Kosova shënoi 5-vjetorin e shpalljes së pavarësisë. Të dielën njerëzit në sheshet e qyteteve kryesore vallëzuan “Shotën”, por edhe vallen “Harlem Shake”. Festës iu bashkuan edhe vizitorë të huaj. Një paradë e FSK-së dhe Policisë u organizua në Prishtinë, derisa në Parlament politikanët premtuan se do ta bëjnë Kosovën një vend më të mirë.
U zgjuan më herët se zakonisht. Njëjtë si pesë vjet më parë, qytetarët e Kosovës po bëhen gati për ta festuar festën më të madhe të tyre. Atë të Pavarësisë. Pesëvjetori i shtetësisë u shënua nga qytetarët në mënyra të ndryshme. Një nga momentet më kulmore ishte edhe parakalimi i pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në sheshin që mban emrin e heroit të kombit Zahir Pajaziti, shkruan “Express”.
Nga Sheshi “Nëna Terezë” deri te Sheshi “Zahir Pajaziti” kanë parakaluar pjesëtarët e FSK-së, ata të Policisë së Kosovës dhe të Agjencisë së Emergjencave. Qytetarë të shumtë ishin mbledhur për ta parë nga afër forcën që pretendon në të ardhmen të jetë Ushtri e Kosovës dhe anëtare e NATO-s. për fillimin e paradës së FSK-së, gjenerallejtënant Kadri Kastrati njoftoi presidenten se gjithçka është gati. Parada u përshkua me parakalimin e gjashtë kuadrateve të FSK-së, katër të Policisë së Kosovës dhe një nga Agjencia e Emergjencave.
E veçanta e kësaj parade ishin edhe automjetet, përfshirë edhe autoblindat, të cilat nuk ishin parë më herët. Në këtë manifestim u thanë fjalë të mëdha nga krerët e shtetit të cilët sivjet festën e Pavarësisë e festuan në mënyrë shtetërore.
Gjatë fjalës së saj, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga tha se Kosova me subjektivitet të plotë ndërkombëtar, si faktor paqeje dhe stabiliteti, po feston pesëvjetorin e Pavarësisë në 14 vjetorin e lirisë.
“Liria dhe pavarësia e vendit është fituar me punën e pakursyer të gjithë popullit të Kosovës. Kjo fitore është arritur edhe me përkrahjen e fuqishme ndërkombëtare. Kjo na obligon që të ndërtojmë shtetin dhe shoqërinë demokratike. Të krijojmë një ambient të qetë dhe të sigurt, të ndërtojmë një vend në të cilën të gjithë qytetarët jetojnë dhe punojnë lirshëm”, tha Jahjaga.
Duke folur për parakalimin e FSK-së, presidentja tha se kjo është dëshmi e profesionalizmit dhe ngritjes së vazhdueshme të kësaj force dhe të agjencive të tjera të sigurisë në vend.
“Parakalimi juaj sot e nderon punën tonë, profesionalizmin dhe besimin tuaj të jeni në shërbim të shtetit, në shërbim të gjithë qytetarëve. Përkushtimi në punën tuaj ju lartëson dhe ju dallon”, tha Jahjaga.
Ndërkaq, kryeministri Hashim Thaçi tha se liria e popullit të Kosovës ishte ëndërr e brezave të tërë, e cila u bë realitet përmes sakrificave të mëdha.
“Liria dhe Pavarësia e Kosovës ka qenë ëndërr e gjyshërve tanë, e baballarëve tanë, por është ëndërr edhe e gjithë neve që jetojmë sot që jetojmë në shtetin e Kosovës. Të gjithë së bashku ëndrrën e shndërruam në realitet”, tha Thaçi.
Kreu i Qeverisë e vlerësoi si një mesazh të fortë, parakalimin e FSK-së, Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Emergjencave:
“Parakalimi i djemve dhe vajzave tona sot këtu në uniformën e tyre është mesazh i qartë i vizionit tonë që Forca e Sigurisë së Kosovës dhe Policia e Kosovës janë duke punuar me përkushtimin më të lartë për të përmbushur standardet e larta”, tha Thaçi.
Mbështetjen më të madhe, FSK-ja e ka nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E në këtë ditë, edhe presidenti amerikan, Barack Obama ka dërguar një letër, të cilën e lexoi zëvendësambasadorja e SHBA-së, Kelly Degnan. SHBA, vlerëson të arriturat e shtetit të Kosovës në këto pesë vjet.
“Ky përparim në veçanti është i dukshëm në zhvillimin e sektorit të sigurisë së Kosovës. Gjatë pesë vjetëve të shkuara, FSK-ja, Policia e Kosovës dhe Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave kanë luajtur rol jetik për t’i mbajtur qytetarët të sigurt dhe të qetë. Ju keni treguar se Kosova mund të jetë kontribuuese e sigurisë këtu në vend dhe në rajon dhe askush nuk duhet ta zhvleftësojë këtë të arritur”, tha Degnan.
Zëvendës ambasadorja amerikane ritheksoi mbështetjen e SHBA-së, ndërsa tha se SHBA-ja do të jetë edhe më tej mbështetje e ngritjes profesionale të FSK-së:
“SHBA dhe Kosova kanë shumë programe të përbashkëta, por, njëri prej shembujve më të mirë të bashkëpunimit tonë, është ai ndërmjet komandës së ushtrisë amerikane për Evropë dhe forcës tokësore të FSK-së, për nismën më të madhe trajnimit të nënoficerëve deri më tash, kursit për liderë luftarakë në Kosovë, i cili ka përforcuar shkathtësitë e më shumë se 200 nënoficerëve të FSK-së, prej fillimit të tij vitin e kaluar”, tha ajo.
Në këtë ceremoni të pranishëm ishin liderë të vendeve të rajonit, si Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, liderët e Maqedonisë dhe të Luginës së Preshevës, ambasadorë të vendeve të ndryshme, etj.
Festa e pavarësisë ka vazhduar deri në orët e vona të natës. Gjatë ditës në kryeqytet është mbajtur një koncert për fëmijë ndërsa në orët e mbrëmjes kanë performuar këngëtarë të muzikës moderne. Në orën 23 si çdo vit janë shkrepur qindra fishekzjarrë për nder të Pavarësisë. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëAnëtarësimi i Kosovës në KiE, cilat janë vendet skeptike që duan fillimisht asociacionin?
Konkursi i dyshimtë i Policisë, IPK: Do t’i verifikojmë informatat
AGK-ja dënon intimidimin publik të deputetit Dimal Basha ndaj gazetares së RTK-së
Fruti i pasionit mbillet në Shkodër - Familja Ndoja nga 1 dynym, sot mbjell 15 hektarë
Drejtori i RTK-së: Gjuha e përdorur nga deputeti Dimal Basha, e papranueshme
Çfarë pyetje u bëhen qytetarëve në diasporë për regjistrim?
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Krijo hapësirën tënde të biznesit – zyre me qira te 4 Llulat – 300€/muaj ID-252
Më të lexuarat
Bëhen bashkë pas dy vitesh Blero e Afrona Dika
Çfarë thuhet në alarmin e NATO-s për aktivitetet 'armiqësore' ruse në Evropë?
“Thellohet misteri” – bleu apo jo SHBA-ja, 81 aeroplanë të vjetër sovjetikë nga Kazakistani?
Nga qershori Aeroportit të Prishtinës i shtohet edhe një linjë e re fluturimi
Xhaka me Bayer Leverkusenin hap të madh drejt finales, Roma bie në ‘Olimpico’
"Nuk ka mbaruar ende, na duhet edhe një gol kundër Romës për finale" - Xhaka flet pas fitores së madhe