LAJMI I FUNDIT:

Shpenzimet arsyetohen me ngritjen e kapaciteteve

Shpenzimet arsyetohen me ngritjen e kapaciteteve

Raporti gjashtëmujor i shpenzimeve të institucioneve të vendit tregon se gjatë kësaj periudhe qeveria ka shpenzuar mbi 397 milionë euro. Në Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave këtë shifër të shpenzimeve e arsyetojnë me ngritjen e kapaciteteve qeverisëse dhe me rritjen e pagave për një numër të shërbyesve civilë.

Zëvendësministri i Ekonomisë dhe i Financave, Bedri Hamza thotë se në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar është shënuar rritje e të hyrave buxhetore.

Sipas këtij raporti të buxhetit në gjashtë mujorin e parë të vitit 2009, vetëm për dreka zyrtare janë shpenzuar mbi gjysëm milioni euro. Nga ministritë, më së shumti për dreka zyrtare shpenzoi ministria e Punëve të Brendshme – mbi 45 mijë euro. Pason Ministria e Ambientit me mbi 40 mijë euro, ndërsa më së paku për dreka zyrtare shpenzoi Ministria e Bujqësisë, e cila në këtë gjashtëmujor ka harxhuar vetëm mbi 4 mijë e 700 euro.

Këto shifra dhe rritja e shpenzimeve telefonike rreth 25 për qind kanë ngjallur reagimin e opozitës. Edhe pse kryeministri, Thaçi kishte paralajmëruar ulje të shpenzimeve, zv/kryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi thotë se ky raport dëshmon se qeveria gjatë kësaj periudhe ka rritur kapacitet e saj.


Përfaqësues të opozitës, të cilët edhe me herët kishin akuzuar qeverinë se po e keqpërdor dhe po e dëmton buxhetin e Kosovës, vlerësojnë se zotimet e kësaj qeverie për ulje të shpenzimeve janë thjesht deklarata që synojnë të manipulojnë opinionin publik.

Sipas raportit gjashtëmujor të ministrisë së Ekonomisë dhe Financave rritje të konsiderueshme në raport me vitin e kaluar kanë shpenzimet kapitale për 35 për qind .

Raporti dëshmon se pagat mujore me orar të plotë gjatë kësaj periudhe janë rritur për 17 për qind. Rritje ka pasur edhe sa u përket shpenzimeve në mallra dhe shërbime. Për gjashtë muaj janë shpenzuar 55.181 milionë euro, ose 11 për qind më shumë. /rtv21/