LAJMI I FUNDIT:

Furnizimi me energji elektrike stabilizohet në mbrëmje

Furnizimi me energji elektrike stabilizohet në mbrëmje

Situata e furnizimit me energji elektrike pritet të përmirësohet gjatë orëve të mbrëmjes, thuhet në një njoftim të KEK-ut.

“Ekspertët e KEK-ut janë duke punuar me ritme të shpejta dhe kanë aftësuar për punë të dy blloqet e TC “Kosova B”. Por, lëshimi paralel i tyre nuk mund të bëhet për shkaqe teknike, prandaj njësia B1 është ndezur dhe pritet të lëshohet rreth orës 20:00, ndërsa njësia B2 planifikohet të jetë komplet operative rreth orës 23:00”, theksohet në njoftim.

Rëndimi i furnizimit me energji elektrike, sipas KEK-ut, ka ndodhur pas ndaljes së detyruar të njësisë A5, si pasojë e problemeve teknike. Kjo njësi është ndalur disa orë pasi ishte planifikuar të shkonte në revizion vjetor. Ndërsa, në punë janë njësia A3 dhe HC Ujmani. ”Menaxhmenti i KEK-ut ka reaguar menjëherë duke shtuar importin deri në 300 megavatë/orë”, thuhet më tej.

KEK ka kërkuar ndjesë ndaj konsumatorëve për këtë rëndim të situatës së furnizimit me energji elektrike dhe “i siguron qytetarët që po bën maksimumin për ta normalizuar sërish furnizimin”.


“Korporata gjithashtu po bën të gjitha përgatitjet që gjatë periudhës së Ramazanit t’i furnizojë të gjithë konsumatorët në mënyrë stabile me energji elektrike. Planifikohet që në sistem të jenë dy njësitë e TC “Kosova B”, njësia A3 e TC “Kosova A”, HC “Ujmani” dhe importi që shkon deri në 100 megavatë/orë, pra do të jenë në dispozicion mbi 700 megavatë/orë. Kjo sasi është e mjaftueshme për ta mbuluar tërë kërkesën në këtë periudhë kohore”, përfundon komunikata. /Telegrafi/