LAJMI I FUNDIT:

Parlamenti voton PTK si operator të katërt

Parlamenti voton PTK si operator të katërt

Është miratuar të enjten në seancën plenare të Parlamentit të Shqipërisë projektligji "Për dhënien e së drejtës së përdorimit, për 15 vjet, në brezin e frekuencave e GSM dhe GSM 1800, kompanisë PTK", pra futjen e operatorit të katërt celular në tregun shqiptar.

Kryeministri Sali Berisha tha gjatë debatit në Kuvend se janë bërë përpjekje për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga licenca e operatorit të katërt, ndërsa theksoi se nuk është bërë asnjë lëshim ndaj askujt dhe kompania fituese ofroi çmimin më të lartë.

Ligji t’i japë një konsorciumi shqiptar të kryesuar nga "Postë Telekomunikacioni i Kosovës" licencën e operatorit të katërt të telefonisë së lëvizshme.

Tenderi për operatorin e katërt celular, parashikohej të përfundonte që në muajin janar të këtij viti, por ai dështoi dy herë. Në garë ishte vetëm "Univers PG" dhe konsorciumi i kryesuar nga PTK, të cilat ofruan respektivisht 5 dhe 7.2 milionë euro.


Qeveria e konsideron ofertën e PTK-së për tarifat shumë konkurruese. Në relacion thuhet se konsorciumi shqiptar është angazhuar që brenda vitit të parë nga marrja e licencës të mbulojë 81% të territorit dhe 95% të popullsisë.

Ndërkohë që brenda tre viteve parashikon të mbulojë mbi 85% të territorit, nga 70% që është kërkuar në kontratë nga qeveria. Sipas qeverisë, hyrja në treg e operatorit të katërt celular do të ulë ndjeshëm tarifat. /telegrafi/