LAJMI I FUNDIT:

Higuain mund të luajë për Francën

Higuain mund të luajë për Francën

Sulmuesi i Real Madridit, Gonzalo Higuain, ka deklaruar se nëse injorohet vazhdimisht nga trajneri i përfaqësueses së Argjentinës, Diego Maradona, ai mund ta veshë fanellën e përfaqësueses së Francës.

“Unë angazhohem shumë çdo ditë dhe pres të ftohem nga Maradona. Dëshiroj të luaj në Kampionatin Botëror 2010, prandaj nuk dëshiroj ta humb shpresën”.

“Ka spekulime se nuk më tërheqin Albicelestët, mirëpo ato janë të pavërteta. Është njëra nga ëndrrat e mia (të luaj për Argjentinën)”, ka thënë argjentinasi për revistën franceze “So Foot”.

Mirëpo, edhe pse ka dëshirë të madhe ta vesh fanellën e Argjentinës, Higuan, i cili është i lindur në Brest të Francës, nuk e ka hedhur poshtë mundësinë që mund të luajë edhe për trekolorët.


“Është e jashtëzakonshme që (trajneri i Francës, Raymond) Domenech interesohet për mua, sidomos kur kihet parasysh se përfaqësuesja e Francës është një superfuqi botërore. Dhe aty është edhe lojtari i madh, Karim Benzema. Kështu që asnjëherë nuk i dihet”, ka përfunduar intervistën e tij Higuain.