LAJMI I FUNDIT:

Banka Botërore, ndihmë qeverisë për zhvillim ekonomik

Banka Botërore, ndihmë qeverisë për zhvillim ekonomik

Përmes një programi bazë që është hartuar nga Banka Botërore, si dhe përpjekjeve të deritashme të qeverisë, pritet që deri në qershor të këtij viti të hartohet një strategji e përbashkët për zhvillimin e politikave të qëndrueshme të punësimit, duke konsultuar dhe përfshirë edhe faktorë tjerë relevantë, përmes të cilëve synohet në vepër rritja e vendeve të punës dhe ngritja e cilësisë në punë, thuhet në një komunikatë të Zyrës së informacionit pranë kryeministrit.

Zëvendëskryeministri Ramë Manaj ka zhvilluar një takim pune me përfaqësues të Bankës Botërore, të cilët i ka njohur me synimin e Qeverisë së Kosovës në hartimin e një strategjie për zhvillimin e politikave të qëndrueshme të punësimit.

“Kjo strategji do të shqyrtohet dhe aprovohet në qeveri. Strategjia do jetë pjesë vepruese e punës sonë në këtë fushë, me qëllim të gjetjes dhe rritjes së vendeve të punës”, ka thënë zv/kryeministri Manaj.

Nga ana e saj, Anita Shvarc, udhëheqëse e Programit për politika të qëndrueshme të punësimit në Bankën Botërore, tha se Banka Botërore dhe grupi prej dhjetë donatorësh dëshirojnë t’i përkrahin politikat e qëndrueshme të punësimit përmes Qeverisë së Kosovës.


“Ne dëshirojmë të dimë se cilat janë kërkesat dhe interesimet e qeverisë sa i përket kësaj fushe dhe ta ndihmojmë atë përmes kapaciteteve tona, të vetëdijshëm për sfidat që na presin kur dihet se sa është e madhe shkalla e papunësisë në Kosovë”, tha Shvarc.