LAJMI I FUNDIT:

Raporti: Shqipëria, e 57-a për lirinë ekonomike

Raporti: Shqipëria, e 57-a për lirinë ekonomike

Shqipëria renditet e 57-ta në Raportin Vjetor 2009 - Liria Ekonomike e Botës", njoftoi Qendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike (ACER). Vitin e kaluar Shqipëria ishte në pozicionin e 65-të.

Raporti vjetor i Lirisë Ekonomike në Botë i rishikuar nga ekspertë, është përgatitur nga Instituti "Fraser" në Kanada, në bashkëpunim me institutet e pavarura në 75 shtete dhe territore.

Ky raport përdor 42 njësi matjeje të ndryshme për të krijuar një indeks që i rendit vendet e mbarë botës në bazë të politikave që inkurajojnë lirinë ekonomike. Gurët e themelit të lirisë ekonomike janë: liria e zgjedhjes personale, shkëmbimi vullnetar, liria për të konkurruar dhe garantimi i pronës private.

Liria ekonomike është matur në pesë fusha të ndryshme: madhësia e qeverisjes; struktura ligjore dhe garantimi i të drejtave të pronës; gjendja e sektorit monetar; liria e tregtisë ndërkombëtare; rregullimi ligjor i kredisë, tregut të punës dhe biznesit. "Shqipëria përbën një rast interesant studimi.


Ajo tregon se vetëm madhësia racionale e qeverisë nuk është e mjaftueshme për të siguruar përfitimet e lirisë ekonomike. Institucionet e lirisë ekonomike, si shteti ligjor dhe të drejtat e pronës, si dhe sektori monetar, hapja tregtare dhe rregullimi ligjor janë të nevojshme.

Shqipëria u rendit mjaft lart – në vendin e 4-të në Madhësinë e Qeverisë: Shpenzime, Taksa dhe Sipërmarrje (Fusha 1) dhe e 24-ta në Sektorin Monetar (Fusha 3). Pavarësisht kësaj, Shqipëria u vlerësua dobët në të gjitha kategoritë e tjera: e 91-ta në Strukturën Ligjore dhe Mbrojtjen e të Drejtave të Pronës (Fusha 2), 108-ta në Lirinë e Tregtisë Ndërkombëtare (Fusha 4), dhe e 103-ta në Sistemin Ligjor (Fusha 5).

Sipas raportit, liria ekonomike mund të pësojë rënie në afatshkurtër si pasojë e krizës, por në një periudhë afatgjatë, liria ekonomike ka një prirje të rritet pas një krize bankare. /gazeta shqiptare/