LAJMI I FUNDIT:

Ruli: Shpresoj që PTK të fillojë punën sa më shpejt

Ruli: Shpresoj që PTK të fillojë punën sa më shpejt

Vetë pjesëmarrja e kompanive kosovare në këtë panair tregon se është zgjeruar interesi kompanive qoftë publike, qoftë private për të bashkëpunuar mes veti, tha ministri i Ekonomisë dhe Industrisë, Genc Ruli, në ceremoninë e hapjes së panairit.

Ruli ka prerë shiritin e panairit të organizuar nga Konfindustria në Tiranë, ku marrin pjesë mbi 50 kompani të fuqishme vendore dhe ndërkombëtare.

Pas prerjes së shiritit ai ka vizatuar stendat e të gjitha kompanive dhe është ndalur në mënyrë të veçantë te kompanitë kosovare të cilat përfaqësohen në këtë panair si PTK, KEK, Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, KOST, Ballkani nga Suhareka etj.

“Është kënaqësi që ju do të jeni pjesë e tregut të telefonisë mobile. Shpresoj që konsumatorët të jenë sa më të kënaqur. Gjithashtu shpresoj të filloni sa më shpejt punën në tregun shqiptarë”, tha Ruli.


Nga ana tjetër, Menduh Abazi, zëdhënës në PTK-së i dhuroi një çokollatë ministrit Ruli si shenjë simbolike, duke thënë që kompania që përfaqëson ai do ta ëmbëlsoj tregun në Shqipëri.

“Ne do ta ëmbëlsojmë tregun e telefonisë mobile me çmime të lira dhe shërbime kualitative”, tha Abazi.

PTK ka fituar tenderin për operatorë të katërt të telefonisë mobile në Shqipëri dhe brenda 6 muajve duhet të fillojnë punën.

Në panairin e organizuar nga Konfindustria vërehet prezencë e fuqishme sidomos nga kompanitë energjetike botërore si ENEL, Bekter, të cilat tashmë kanë filluar investime të fuqishme në hidrocentrale dhe termocentrale në Shqipëri.

Gjatë panairit do të mbahet dhe një forum për energjetikën, transportin, me figurat më të larta, ministra, ekspertë dhe akademik nga Shqiperia dhe Kosova. /Telegrafi/