LAJMI I FUNDIT:

Përurohet VIP-Qendra në Aeroport

Përurohet VIP-Qendra në Aeroport

Është përuruar sot në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, Qendra Protokollare për Persona të Rëndësishëm, apo VIP- qendra, e cila do të shërbejë për zyrtarët ë lartë të qeverisë së Kosovës, diplomat vendorë dhe të huaj, delegacione të ndryshme si dhe për personalitetet të tjera me ndikim në vendin tonë.

Përurimi I VIP- qendrës është bërë nga ana e ministrit të Transporteve dhe Post Telekomunikacionit, Fatmir Limaj, zëvendësministrit, Adem Grabovci, Drejtorit të Bordit të ANP, Bekim Jashari, Drejtorit Menaxhues të kompanisë, Agron Mustafa etj.

VIP-qendra ka një hapësirë prej rreth 600 metrash katrorë në përbërje të së cilës janë, salla e konferencave për gazetarë, dy salla mbledhjesh, dy dhoma VIP-a si dhe një bufe.

Drejtori Menaxhues i ANP-së, Agron Mustafa, tha se është i lumtur që në kuadër të politikave për orientim drejt konsumatorit, në këtë rast zyrtarëve të lartë të qeverisë së Kosovës, diplomatëve, delegacioneve të ndryshme biznesore, po e përuron këtë qendër protokollarë për persona të rëndësishëm. “Orientimi ndaj konsumatorit është qasja dhe politika ime që prej një viti e gjysmë që kam ndjekur në ANP. Kjo qasje po dëshmon që është e drejtë, në shërbim të konsumatorit dhe qytetarëve të shumtë si dhe garantues për sukses të gjertanishëm dhe në vazhdimësi.


Konsumatorë tanë janë edhe një numër i shumtë i personave me rëndësi të veçantë, andaj me qëllim të akomodimit të tyre sa më të mirë gjatë udhëtimit nëpër ANP, ne sot po përurojmë qendrën nga më modernet dedikuar personave me rëndësi të veçantë. Kjo qendër ka kushtuar rreth 750 mijë euro dhe siç po e shihni ju çdo gjë është e re dhe speciale, e ardhur veçmas për këtë objekt. Falenderoj bordin e kompanisë ne krye me Bekim Jasharin si dhe qeverinë e Kosovës, Ministrin Limaj për mbështetjen që na ka ofruar në realizimin e këtij investimit”, tha Drejtori Menaxhues i kompanisë Agron Mustafa.

“Me këtë investim modern të bërë, Aeroporti Ndërkombëtarë i Prishtinës i afrohet edhe më shumë standardeve bashkëkohore të aeroporteve evropiane. Një qendër e tillë i ka munguar deri më tani Aeroportit. Jemi vet dëshmitarë se si kanë kaluar deri më tani diplomatë dhe figura të larta të shteteve të ndryshme. Prandaj, për këtë investim modern përgëzoj menaxhmentin dhe bordin e kësaj kompanie”,tha ministri i Transporteve dhe Telekomunikacionit,Fatmir Limaj

“Ju lutem, shiqoni punën e bërë qe një vit e gjysmë në ANP nga menaxhmenti aktual. Ky aeroport ka ndryshuar shumë gjatë kësaj periudhe. Ky investim dhe të gjitha ndryshimet tjera që janë realizuar nga puna shumë e suksesshme e Menaxhmentit me përkrahjen e bordit të drejtorëve të ANP, vetëm se ja kanë rritë dhe do të ja shtojnë vlerën kompanisë në procesin e koncesionit”, tha tutje ai.

Kryetari i Bordit të Drejtorëve të ANP-së, Bekim Jashari tha se investimet për përsosjen e shërbimeve janë prioritet i bordit që ai drejton.

“Gjithmonë e kemi potencuar se ANP është pasqyra e shtetit dhe sot dita ditë ky Aeroport po shndërrohet në një model të një kompanie të suksesshme. Ky investim do ti shërbejë qeverisë së Kosovës dhe diplomatëve të huaj që të ndjehen sa më komod në Aeroportin tonë, apo pikëtakimin e parë me shtetin e Kosovës. Është një investim bashkëkohorë që meriton lëvdata të larta nga i pari Drejtori Menaxhues me stafin e tij të ngushte si dhe të gjithë punëtorët e kompanisë”, tha Bekim Jashari, kryetar i bordit të ANP-së.

VIP-qendra është funksionale që nga dita e sotme. /Telegrafi/