANP-në.


“Shumë shpejt do ta kemi drejtorin e ri të aeroportit. Besoj se deri në fund të këtij muaji apo brenda muajit të ardhshëm do të zgjidhet”, ka thënë Jashari.

Kandidatët

Irfan Kerceku – ka përfunduar Fakultetin Juridik. Ka punuar ndihmësavokat. S’ka përvojë menaxhuese.

Abdullah Hoxha – kontabilist në Qendrën Financiare të Qendrës së Studentëve. Nuk e flet gjuhën angleze.

Agron Mustafa, drejtor Aktual i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës. Është kandidati më serioz i mundshëm për të qenë drejtor edhe për një mandat në ANP.

Në mesin e kandidatëve është edhe Nazmi Halimi. Sipas burimeve të gazetës, ky kandidat është i preferuari i presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu.
Halimi nuk e di anglishten. Ai e ka të kryer Fakultetin e Historisë. Momentalisht është nënkryetar i Partisë Demokristiane për Integrim (PDKI).
Postin e Halimit e ka konfirmuar edhe kryetari i Partisë Demokristiane për Integrim (PDKI), Zef Morina.

“Po e konfirmoj se Nazmi Halimi është nënkryetar i PDKI-së”, ka thënë Morina nëpërmjet telefonit.

Atij konkurrimin për postin e drejtorit menaxhues të ANP-së ia ndalon Ligji për Ndërmarrjet Publike, gjegjësisht pika 17. 2.

Në konkursin e shpallur për drejtor nga ANP-ja ishte kërkuar që kandidatët ta kenë të kryer Fakultetin Ekonomik, Juridik apo për Aviacion, si dhe ta njohin gjuhën angleze. /Epoka e Re/