LAJMI I FUNDIT:

KE-ja i jep 100 milionë euro Serbisë

KE-ja i jep 100 milionë euro Serbisë

Komisioni Evropian njoftoi sot dhënien e një ndihme buxhetore prej 100 milionë eurosh Serbisë, vend që po troket në derën e BE-së, për ta ndihmuar të zbusë pasojat e krizës ekonomike.

Fondet e dhëna do ta ndihmojnë Serbinë të vazhdojë reformat që lidhen me integrimin e saj në BE, që pa këtë mund të shtyhet për një datë të mëvonshme në këtë periudhë krize", nënvizoi komisioneri evropian i zgjerimit, Olli Rehn, në një komunikatë. "Në këtë mënyrë, ne mbështesim përpjekjet që po bën Serbia për ta mbajtur në binarë procesin e saj të integrimit në BE gjatë krizës ekonomike", shtoi ai.

Kriza që ka kapur Evropën, më e rënda që prej më shumë se 60 vjetësh, e ka rritur defiçitin buxhetor serb, arsye për të cilën është hartuar një program mbështetës, me mbështetjen e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore. Ndihma buxhetore e BE-së do të plotësojë këtë iniciativë.

Serbia aspiron të hyjë në Bashkimin Evropian, por procesi është bllokur aktualisht, sepse Holanda kërkon paraprakisht arrestimin e ish-shefit ushtarak të serbëve të Bosnjës, Ratko Mladic, që kërkohet kryesisht për gjenocidin në Srebrenicë në 1995.


Ndër të tjera, komisioni njoftoi sot subvencionimin e 85 milionë eurove, gjithmonë kundër krizës ekonomike, në favor të vendeve të Ballkanit perëndimor në përgjithësi dhe Turqisë. Kjo shumë bën pjesë në një program më të gjerë mbështetjeje në bashkëpunim me disa institucione financiare ndërkombëtare.