LAJMI I FUNDIT:

Papunësia në Shtetet e Bashkuara të Amerikës shkon në 9.8%

Papunësia në Shtetet e Bashkuara të Amerikës shkon në 9.8%

Departamenti amerikan i punës thotë se përqindja e papunësisë arriti në shtator në 9.8 për qind, niveli më i lartë që prej 26 vjetësh, ndërsa punëdhënësit shkurtojnë më shumë vende nga ç'pritej. Zyrtarët thanë dje se ekonomia humbi muajin e kaluar 263 mijë vende pune dhe se 15.1 milionë vetë janë tani pa punë.

Mbi 7 milionë vende pune janë shkurtuar që kur filloi recesioni në dhjetor të vitit 2007. Të dhënat e reja po shkaktojnë frikën se papunësia mund të kërcënojë rimëkëmbjen ekonomike. Presidenti Obama thotë se raporti i fundit për papunësinë është një kujtesë se rimëkëmbja ekonomike në Shtetet e Bashkuara nuk do të jetë e lehtë.

Ai tha gjithashtu se shifrat e fundit tregojnë se ai ka më shumë punë për të bërë. "Që nga periudha e dimrit të kaluar kur ne po humbisnim 700 mijë vende pune në muaj, ne sigurisht që kemi bërë përparim në këtë drejtim. Por raporti i sotëm për vendet e punës na kujton se përparimi vjen pak nga pak dhe ne duhet ta arrijmë rimëkëmbjen hap pas hapi".

Dje në Shtëpinë e Bardhë, zoti Obama e pranoi se punëdhënësit shkurtuan më shumë vende pune nga ç’pritej muajin e kaluar, çka do të thotë se ai ka ende punë për të bërë.


"Dhe dua t’u them të gjithë amerikanëve se nuk do të resht derisa ata që kërkojnë punë të gjejnë punë, derisa bizneset që duan kredi të jenë në gjendje të marrin kredi dhe të arrijnë sukses, derisa të gjithë pronarët e përgjegjshëm të shtëpive të mos i humbin ato".