LAJMI I FUNDIT:

Turistët francezë, më të këqijtë në botë

Turistët francezë, më të këqijtë në botë

Japonezët renditeshin në majë të sondazhit Best Tourist (Turisti më i Mirë), kurse britanikët dhe gjermanët u zgjodhën turistët europianë më të mirë. Ngushëllimi i vetëm i francezëve qe vendi i tretë në veshjen më të mirë të turistëve me pushime, ku ata u renditën pas italianëve dhe britanikëve.

Turistët francezë u renditën më të këqijtë në botë, duke u prezantuar si të dobët në gjuhë të huaja, koprracë dhe arrogantë, sipas sondazhit të 4,500 pronarëve të hoteleve në të gjithë botën.

Ata u renditën të fundit në sondazhin e ndërmarrë nga agjencia ndërkombëtare e udhëtimeve e internetit Expedia, me anë të kërkuesve të TNS Infratest, të cilët thanë se pushuesit francezë nuk flisnin gjuhët lokale dhe shpesh shiheshin si të pasjellshëm.

"Kjo vjen kryesisht nga fakti se ata nuk flasin shumë anglisht kur janë jashtë shtetit, dhe as nuk shqetësohen për të mësuar pak nga gjuhët lokale”,- thotë drejtori i marketingut i Expedia, Timothee de Roux për stacionin francez të radios, France Info.


"Francezët nuk dalin shpesh jashtë shtetit. Ne jemi me fat që kemi një vend me peizazhe dhe kulturë të mrekullueshme”,- tha ai duke shtuar se 90 për qind e francezëve i bënin udhëtimet e tyre brenda Francës.

"Kështu që, kur ata janë jashtë me pushime, mund të jenë pak të stresuar pasi nuk janë të mësuar me gjërat dhe kjo i bën ata t’i kërkojnë shërbimet në një mënyrë që mund të duket arrogante”.

Turistët francezë gjithashtu akuzohen se shpenzojnë shumë më pak se turistët e kombësive të tjera.

De Roux tha se francezët, që nuk janë mësuar të lënë bakshishe të mëdha në shtëpi pasi pagesa për shërbimin në restorante përfshihet në faturë, mund të duken dorë-shtrënguar në krahasim me kombësitë e tjera.