LAJMI I FUNDIT:

Fondi 20 milionë euro i Hadës u shpërdorua për banesa në Prishtinë

Fondi 20 milionë euro i Hadës u shpërdorua për banesa në Prishtinë

“Nga ky buxhet janë ndërtuar banesa të ndryshime në Prishtinë që akoma nuk kanë titullar. Atje janë shpenzuar rreth 20 milionë euro nga viti 2004 deri më 2007. Ka lëshime të mëdha që kanë ndodhur në shpronësimin e pronave, madje edhe keqpërdorime. Ka objekte në Prishtinë, pa pronar, nuk dihet se të kujt janë, kush është pronari, të gjitha këto janë bërë prej këtij fondi 20 milionësh”, tha kryeministri Thaçi.

Kryeministri Hashim Thaçi, kërkoi nga ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Mahir Jagcillar, që të bëjë një raport për periudhën 2004-2007, lidhur me shpenzimet e shpronësimit të banorëve të fshatit Hade, pasi sipas tij ka patur shpërdorime ta parave për këtë projekt.

Ekzekutivi, sipas tij, nuk mund t’i mbyllë sytë para 20 milionë euro keqpërdorimeve që kanë ndodhë në procesin e eksproprijimit dhe kompensimit të pronave në fshatin Hade.

“Ne nuk mund t’i mbyllim sytë qoftë edhe për 1 cent të keqpërdorur nga buxheti i vendit”, u shpreh kryeministri i Republikës.


Pikërisht këto paqartësi rreth harxhimit të këtij buxheti, ndikuan që kryeministri ta heqë nga rendi i ditës propozimin e Korporatës Energjetike të Kosovës, që kësaj të fundit t’i lejohet të iniciojë procedurën e eksproprijimit dhe kompensimit të pronave në fshatin Hade. Thaçi tha se nuk mund të shkohet më tej në këtë lokacion, pa e qartësuar fatin e 20 milionë eurove të shpenzuara.

Pesë vjet më parë, Qeveria e Kosovës dhe administrata e atëhershme e UNMIK-u e kanë shpallur këtë zonë e interesit të veçantë, e njëkohësisht e rrezikshme për banim.

Banorët e këtij fshati që kanë kaluar më shumë se 1000 sosh, kanë kundërshtuar fillimisht që të lëshojnë fshatin, por me urdhër ekzekutiv të qeverisë dhe më ndihmën e policisë, janë zhvendosë dhunshëm të gjitha familjet. Qeveria ka marrë obligim që t’u krijojë vendbanim deri në kompensimin e gjitha pronave.
Mirëpo që nga viti 2004 deri më tani ka vazhduar konfuzioni rreth pagesës së pronës të banorëve të zhvendosur të fshatit Hade. /Telegrafi/