LAJMI I FUNDIT:

Manchester United mposht Arsenalin

Manchester United mposht Arsenalin

Kampioni në fuqi i Ligës Premier, Manchester United, ka arritur të rikthehet nga disavantazhi 1-0 në pjesë të parë, për të shënuar fitore me rezultat 2-1 në fund të ndeshjes.

Pavarësisht një loje të ekuilibruar, ishin mysafirët ata që avancuan në pjesën e parë. Mesfushori sulmues Andrei Arshavin ishte ai që heshti publikun vendas me anë të një goditje të pambrojtur pesë minuta para fundit të pjesës së parë.

Me të filluar pjesa e dytë, topçinjtë patën një rast të mirë shënimi, kur Arsahvin asistoi për Robin van Persien, por goditja e holandezit u mbrojt në mënyrë të shkëlqyeshme nga portieri i United, Ben Forster.

Pas më pak se një ore lojë, në favor të djajve të kuq u akordua një penalti, pas një ndërhyrje të portierit Manuel Almunia ndaj sulmuesit Wayne Rooney, dhe anglezi nuk huqi nga pika e bardhë për të barazuar rezultatin (59’).


United shumë shpejt, pas vetëm pesë minutash, mori avantazhin edhe kësaj here nga një rast pasiv. Ryan Giggs inkuadroi topin në lojë nga gjuajtja e lirë dhe Abou Diaby pa asnjë presion, dërgoi topin në rrjetën e vet për t’u dhuruar gol, që ishte edhe vendimtar për fitoren e vendasve.

Topçinjtë shënuan një gol tjetër në kohën shtesë, që u anulua për shkak të pozicionit jashtë loje. Trajneri Arsene Wenger u qeras me karton të kuq, duke u detyruar të qëndrojë mënjanë, për shkak të protestës ndaj arbitrit të katërt.

Humbja është e para për Arsenalin në tre ndeshje, derisa kjo është fitorja e tretë për Manchesterin në katërt ndeshjet e para në Ligën Premier.