LAJMI I FUNDIT:

Kosova vendos marrëdhëniet diplomatike me Kuvajtin

Kosova vendos marrëdhëniet diplomatike me Kuvajtin

Të martën në Tiranë, është nënshkruar marrëveshja e përbashkët për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Shtetit të Kuvajtit.

Ambasadori i Republikës së Kosovës në Tiranë, Sylejman Selimi, i mandatuar nga Qeveria e Kosovës dhe ambasadori i Kuvajtit në Tiranë, Najeeb Abdulrahman Al- Bader, nënshkruan marrëveshjen për themelimin e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy shteteve.

Në njoftimin e lëshuar nga MPJ thuhet se marrëveshja ka për qëllim promovimin e marrëdhënieve të miqësisë dhe bashkëpunimit ndërmjet popujve të të dy vendeve përkatëse në fushën politike, ekonomike dhe kulturore, si në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.


Të dy ambasadorët u shprehën të bindur se vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy shteteve u shërben interesave kombëtare të të dyja vendeve.

Gjithashtu, u konfirmua angazhimi reciprok, në mbështetje të parimeve të Kombeve të Bashkuara, në konsolidimin e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. /Telegrafi/