LAJMI I FUNDIT:

Ferizaji ulë tatimin 10 përqind

Ferizaji ulë tatimin 10 përqind

Grupi i këshilltarëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) i ka kërkuar kuvendit të Ferizajt që të bëjë trysni tek Ministria e Ekonomisë e Financave, për t’i liruar nga tatimi në pronë familjet e dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve të luftës.

Kuvendi i Ferizajt vendosi të mërkurën me shumicë votash, uljen 10 për qind të tatimit në pronë, për të gjitha kategoritë e tatueshme. Udhëheqja komunale dhe drejtoria e ekonomisë e arsyetuan këtë hap me efektet pozitive që ka bërë ulja vitin e kaluar e tatimit për bizneset lokale.

Reflektimi i këtij veprimi, ka rezultuar me rritjen e inkasimit gati dyfish të tatimit në pronë, krahasuar me një vit më parë.

Por, kuvendarët e Lidhjes Demokratike të Dardanisë (LDD), nuk e votuan këtë ndryshim fiskal, me arsyetim se rregullorja për tatimin në pronë duhet të pësojë edhe ndryshime të tjera.


Sipas tyre, pronat rezidenciale duhet të kenë norma tatimore më të larta, duhet të bëhet kategorizimi i pronave industriale, ndërsa tatimin në pronë duhet ulur te disa kategori biznesesh sezonale, siç janë, bie fjala, pishinat.