LAJMI I FUNDIT:

Wolkswagen zgjeron tregun

Wolkswagen zgjeron tregun

E gjithë bota është në krizë dhe kompanitë e makinave raportojnë miliarda euro humbje, por për prodhuesin gjerman, "Volkswagen", gjërat nuk po ecin edhe aq keq. Kompania me qendër në Volfsburg, raportoi fitime në vlerën 281 milionë euro për gjysmën e parë të këtij viti, shifër kjo shumë më e lartë nga sa pritej. Fitimet qenë 80 për qind më të ulëta se një vit më parë, kur kompania pati fituar 2.5 miliardë euro, por gjithsesi qenë shumë më pozitive sesa ato të konkurrentëve.

Gjatë ditëve të fundit, "Daimler", "Renault" apo "Peugeot" raportuan të gjitha miliarda euro humbje. Megjithëse shitjet e saj të makinave kanë rënë si pasojë e krizës së përgjithshme, duket se "Volkswagen" dhe makinat e saj për popullin kanë qenë më tërheqëse për konsumatorët, sesa konkurrentët. Kjo kompani zotëron tashmë 12 për qind të tregut botëror të makinave, nga 9 për qind që zotëronte më parë. Pjesa më e madhe e fitimeve të kësaj kompanie i dedikohet një programi mbështetës të qeverisë gjermane për rinovimin e makinave nga popullata.