LAJMI I FUNDIT:

Përmirësimi i ekonomisë rrit çmimin e naftës

Përmirësimi i ekonomisë rrit çmimin e naftës

Rritja e çmimeve të aksioneve ka rezultuar me optimizëm që ekonomia globale po përmirësohet, duke bërë që të rritet edhe kërkesa për naftën e papërpunuar. Çmimi i naftës bruto për kontratat e muajit qershor në bursën e mallrave në Nju Jork dje është rritur me 4.77 për qind, duke prekur nivelin e 59.03 dollarëve amerikanë.

Ky ishte vetëm fillimi pasi gjatë ditës, nafta vijoi me rritje, duke kapërcyer kufirin e 60 dollarëve për fuçi.

Parashikimet pozitive për ekonominë amerikane kanë rritur besimin te konsumatorët dhe biznesi, duke ndikuar te shtimi i kërkesës për karburant.

Shkak për rritjen e çmimit është bërë situata aspak pozitive në Nigeri (e para në Afrikë për eksportet), falë tensioneve politike dhe ushtarake. Në muajin shkurt një fuçi nafte kushtonte rreth 35 dollarë, ndërsa tani ari i zi kapërcen 60 dollarë (60.48 dollarë/fuçia në bursën Nymex), shkaktuar nga disa pasoja, duke turbulluar analistët.


Rritje më e lehtë e çmimit u vu re në tregjet evropiane. Në bursën e Londrës nafta "brent" pësoi rritje me 1,08 dollarë, krahasuar me një ditë më parë, duke e regjistruar një fuçi nafte me 60,11 dollarë.

Të dhënat kurajuese mbi ekonominë amerikane ndikuan në përmirësimin e klimës në sektorin imobiliar, kurse janë përmirësuar vlerësimet e analistëve për ecurinë e sektorit bankar.