LAJMI I FUNDIT:

AKB reagon ndaj vlerësimeve të zv/ministrit Kastrati për cilësinë e prodhimeve vendore

AKB reagon ndaj vlerësimeve të zv/ministrit Kastrati për cilësinë e prodhimeve vendore

Kreu i AKB-së, Agim Shahini dhe përfaqësuesit e bizneseve janë ndier të fyer nga ky vlerësim, i cili sipas tyre është “joadekuat dhe e dëmton ekonominë kosovare”. Ata kërkuan nga presidenti dhe kryeministri i vendit, marrjen e masave adekuate ndaj këtyre personave që, sipas tyre, nuk ia duan të mirën vendit.

Nuk kaloi as një javë nga deklaratat e zv/ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Januz Kastrati, i cili produktet vendore i pati vlerësuar me notë të dobët, e të cilat sot u kundërshtuan mjaft ashpër nga Aleanca Kosovare e Biznesit. Kryetari i kësaj aleance, Agim Shahini dhe përfaqësuesit e bizneseve vendore, njëzëri e kundërshtuan këtë vlerësim të Kastratit, duke e quajtur jo adekuat, të gabuar dhe të pa bazë.

“E pyesim z. Kastrati se si erdhi deri te një konstatim i tillë, sa fabrika prodhuese i ka vizituar dhe sa prodhime vendore i ka shijuar që të vijë deri te një konkludim i tij personal për këtë notim kaq të ultë, që i bën cilësisë së prodhimtarisë vendore”, thotë Shahini.

Këtë vlerësim të zv/ministrit Kastrati, Shahini e vlerësoi “goditje e fortë për ekonominë vendore dhe përkrahje e asaj të huaj”.


“Para së gjithash ky konstatim nuk mund të quhet ndryshe veçse një tentim goditje për prodhuesin e sotëm vendor, në kohën kur Qeveria dhe bizneset janë duke shqyrtuar mundësinë e marrjes së masave të reciprocitetit, të disa vendeve rajonale që po i bëjnë bllokadë prodhimeve vendore”, ka thënë z. Shahini.

Të pranishmit, përmes degustimit të nga një gote qumështi vendor, kërkuan nga institucionet e Kosovës që ta përkrahin më shumë prodhimtarinë vendore./rtklive/