LAJMI I FUNDIT:

Rreziku nga papunësia

Rreziku nga papunësia

Papunësia dhe varfëria janë faktorët kryesorë që rrezikojnë stabilitetin e Kosovës. Kështu thuhet në raportin e Paralajmërimit të Hershëm, që ka publikuar Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara në Kosovë ka prezantuar sot faktet kryesore të Raportit të Paralajmërimit të Hershëm. Në raport thuhet se respondentët e pyetur shqiptarë dhe ata të komuniteteve tjera, papunësinë dhe varfërinë i cilësojnë si faktorë kryesorë që rrezikojnë stabilitetin e Kosovës.

Mytaher Haskuka, udhëheqës i sektorit të politikave në UNDP, shpjegon më shumë për gjetjet e raportit.

“Në përgjithësi kemi një trend pozitiv në ketë hulumtimin e fundit, ku faktikisht është një rritje e kënaqshmërisë së qytetarëve me institucionet. Por, në anën tjetër, papunësia dhe varfëria ende dalin si probleme kryesore të kosovarëve”.


“Vetëm për papunësinë dhe varfërinë së bashku janë përgjigjur më shumë se 60 % e respondentëve, të cilët shohin që këto dy probleme janë kryesoret, me të cilat ballafaqohet Kosova në këtë rast”, tha Haskuka.

Ndërkaq, për serbët, siç vlerëson raporti, shqetësim kryesor mbetet përkeqësimi i marrëdhënieve ndëretnike. Sipas tyre, kjo rrezikon stabilitetin e Kosovës për dallim nga ajo që kishin deklaruar në raportin e prillit, se papunësia dhe varfëria rrezikojnë stabilitetin në vend.

“Praktikisht, problem kryesor del edhe papunësia edhe te serbët, por si problem që do të ndikojë në përkeqësimin e situatës del përkeqësimi i marrëdhënieve ndëretnike. Pastaj, vjen papunësia”, deklaroi Haskuka.

Anketa e qershorit tregon se përqindja e serbëve të gatshëm për të punuar me shqiptarët ka rënë dukshëm dhe tani qëndron 29 %, krahasuar me 48 % sa ka qenë në prill të po këtij viti.

Sa u takon shqiptarëve, ky tregues ka shënuar rritje nga 33% sa ishte në prill, në 48 % në raportin e fundit.

Raportet e Paralajmërimit të Hershëm përgatiten çdo tre muaj. Rezultatet e prezantuara janë bazuar në analiza statistikore të hulumtimit të opinionit. Ky hulumtim është bazuar në intervista të drejtpërdrejta, ku janë përfshirë 1,290 respondentë. /rel/