LAJMI I FUNDIT:

Sindikata kërkon mbrojtjen e “punëtorëve në të zezë”

Sindikata kërkon mbrojtjen e “punëtorëve në të zezë”

BSPK dhe SPNP reagojnë ashpër ndaj shkeljes së të drejtave të punëtorëve dhe dukurisë së punës “në të zezë”, që është bërë praktikë e pjesës më të madhe të ekonomisë informale në Kosovë.

Me këtë rast, nga kompanitë dhe ndërmarrjet e tilla kërkohet të respektojnë ligjet vendore dhe konventat ndërkombëtare për të drejtat e punës dhe të lirive sindikale.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës dhe Sindikata e Pavarur e Ndërtimtarisë dhe Projektimit e Kosovës kërkojnë rritjen e kujdesit me qëllim të mbrojtjes së të drejtave të punëtorëve në punë dhe të shëndetit të tyre, sikur edhe eliminimin e çdo forme të diskriminimit dhe keqpërdorimit të tyre.

Shumë punëtorë tanë të punësuar në ndërmarrje ndërtimore dhe të ngjashme punojnë në kushte të rënda pune, pa aplikimin e masave mbrojtëse, me ç’rast rrezikohet jeta e tyre. Për fat të keq kemi edhe raste të lëndimeve të rënda me pasoja për shëndetin e tyre, por edhe të humbjes së jetës së punëtorëve, për çka përgjegjësinë nuk e merr askush. Për këtë flet edhe rasti i fundit i lëndimit të rëndë të gjashtë punëtorëve të Ndërmarrjes Ndërtimore”Bardhi”, nga komuna e Ferizajt.


BSPK dhe SPNPK nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe institucionet përkatëse kërkojnë që të ngrisin nivelin e përcjelljes së punës në ndërmarrjet dhe kompanitë e ndryshme, që të rrisin nivelin e kontrollimeve dhe inspektimeve me qëllim të plotësimit dhe të respektimit të normave përkatëse ligjore lidhur me masat mbrojtëse në punë, sikur edhe marrjen e masave përkatëse ndaj atyre që nuk i respektojnë të njëjtat, thuhet në një komunikatë për media të lëshuar nga Zyra për informim e BSPK-së. /rtklive/