LAJMI I FUNDIT:

Energjia, sfidë për investimet

Energjia, sfidë për investimet

Kryetari i Forumit Ekonomik të Vjenës, Erhard Busek, tha se Kosova ka ndryshuar shumë dhe është zhvilluar. “Ndryshimet që janë bërë në krahasim me vitet paraprake nga kosovarët janë mbresëlënëse”, ka theksuar Busek, duke iu bërë thirrje bizneseve për investime në Kosovë pasi, sipas tij, janë krijuar kushte të favorshme në këtë drejtim. Republika e Kosovës që nga sot u bë anëtare e Forumit Ekonomik të Vjenës.

Nënshkrimi i anëtarësimit të Kosovës në Forumin Ekonomik të Vjenës është bërë nga kryeministri Hashim Thaçi dhe kryetari i Forumit Ekonomik të Vjenës, Erhard Busek.

Në forumin e organizuar ne Prishtinë nga “Vienna Economic Forum” në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës me temë “Investo në Kosovë-investo në rajon, ku po marrin pjesë rreth 180 pjesëmarrës nga 90 vende të rajonit u deklarua se Qeveria e Kosovës ka bërë progres në konsolidimin e ambientit të favorshëm për investime.

Sipas tyre Kosova ka pasuri natyrore, popullatë të re dhe të motivuar, kornizë ligjore moderne, mirëpo çështja e furnizimit të rregullt me energji elektrike vazhdon të mbetet sfidë për investime dhe zhvillimin ekonomik të vendit.


“Vizioni im për zhvillimin ekonomik të Kosovës paraqet bazën për një Kosovë shtet të të gjithë qytetarëve të saj, i zhvilluar në përputhshmëri me parimet demokratike, me një ekonomi të qëndrueshme, me një shoqëri shumetnike dhe me një përkushtim të plotë për integrimin euro-atlantik”, tha Thaçi, duke shtuar se Kosova është një shtet i ri me spektër të gjerë të nevojave për zhvillim.

Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala theksoi se Qeveria e Kosovës i ka hapur dyert për privatizim në KEK, të rrjetit të distribucionit dhe të shpërndarjes, ka ulur taksat në mënyrë që të krijohen kushte më të mira për investime.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës është e interesuar që të bashkëpunojë me sektorin privat në mënyrë që të krijohen vende të reja të punës.

Ndërsa, ministrja e Energjisë dhe Minierave, Justina Shiroka-Pula, tha se sigurimi i energjisë elektrike është sfidë e vështirë për të tejkaluar pasi që kërkohen reforma të guximshme dhe investime kapitale në sistemet energjetike, kryesisht në sektorin e gjenerimit të energjisë elektrike. /telegrafi/