LAJMI I FUNDIT:

Fillon projekti për pyllëzimin e Kosovës

Fillon projekti për pyllëzimin e Kosovës

Gjatë implementimit të këtij projekti pritet që të punësohen rreth 1735 punëkërkues.

Në ambientet e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, sot është bërë nënshkrimi i Marrëveshjes së Mirëkuptimit në mes të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe asaj të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. Këtë marrëveshje bashkëpunimi e kanë nënshkruar ministri i MPMS-së Nenad Rashiq dhe ai MBPZhR Idriz Vehapi.

Kjo marrëveshje bashkëpunimi ka të bëjë me realizimin e projektit “Një banor një fidan”, që ka për qëllim pyllëzimin e 816 hektarëve të sipërfaqeve të zhveshura në Kosovë, kurse do të realizohet nën patronatin e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Sipas këtij memorandumi, MPMS obligohet që me rastin e implementimit të projektit të punësoj punëkërkuesit e regjistruar në zyrat komunale dhe rajonale të punësimit, varësisht ku kryhet projekti, i cili do të zhvillohet në 30 komuna të Republikës së Kosovës.


Përmes kësaj marrëveshjeje MPMS dhe MBPZhR synojnë që të ulet shkalla e papunësisë dhe njëkohësisht ky projekt parasheh zhvillimin dhe koordinimin e të gjitha aktiviteteve që të dy ministritë janë të obliguar t’i përmbushin për një Kosovë me ambient më të pastër dhe sipërfaqe më të gjelbëruara.

Projekti “Një banor një fidan” mëton të shndërrohet në një aktivitet tradicional në Kosovë dhe pos uljes së shkallës së papunësisë, ka për qëllim krijimin e një ambienti sa më të pastër në Kosovë. /Telegrafi/