LAJMI I FUNDIT:

BSPK: Protestë më 16 maj, e jo më 1 maj

BSPK:  Protestë më 16 maj, e jo më 1 maj

Me rastin e festës së Një Majit - Ditës Ndërkombëtare të Punës, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) ka vlerësuar se mesazhet e kësaj dite, pa marrë parasysh vendin, kohën, simbolet dhe sloganet që mund të përdoren, janë solidariteti dhe mbrojtja e të drejtave të punëtorëve dhe e lirive sindikale, si dhe siguria dhe mirëqenia e tyre sociale dhe ekonomike.

Në njoftimin zyrtar të BSPK-së thuhet se, derisa në vendet e Perëndimit dhe në shumë vende të tjera, kjo festë kremtohet në rrethana tejet të volitshme, te ne, në Kosovë festohet në rrethana krejtësisht të tjera, shumë të rënda për punëtorët.

“Edhe pse ky është Një Maji i dytë , pas krijimit të shtetit të Kosovës, ende ka shumë gjëra të panjohura dhe sfida të mëdha që i presin punëtorët e Kosovës, për të krijuar një të ardhme më të mirë”.

Tutje në po të njëjtin njoftim thuhet se, ndërtimi i një shoqërie demokratike e shteti ligjor është synim i shoqërisë tonë dhe këtë përcaktim e ka theksuar si orientim të saj edhe Qeveria aktuale e Republikës së Kosovës.


”Kjo në realitetin kosovar ende nuk ka ndodhur. Qeveritë e deritanishme, sikur edhe kjo aktuale, vetëm verbalisht janë deklaruar për këto procese demokratike dhe dialogun social, si bazë të tyre, por po u mungon hapi tjetër konkret, jetësimi i këtyre proceseve përmes këtij dialogu. Qeveria e Republikës së Kosovës, prej takimit të 24 janarit 2009 me udhëheqjen e BSPK-së nuk ka bërë asnjë hap të mëtutjeshëm, madje nuk është takuar më as me udhëheqjen e BSPK-së për ta zhvilluar dialogun social”.

Prandaj, duke i ditur këto probleme dhe sfida, dhe duke parë që Institucionet e Republikës së Kosovës nuk po i realizojnë kërkesat e punëtorëve, BSPK fton punëtorët e Kosovës edhe një herë do të dalin dhe do të protestojnë më 16 maj, duke kërkuar realizimin e kërkesave të tyre.

“BSPK ka marrë vendim që në shenjë solidariteti me sindikatat ndërkombëtare të organizojë protestë më 16 maj, e jo më 1 maj”. /Telegrafi/