LAJMI I FUNDIT:

PTK mundëson komunikimin edhe në minierën e Trepçës

PTK mundëson komunikimin edhe në minierën e Trepçës

Komunikim më të mirë më botën nëntokësore, mundësi të reja dhe shumë të volitshme telekomunikuese, Posta dhe Telekomunikacioni i Kosovës, shumë shpejt do t’ia ofrojë edhe Minierës së Trepçës, në Stan Tërg.

Në kuadër të projektit për shtrirjen e fijeve optike nëpër tërë territorin e Kosovës, PTK ka njoftuar se ka planifikuar që një gjë të tillë ta bëj edhe në pjesën veriore të Kosovës, gjegjësisht në Stan Tërg, ku gjendet edhe miniera.

Në një takim që Kryeshefi Ekzekutiv i PTK-së, Shyqyri Haxha pati të hënën me Drejtorin e Përgjithshëm të Kompleksit të Minierave të Treçës, Ferat Shalën, u diskutua për mundësitë e shumta në përmirësimin e kushteve tejet të vështira të punës, përfshirë edhe mundësitë e varfëruara të komunikimit.

Përmes shtrirjes së fijeve optike deri në këtë lokacion, do të mundësohet qasja direkte në galeritë nëntokësore, ku gjatë ditës punojnë me qindra punëtorë.


Përpos këtij projekti me rëndësi madhore, PTK ka njoftuar se gjatë takimit të dy udhëheqësit e dy kompanive me rëndësi strategjike për vendin, kanë diskutuar edhe mundësitë e ofrimit të pakove të ndryshme që ofrojnë operatori mobil Vala dhe Telekomi i Kosovës, si njësi biznesi të PTK-së

“Një problem i madh për kompleksin e minierës së Trepçës është edhe borxhi i madh që kjo kompani ka ndaj PTK-së, ku pjesa më e madhe e borxhit u tha të jetë trashëguar nga strukturat e mëhershme udhëheqëse, gjegjësisht ato të para pavarësisë së Kosovës.

Për të gjitha këto, të dy krerët e këtyre dy ndërmarrjeve kanë rënë dakord që të gjejnë format adekuate të cilat do të lehtësonin dhe të përmirësonin kushtet mjaft të vështira të komunikimit. /Telegrafi/