LAJMI I FUNDIT:

IPKO zbret tarifat e roamingut në Eurozonë

IPKO zbret tarifat e roamingut në Eurozonë

Klientët e telefonisë mobile IPKO mund të ndihen pjesë e Bashkimit Evropian të paktën për një arsye. Gjatë qëndrimit të tyre në ndonjërin nga shtetet anëtare të BE-së, ata do të paguajnë të njëjtin çmim të shërbimit roaming, sikur të gjithë qytetarët e tjerë të Eurozonës.

Nga çmimet e standardizuara të roaming për BE, të cilat i aplikon edhe kompania IPKO, përfitojnë të gjithë vizitorët dhe qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit, të cilët e vizitojnë Kosovën dhe zgjedhin IPKO, si operator mobil për komunikim në roaming, thuhet në një komunikatë të këtij operatori.

Klientët e telefonisë mobile IPKO – siç theksohet aty – do të paguajnë çmim të njëjtë të roamingut gjatë qëndrimit të tyre në BE-sikur që paguajnë ta zëmë një anglez, gjerman apo francez. “Çmime këto jashtëzakonisht më të lira se cilado qoftë ofertë tjetër krahasuese që u ofrohet kosovarëve”, theksohet në komunikatë.

Çmimet e këtilla të roamingut do të vlejnë edhe për të gjithë shtetasit e vendeve të Bashkimit Evropian gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë- përfshirë këtu edhe diasporën Kosovare e cila në numër të madh kalon pushimet verore në vendlindje.


Tarifat e reja për roaming me numrat mobil IPKO në zonën e Bashkimit Evropian, janë si më poshtë:

Thirrja: 0,52€ (TVSH e përfshirë në çmim)
Pranimi i thirrjes: 0,23 € (TVSH e përfshirë në çmim)

Dërgimin e një SMS: 0.13€ (TVSH është e përfshirë në çmim)
Pranimi i një SMS: 0.0 €

Çmimet për komunikimin mobil në roaming janë zbritur në të gjithë Bashkimin Evropian, pas hyrjes në fuqi të rregullativës së re nga BE, e cila i standardizon çmimet e shërbimit roaming për të gjithë përdoruesit e telefonisë mobile në eurozonë. Kompania telekomunikuese IPKO i është përgjigjur kësaj rregullative sikur të gjithë operatorët e tjerë të telefonisë mobile në Bashkimin Evropian.

Me këto tarifa, kompania telekomunikuese në tërësi e plotëson legjislacionin e Bashkimit Evropian, të cilin nga 1 korrik 2009 e aplikojnë të gjithë operatorët mobil në kuadër të Bashkimit Evropian, dhe njëkohësisht i mundëson konsumatorëve të saj të kenë një komunikim të lirë dhe pandërprerë me të gjithë të afërmit e tyre gjatë qëndrimit të tyre jashtë vendit.

Rregullativa e re e Bashkimit Evropian nënkupton krijimin e një tarife të vetme për roaming në të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, duke i ulur dukshëm çmimet për të gjithë përdoruesit e telefonave mobil, kur ata ndodhen jashtë vendit të tyre. /Telegrafi/