LAJMI I FUNDIT:

Amerikanët dhanë 1.2 miliardë për Kosovën

Amerikanët dhanë 1.2 miliardë për Kosovën

Në një periudhë dhjetëvjeçare ndihmat e programit amerikan SEED për Kosovën arrijnë në 1.188 miliardë dollarë, që është ndihma më e madhe prej gjithsej 9 miliardë dollarësh që është ndarë për 27 shtetet e Evropës juglindore. Ndihmat për Kosovën do të vazhdojnë, ndërkaq si ndihmë më e fundit ka qenë mbështetja e planeve “për ndërtimin e termocentralit me kapacitet prej 2000 megavatesh”.

Në një rekapitullim të aktiviteteve dhe sukseseve njëzetvjeçare të të ashtuquajturës iniciativë e Mbështetjes së Demokracisë në Evropën Lindore, (SEED-Support East European Democracy), dje në Washington, u theksua ndikimi dhe ndihma që kanë ofruar administratat e ndryshme amerikane në pavarësinë, përshpejtimin dhe zhvillimin e demokracive në këto vende ish komuniste të Evropës, ku ndihma më e madhe ka qenë për Kosovën.

Kjo ndihmë amerikane që ka qenë një lloj mini-marshal plani i ndihmës për rreth 27 vende, qoftë që u formuan apo demokratizuan pas përmbysjes së ish Bashkimit Sovjetik dhe satelitëve të tij, kapë vlerën prej rreth 9 miliardë dollarëve, si synim i arritjes së një vizioni të një “Evrope të tërë, të lirë dhe në paqe”.

Një nga fuqitë e këtij programi, si një objektiv i qartë që edhe shënoi sukses, ishte “integrimi në komunitetin euro-atlantik”.


Dhjetë nga vendet që u ndihmuan deri tash janë pjesë e Bashkimit Evropian dhe të NATO-s.

Orientimi i këtij programi në Ballkan vazhdon dhe ai është i përqendruar në gjashtë shtete: Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Mal i Zi, Bosnjë e Hercegovinë dhe Serbi, më programe dhe partneritete në fusha të paqes dhe sigurisë, të qeverisjes demokratike, shërbimeve sociale dhe rritjes ekonomike.

Në Kosovë ndihma e SEED vitin e fundit qe përqendruar në ndihmën për miratimin e Kushtetutës, pastaj në ngritjen e efikasitetit menaxhues në Korporatën Energjetike të Kosovës, si dhe në planet për ndërtimin e
termocentralit të ri me kapacitet prej 2000 megavatesh.

Kjo ndihmë amerikane përmes programit SEED për Kosovën, që proporcionalisht me numrin e popullsisë ka qenë më e madhja ndër 27 shtetet, nga viti 1998 deri në fund të vitit 2008, kapë një shumë prej 1 miliard 188 milionë dollarësh.

Dhe, në këtë ndihmë që po përmend nuk hyjnë ndihma të tjera prej qindra miliona dollarësh si dhe ato të shpenzimeve ushtarake, qoftë të luftës apo ruajtjes së paqes. /rtklive/