LAJMI I FUNDIT:

Kongresmenët dhe Banka Botërore dakord me autostradën

Kongresmenët dhe Banka Botërore dakord me autostradën

Ministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Fatmir Limaj, gjatë vizitës së tij zyrtare në SHBA, është takuar me kongresmenët Eliot Engel dhe Jim Himes. Limaj pati takime edhe me zyrtarë të lartë të Bankës Botërore dhe me zyrtarë të lartë të organizatës amerikane OPIC në Washington.

Në biseda të ndara me kongresistët Engel e Himes, Limaj i njoftoi ata me gjendjen aktuale, politike dhe ekonomike në Kosovë, problemet dhe sfidat me të cilat po ballafaqohet Kosova si shtet i ri po ashtu për zhvillimin ekonomik të vendit si dhe për rrugën që duhet ndjekur për të hapur perspektiva të zhvillimit të vendit tonë, thuhet në një komunikatë të MTPT-së.

Limaj falenderoi posaçërisht kongresmenin Engel për angazhimin e tij personal në realizimin sa më të shpejt të projektit të autostradës. Po ashtu – siç thuhet në komunikatë – ministri Limaj gjeti mbështetje nga Engel që tani e tutje të angazhohemi së bashku që Kosova sa më shpejt të ketë kodin e saj telefonik dhe domenin e internetit.

Engel dhe Himes, siç thuhet më tej, vlerësuan punën që po bëjnë institucionet e Republikës së Kosovës dhe Ministria e Transportit në ndërtimin dhe zhvillimin e infrastrukturës rrugore dhe transportit.


Gjatë vizitës së tij ne SHBA, ministri Limaj u takua edhe me përfaqësuesit e Bankës Botërore, me zyrtarët e lartë të këtij institucioni Richard Martin Humphreys dhe Henry Kerali. Limaj, në këto takime shprehu nevojën dhe kërkoi ndihmën e Bankës Botërore për investime në sektorin e infrastrukturës rrugore dhe Transportit në Kosovë.

Humphreys dhe Kerali, sipas komunikatë, thanë se “Banka Botërore ka qenë dhe do të jetë edhe më tutje aktive në ndihmesë për MTPT-në. “Ne do të vazhdojmë të punojmë me Ministrinë e Transportit për të siguruar dhe ofruar ndihmën tonë dhe asistencën më të mirë të mundshme, sidomos në projektin e autostradës Morin –Merdare”.

Sipas tyre, autostrada është një projekt i madh dhe do të përkrahet sa më shumë që është e mundur.

Edhe në takimin me zyrtarët e lartë të Organizatës Amerikane OPIC, sipas komunikatës së MTPT-së, Limaj ka marrë premtime për angazhimin e tyre maksimal për ndihmë Qeverisë së Kosovës në sektorin e infrastrukturës rrugore. /Telegrafi/