LAJMI I FUNDIT:

Turizmi, rritje me 42 përqind në 8 muajt e parë

Turizmi, rritje me 42 përqind në 8 muajt e parë

Shqipëria ka pritur këtë vit një numër befasues turistësh të huaj: mëse 1,4 milionë, duke rrëzuar çdo frikë për një impakt të mundshëm nga kriza globale ekonomike mbi sektorin e turizmit

Shifrat më të fundit të Ministrisë së Turizmit, referuar hyrje-daljeve në pikat kufitare, hedhin dritë për një rritje prej 42 për qind të numrit të turistëve të huaj për këtë 8- mujor krahasuar me të njejtën periudhë të vitit të kaluar.

Shifra rritjeje që sipas specialistëve të fushës janë dy herë më të larta krahasuar me vitet e fundit.

Luan Dervishaj, specialst turizmi shpjegon: “Kemi pasur këto vite një ritëm rritjeje 20 për qind në vit, shifrat e këtij viti tregojnë që turizmi shqiptar nuk është prekur nga kriza ekonomike. Edhe operatorët turistikë konfirmojë rritjen, e cila përkthehet në më shumë të ardhura jo vetëm për këto biznese, por edhe për banorët e zonave turistike dhe ekonominë shqiptare në përgjithësi”.


Kurse Sadik Malaj, kryetari i Unionit turistik shqiptar tregon nga se erdhi nje rritje e tille; “Ka pasur rritje nga turistët polakë, cekë, holandezë dhe anglezë”.

Megjithatë specialistët e turizmit janë në një mendje, teksa pohojnë se nuk duhet fjetur mbi dafina. Për të vijuar rritje e qëndrueshmëri edhe në vitet në vijim, sfida kryesore do të jetë përmirësimi i cilësisë së shërbimeve. /KLAN/