LAJMI I FUNDIT:

Shtëpitë amerikane, 20 për qind më lirë

Shtëpitë amerikane, 20 për qind më lirë

Shitjet e shtëpive në SHBA janë në rritje në shumë zona të vendit, por çmimet kanë vijuar të ulen me ritme të shpejta, u bë e ditur dje nga një vëzhgim i Standard 7 Poor‘s. Në 20 qytetet më të mëdha të Amerikës, çmimet u ulën në mars me 18.7 për qind në bazë vjetore, njësoj siç qenë ulur në janar dhe shkurt.

Shumë njerëz nuk po arrijnë të shlyejnë kreditë për shtëpi dhe kanë nxjerrë shtëpitë në shitje. Kjo besohet se mund të sjellë rënie të mëtejshme të çmimeve në muajt në vijim.
Investitorët dhe njerëzit janë në garë me njëri-tjetrin për të blerë shtëpitë e të falimentuarve, gjë që ka sjellë rritje të numrit banesave që kanë ndërruar pronar, por kjo gjë nuk e ka përmirësuar ndjeshëm situatën.

"Shtëpitë amerikane mund të humbasin aq vlerë këtë vit sa është edhe PBB e Kinës", shpjegoi një ekspert, duke u përpjekur të tregojë se sa e rëndë është situata. "Në të ardhmen e afërt, kërkesa do të vijojë të jetë e dobët", tha ai. Për më tepër, blerësit e mundshëm po besojnë se duhet të presin që çmimet të bien edhe më shumë para se të mund të blejnë shtëpinë. Në Detroit, çmimet e shtëpive sot janë njësoj siç kanë qenë 14 vite më parë.