LAJMI I FUNDIT:

Aeroporti, teknologjinë e fundit në shërbim të njerëzve me aftësi të kufizuar

Aeroporti, teknologjinë e fundit në shërbim të njerëzve me aftësi të kufizuar

Qytetarët me aftësi të kufizuar - të hendikepuarit, ata në moshë të shtyrë etj, që nga dita e sotme nuk do të maltretohen duke u bartur me karroca invalidësh dhe fizikisht për tu ngjitur në aeroplan, pasi Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës ka vënë në funksion të tyre teknologjinë më moderne, e cila do të përfundojë vuajtjet e tyre të deritanishme gjatë bartjes në aeroport.

Bëhet fjalë për vënien në funksion të ambulant-liftit, një investim që i ka kushtuar aeroportit 175 mijë euro dhe do të transportojë në mënyrë moderne dhe komode të gjithë pjesëtarët e kësaj kategorie nga terminali e deri në karriget e aeroplanit.

Vënia në funksion e ambulant-liftit është bërë në prani të drejtorit të Hendikos, Afrim Maliqi dhe Zyrës për Qeverisje të Mirë të Kabinetit të Kryeministrit.

“Sot është një ditë shumë e veçantë për mua si drejtor menaxhues. Gjatë këtij viti dhe vitit të kaluar na ka rënë të promovojmë investime prej dhjetëra miliona eurove, por një investim si ky i sotshmi paraqitet me një rëndësi të veçantë. Me këtë investim po ndihmojmë një kategori njerëzish, e cila më së shumti ka nevojë të ndjejë dorën e ndihmës nga ana e shoqërisë”, ka pohuar drejtori menaxhues i ANP-së, Agron Mustafa.


Sipas tij, blerja e ambulant-liftit dhe vënia në funksion ka qenë dashur të bëhet shume më herët, por për arsye të ndryshme qe bllokuar.

“Kur mora pozitën e drejtorit menaxhues premtimi i parë që bëra ishte blerja e këtij ambulant-liftit. Sot që premtimi u realizua dhe po e shohim si funksion kjo teknologji moderne më bën të ndjehem krenar për angazhimin tim. I kemi dhënë fund vuajtjeve të njerëzve më aftësi të kufizuar dhe vet stafit të ANP-së që deri tani janë maltretuar duke bërë bartjen në mënyrë fizike dhe primitive. Ka qenë rraskapitëse për të dy palët”.

Ai ka sqaruar se blerja e këtij ambulant-liftit është bërë përmes procedurës së tenderit të hapur dhe ka kushtuar 175 mijë euro.

Nga ana tjetër, drejtori i shoqatës së personave me aftësi të kufizuar- Hendikos, Afrim Maliqi, tha se ky ambulant-lift paraqet një investim të qëlluar të menaxhmentit të Aeroportit Ndërkombëtarë të Prishtinës.

“Kam dëgjuar një intervistë të mëhershme të Drejtorit Mustafa, ku pati premtuar blerjen e një ambulant-lifti për persona me aftësi të kufizuar dhe u pata ndjerë shumë mirë. Tash që po shohim se ky premtim u bë konkret falënderojmë Drejtorin Menaxhues për mbajtjen e premtimi. Është një investim mjaft i qëlluar, i cili na ka lehtësuar shumë bartjen nga terminali deri tek karriget e aeroplanit. Ka qenë një gjë që i ka munguar këtij aeroporti”, tha drejtori i Hendikos, Afrim Maliqi.

Sipas tij, vetëm shoqata që i drejton ka të identifikuar në Kosovë rreth 18 mijë persona me aftësi të kufizuar.

“Kjo kategori është duke udhëtuar çdo ditë e më tepër. Vetëm ne kemi në regjistrat tona rreth 18 mijë persona më aftësi të kufizuar, por numri i tyre është shumë më i madh në Kosovë. Ambulant-lifti jo vetëm që do të na ndihmojë neve në udhëtimet jashtë Kosovës, por do të ndihmojë edhe ardhjen e kësaj kategorie në Kosovë, vizitat e të cilëve janë mjaft të shpeshta. Por ky ambulant-lift mund të përdoret jo vetëm për kategorinë tonë, atë të personave më aftësi të kufizuar, por edhe bartjen e pleqve dhe plakave të cilët nuk kanë forcë për ti ngjitur shkallët e aeroplanit".
Sipas të dhënave të ANP-së, pothuajse në çdo fluturim ka një ose më shumë persona më aftësi të kufizuar që shkojnë ose vinë nga Kosova. /Telegrafi/