LAJMI I FUNDIT:

Problemet për anëtarësim në OBT

Problemet për anëtarësim në OBT

Kosova i ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura për të aplikuar në Organizatën Botërore të Tregtisë, por problem, sipas zyrtarëve qeveritarë, mund të paraqesë numri i pamjaftueshëm i vendeve që deri më tash e kanë njohur Republikën e Kosovës.

Me gjithë përgatitjet e deritashme të Kosovës për aplikim në OBT, problem në këtë drejtim mund të paraqesë numri i pamjaftueshëm i vendeve që deri më tash e kanë njohur Republikën e Kosovës. Kështu pohon ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Lutfi Zharku.

Ai, ndërkaq, thotë se pas anëtarësimit të Kosovës në Bankën Botërore dhe në Fondin Monetar Ndërkombëtar, pranimi në këtë mekanizëm është një ndër synimet kryesore të Qeverisë.

“Gradualisht, ne po përgatitemi për atë çështje, ashtu siç e përmenda, më shumë është problemi i rritjes se njohjeve të Kosovës si shtet i pavarur.Në OBT janë 153 shtete, kurse numri i njohjeve tona është 62. Logjikisht, ne duhet të kemi gjysmën e shteteve që na kanë njohur”.


Edhe pse numri i vendeve që kanë njohur shtetësinë e Kosovës, nuk është ndonjë parakusht për anëtarësim, ministri Zharku shprehet se Ministria po pret për aplikim, në mënyrë që të jenë të sigurt për pranim pas procesit të aplikimit dhe se Qeveria e Kosovës i ka përfunduar të gjitha përgatitjet administrative dhe teknike për aplikim në këtë organizatë botërore.

Megjithatë një ndër parakushtet që një vend duhet të plotësojë për të aplikuar, është që vendi të ketë tërësi unike doganore dhe, duke pasur parasysh problemin e mosfunksionimit të plotë të doganave në disa pjesë të territorit, sipas tyre, Kosovës i vështirësohet aplikimi.

Aktualisht, në Organizatën Botërore të Tregtisë bëjnë pjesë 153 vende të botës, kurse 30 të tjera janë në proces të anëtarësimit, që përfaqësojnë mbi 97 për qind të shkëmbimeve tregtare botërore. /rel/