LAJMI I FUNDIT:

Kosova garanton siguri të plotë për investime

Kosova garanton siguri të plotë për investime

“Kemi krijuar një legjislacion të mirë, të standardeve evropiane, i cili ofron siguri të plotë për investimet e jashtme në Kosovë dhe garanci maksimale për ata që duan ta shtrijnë biznesin e tyre në vendin tonë”, theksoi presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu gjatë një takimi që pati të premten me një delegacion të Bankës Botërore, të kryesuar nga Juliana Oyegun, drejtoreshë për Diversitet dhe Përfshirje nga Ëashington DC.

Në këtë takim, në të cilin përveç përfaqësuesve të Bankës Botërore në vendet e rajonit, ishte i pranishëm edhe Ranijit Nayak, përfaqësues i Bankës Botërore në Kosovë, u diskutua për prioritet e përbashkëta dhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në mes Bankës Botërore dhe institucioneve të Republikës së Kosovës.

“Qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës i janë mirënjohës Bankës Botërore për mbështetjen konstante dhënë vendit tonë”, tha presidenti Sejdiu, duke shtuar se Kosova, si shtet i ri dhe me shumë sfida, ka vizion të qartë për prioritet e veta. Në këtë kontekst, vijoi Sejdiu, mund të themi se kemi projekte ambicioze në energjetikë, në agrikulturë, në edukim dhe në shëndetësi, ku parashikojmë të ketë investime të veçanta.

Presidenti Sejdiu foli edhe për stabilitetin bankar në Kosovë, por sërish kërkoi që bankat ta ulin shkallën e interesit, e cila vazhdon të jetë më e larta në rajon.


Ndërkaq, Oyegun, duke e siguruar presidentin Sejdiu për përkushtimin e Bankës Botërore për Kosovën, theksoi se institucionet e Kosovës duhet të punojnë me vendosmëri për një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët e saj, duke përfshirë edhe pjesëtarët e komuniteteve pakicë. “Ju keni mundësi të jashtëzakonshme për ta çuar përpara vendin tuaj dhe do ta keni përkrahjen tonë të plotë për realizimin e këtij synimi”, theksoi ajo.

Presidenti Sejdiu dhe përfaqësuesit e Bankës Botërore, po ashtu, e vlerësuan si shumë të rëndësishëm për gjithë rajonin dhe perspektivën e përparimit ekonomik të tij projektin e rrugës Morinë – Merdar, që pritet të nisë së realizuari kësaj vjeshtë. /Telegrafi/