LAJMI I FUNDIT:

Kuçi me delegacion për vizitë zyrtare në Bruksel

Kuçi me delegacion për vizitë zyrtare në Bruksel

Një delegacion i Qeverisë së Kosovës, i kryesuar nga zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, në të cilin marrin pjesë edhe ministrat Ahmet Shala dhe Lutfi Zharku, si dhe këshilltari i kryeministrit Thaçi, Driton Qehaja, po qëndron për vizitë zyrtare në Bruksel.

Delegacioni gjatë ditës së sotme do të zhvillojë takime me komisionerin Davdi O-Sullivan nga Drejtorati i Përgjithshëm i Tregtisë i Komisionit Evropian, si dhe me Pierr Mirel, drejtor për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Evropian.

Delegacioni kosovar në këto takime do të diskutojë për çështjet që kanë të bëjnë me anëtarësimin e Kosovës në Organizatën Botërore të Tregtisë, për çështjen e CEFTA-s, për përfaqësimin e Kosovës në Këshillin për Bashkëpunim Rajonal.

Gjithashtu, në këto takime do të jetë temë bosht edhe Raporti i Fizibilitetit për Kosovën, që do të publikohet në vjeshtë, si dhe do të diskutohet edhe lidhur me vazhdimësinë e thellimit të mbështetjes së Komisionit Evropian për institucionet e Republikës së Kosovë në funksion të plotësimit të kritereve demokratike për t’u integruar në Bashkimin Evropian. /Telegrafi/