LAJMI I FUNDIT:

Bode: Rritja ekonomike për vitin 2009 parashikohet 5 %

Bode: Rritja ekonomike për vitin 2009 parashikohet 5 %

Rritja ekonomike në Shqipëri për vitin 2009 parashikohet në nivelin 5 % e GDP-së, ndërsa ky nivel do të rritet në tre vitet e ardhshme, duke arritur në 9 %, në vitin 2012. Ministri i Financave, Ridvan Bode deklaroi në një nga mediat televizive se, do të synojmë që Shqipëria të kthehet në nivelet e larta të rritjes ekonomike.

"Nëse për 2009-ën programimet tona shkojnë në 5% në rritjen ekonomike të GDP-së, mendojmë që për 2010-n t’i afrohemi prapë nivelit 6%, për të tentuar që më 2011-n dhe 2012-n të kapim prapë nivele rritjeje si viti i kaluar, me 8% apo 9% të rritjes së GDP-së", tha Bode.

Kreu i Financave Publike, foli për përshpejtim të rritjes ekonomike për 2010-n dhe se, kuadri monetar fiskal mundëson dhe synon një rritje të tillë ekonomike si dhe një përmirësim nga pikëpamja e strukturës së realizimit të të ardhurave.

"Ne marrim në konsideratë efektet që vijnë nga impakti i krizës ndërkombëtare, të cilat janë shfaqur gjatë këtij viti në sistemin doganor përmes një ngadalësimi të ritmeve të rritjes së të ardhurave në sistemin e doganave për shkak të rënies së çmimeve për grup-mallrash kryesore, me peshë në ekonominë shqiptare, si karburantet", tha Bode.


Në këtë drejtim, ai shtoi se duke marrë në konsideratë të gjitha këto, kemi programuar që për 2010-n të kemi një rritje ekonomike në terma realë rreth 6% dhe në terma nominalë prej 9%.

"Do të kemi rritje të të ardhurave në buxhet, ndërsa do të tregohet një kujdes i madh për të konsoliduar parametrat më normalë të treguesve makroekonomikë, uljen e deficitit buxhetor, mbajtjen e inflacionit në nivelin 3% dhe për mbështetje të vëllimit të investimeve dhe të prioriteteve të qeverisë", nënvizoi ministri i Financave Bode. /gazeta start/