LAJMI I FUNDIT:

Paraja jashtë bankave rritet me 37 për qind

Paraja jashtë bankave rritet me 37 për qind

Treguesit e parasë në qarkullim shënuan ritme rritjeje të papara prej shumë vitesh në Shqipëri gjatë muajve të fundit, bëhet e ditur nga të dhënat e Bankës së Shqipërisë. Sasia e parave jashtë bankave paradepozituese u rrit me 37 për qind në bazë vjetore gjatë tremujorit të parë të këtij viti, ndërkohë që ishte rritur me më pak se 8 për qind mesatarisht gjatë gjashtë viteve të fundit.

Rritja e treguesit M3, i cili përfshin të gjithë ofertën për para në ekonomi, u rrit në mënyrë më modeste për shkak të kufizimit të kreditimit nga ana e bankave.

Baza monetare, e cila përfshin paranë kartëmonedhë e monedhë në qarkullim, u rrit me 19 për qind gjatë vitit 2008 dhe me 27 për qind gjatë tremujorit të parë të këtij viti. Baza monetare nuk duhet të rritet më shpejt sesa niveli i rritjes nominale të ekonomisë, në mënyrë që të mos prodhojë inflacion. Kështu, gjatë gjashtë viteve që nga viti 2003, rritja e bazës monetare në Shqipëri pati një mesatare vjetore prej 9 për qind.

Gjithçka eci siç duhej deri në shtator të vitit të kaluar, gjë që i dha Shqipërisë inflacion të ulët. Pothuajse e gjithë rritja e inflacionit gjatë këtyre viteve në Shqipëri është prodhuar nga shkaqe të tjera, jo nga oferta monetare. Por në tetor, situata ndryshoi rrënjësisht.


Të ardhurat e qeverisë filluan të ngadalësohen deri sa ndaluan ecurinë normale, ndërkohë që qeveria vijoi të shpenzojë si më parë. Për pasojë, qeveria iu drejtua bankës qendrore për borxh, gjë që solli edhe rritjen e parasë në qarkullim. Një situatë e tillë është shfaqur edhe në vende të tjera perëndimore, gjë që ka shtuar frikën e ekonomistëve se këto vende mund të përballen sërish me makthin e harruar të inflacionit dyshifror.