LAJMI I FUNDIT:

Përurohet rruga e re në fshatin Broboniq

Përurohet rruga e re në fshatin Broboniq

Ministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit Fatmir Limaj, së bashku me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarin e komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi, përuruan sot rrugën e re të asfaltuar të fshatit Broboniq.

Kryeministri Hashim Thaçi, lidhur me asfaltimin e kësaj rruge theksoi, se ky investim është meritor, për t’i nxjerrë këto fshatra nga izolimi në mënyrë që të kemi integrim edhe të pjesëve periferike të kësaj komune siç është ky fshat.

“Kosova po ndryshon në çdo cep të saj, duke ndërtuar dhe rindërtuar edhe në veri edhe në Shalë dhe kudo. Investimet e projekteve që e përmirësojnë jetën e qytetarëve të shtetit më të ri edhe në të ardhmen do të vazhdojnë“.

Ndërsa ministri Limaj pohoi se edhe gjatë këtij viti në komunën e Mitrovicës do të ndërtohen rrugë të reja dhe moderne.


“Mitrovica sikurse që është prioritet i Qeverisë së Kosovës, në të njëjtën kohë është prioritet edhe i MTPT-së, në përmirësimin e infrastrukturës rrugore të kësaj komune duke ndërtuar rrugë të reja të asfaltuara”.

”Falënderoj për përkrahjen e madhe financiare, që po i jep Qeveria e Kosovës, përkatësisht MTPT-ja, ndërtimit të infrastrukturës rrugore të kësaj komune, e që gradualisht po kompletohet kjo infrastrukturë“, ka deklaruar. Bajram Rexhepi, kryetari i KK-së së Mitrovicës.

Ai tutje ka shtuar se projekti në fjalë është financuar nga MTPT-ja ndërsa komuna vetëm e ka identifikuar si projekt prioritar. /Telegrafi/