Nga: Charlotte Higgins / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com
Nëse doni të dini momentin e begatisë më të madhe të një qyteti mesjetar italian, shikoni vitin kur nisi me ndërtimin e katedrales. Në Sienë, viti magjik ishte 1226, kur filluan 85 vjetët e ndërtimit të katedrales së saj – një strukturë e jashtëzakonshme gotike me një fasadë shumë komplekse, me ngjyrë rozë të zbehtë dhe një kambanore me vija të bardha dhe të zeza. “Niveli i ambicies është i vështirë që të përshkruhet me fjalë”, thotë Laura Llewellyn, një nga kuratoret e Ngritja e pikturës [The Rise of Painting] – ekspozitës së re e Galerinë Kombëtare [National Gallery], për artin e Sienës. “Ekstravaganca e saj: për ta vlerësuar, duhet të harroni gjithçka që dini për ndërtesat e mëvonshme, si katedralja e Firences apo Bazilika e Shën Pjetrit në Romë”.

Por, deri në vitet 1350, ditët më të lavdishme të Sienës, nën diellin përvëlues të Toskanës, kishin marrë fund. Pas dekadave të tëra të transformimit të shpejtë artistik – një gjysmë shekulli që e pa artin e qytetit të largohej nga stili hieratik me shije bizantine, drejt një bote plot me dinamizëm, dramë dhe emocion – Murtaja e Zezë përgjysmoi popullsinë e qytetit nga 60 mijë në 30 mijë, duke i zhdukur ambiciet më të zjarrta dhe duke shuar pasurinë e saj vezulluese. Një nga planet më të pabesueshme të Sienës ishte zgjerimi i katedrales tashmë madhështore, duke e shndërruar nefin e saj të tanishëm në një transept dhe duke shtuar një nef të ri, të mbivendosur, në skajin e pjerrët të një prej majave të qytetit. Projekti nuk u përfundua kurrë, por harqet e tij të papërfunduara qëndrojnë ende si një monument i ëndrrave të humbura dhe një pandemie të egër.

Siena mesjetare ishte një republikë oligarkike. Megjithatë, ajo sundohej në mënyrë absolute nga Virgjëresha, Maria. Në artin e qytetit, ajo është kudo. E gjeni me “sytë e mëdhenj” (Madonna degli Occhi Grossi, realizuar rreth vitit 1225; një vepër nga artisti i njohur si Mjeshtri nga Tresa – Maestro di Tressa – e cila, sipas legjendës, ua dha fitoren sienezëve në betejën e Montapertit kundër fiorentinëve më 1260). E shihni te Madona duke thënë gji [Madonna del Latte] të Ambrogio Lorenzettit, ku Jezusi foshnjë, i kapur për kraharorin e saj, vështron vëzhguesin me një shikim të kujdesshëm anësor, duke mbështetur këmbën e tij të vogël mbi parakrahun e saj të lakuar (kjo kryevepër do të jetë pjesë e ekspozitës në Londër). Ajo shfaqet gjithashtu si një foshnjë e sapolindur, e larë me kujdes nga gratë që derdhin ujë nga një ibrik në një legen gjashtëkëndor, në një pikturë altari të nënshkruar nga vëllai i Ambrogios, Pietro Lorenzetti.

Ajo është e pranishme edhe në skulpturën e Giovanni Pisanos anash pulpitit të Katedrales së Sienës, ku shtrihet mbi një divan, që e bën të duket si një grua etruske mbi një monument varri, ndërsa qëndron në zemrën e një kompozimi aq të ngarkuar me dele, mbretër, barinj dhe personazhe të tjera të lindjes së Krishtit, saqë një dhi e gjorë është e detyruar të kthejë kokën lart për t’u përshtatur brenda skenës.
Në mënyrë edhe më madhështore, ajo sundon në Palazzo Pubblico – në qendrën politike të Sienës, një skenografi e mrekullueshme që mbikëqyr campo-n e famshëm ose sheshin qendror të qytetit. Atje është vendosur në fron, nga Simone Martini, në murin e dhomës ku debatonin anëtarët e organit legjislativ të qytetit – Consiglio Generale; një mbretëreshë e hijshme që mbikëqyr një gjykatë shenjtorësh, të cilët, nga ana e tyre, qëndrojnë mbi një qeveri njerëzish.

Por, brenda vetë katedrales ndodhet Virgjëresha më madhështore nga të gjitha: Maestà e Duccios, kulmi i lavdishëm i një altari magjistral, i projektuar për të mahnitur audiencën me një shpërthim detajesh dhe ngjyrash. Kaq e dashur ishte kjo vepër për porositësit e saj, saqë u mbajt në një procesion triumfues përmes qytetit përpara se të vendosej në kishë në vitin 1311. Duccio e nënshkroi veprën me një mbishkrim të veçantë: “Nëna e shenjtë e Zotit, bëhu ti shkaku i paqes për Sienën dhe jetë për Duccion, sepse ai të pikturoi kështu”. Është një moment i rrallë – të dëgjosh fjalët e një piktori që na vijnë nga shtatë shekuj më parë, një fjali që përmbledh një lutje për vëmendje në nivelin shtetëror, ndërsa njëkohësisht pohon me guxim një lidhje intime mes artistit dhe subjektit të tij.
Pas më të keqes së Murtajës së Zezë, Firence u bë fituesja e padiskutueshme e rivalitetit me Sienën, dhe arti i Sienës shpesh shihet në raport me atë të fqinjit e saj. Siena: ëndërrimtare dhe emocionale; Firence: intelektuale dhe energjike. Veprat e artit të mbushura me ar të Sienës janë piktura jashtëzakonisht tokësore që flasin për pasurinë e bollshme të qytetit, materialet më të mira, dhe mungesën e çdo kursimi për Virgjëreshën në këtë qytet bankierësh mesjetarë – por, ato duken edhe të një bote tjetër, me parajsa të shkëlqyeshme që shndërrohen në një mjegull vezulluese qiellore. Megjithatë, Ngritja e pikturës e riafirmon Sienën jo si një hije të vagullt të Firences, por si një qendër të inovacionit të trazuar në gjysmën e parë të shekullit XIV – një kohë e lidhjeve tregtare, dyndjes së materialeve dhe tekstileve të mrekullueshme, si dhe mjeshtërisë së argjendarëve dhe gdhendjes në fildish.
Mbi të gjitha, ishte gjithashtu një kohë ndryshimesh të shpejta fetare, që e panë artin duke u përshtatur për të pasqyruar një marrëdhënie të re me Zotin, të nxitur nga lulëzimi i urdhrave të rinj të murgjve – françeskanët dhe dominikanët – që hynë në qytete, kujdeseshin për të sëmurët, mbushnin kishat e mëdha me turma për predikime interesante dhe, sipas Caroline Campbellit, një nga kuratoret e ekspozitës, promovonin një mënyrë të re të jetës fetare për “më shumë veprim, më pak përsiatje”. Në terma artistikë, kjo përkthehej në pikturat plot dinamikë, rrezik dhe ndjenjë – një art që insistonte të përfshinte shikuesin në botën e tij emocionale dhe me plot rreziqe.

Në fasadën gotike të katedrales, për shembull, statujat nuk janë të bashkangjitura si kolona mbajtëse, siç mund të shihet shpesh në ekuivalentët e saj në Evropën Veriore. Përkundrazi, ato janë figura të pavarura, si aktorë në një skenë – profetë dhe sibila që përkulen dhe anojnë nga njëri te tjetra në një komunikim dinamik. Është e vështirë tani, pas kaq shumë shekujsh, të shikosh poliptikun sienez dhe të mendosh: kur kjo u pikturua, kjo ishte një formë e re artistike; për më tepër, këta shenjtorë, që tani duken të nderuar dhe të lashtë, ishin gjithashtu të rinj, me ikonografinë e tyre ende të hapur për interpretime të ndryshme.

Në Pinacoteca Nazionale në Sienë ndodhet një triptik i pikturuar nga Simone Martini rreth vitit 1324, që paraqet të Bekuarin Agostino Novello [Beato Agostino Novello e storie], një shenjtor eremit me origjinë siciliane, i cili kishte vdekur pranë Sienës në vitin 1309. Agostino kreu një sërë mrekullish të jashtëzakonshme pas vdekjes së tij: ai u hodh nga qielli me një shkathtësi të pabesueshme për të zbutur rënien e një fëmije nga një ballkon që po shembej; u lëshua nga lart për të ringjallur një foshnjë të shqyer nga një qen; parandaloi një udhëtar në një rrugë malore të shkretuar nga shtypja nën peshën e kalit të tij; dhe më e pabesueshmja nga të gjitha, shpëtoi një foshnjë, djepi i së cilës, i lidhur si një hamak, ishte shkëputur nga mbajtëset e veta. Më pak se një gjeneratë ndante këto ngjarje nga piktura. Agostino dhe shenjtorë të ngjashëm ishin forca të reja të fuqishme fetare, trashëgimia e të cilëve mund të promovohej nga piktorët.
Por, ndoshta vepra më dramatike nga të gjitha ishte Maestà e Duccio-s. Ishte një strukturë gjigante dhe komplekse, me dy anë: Virgjëresha zinte vendin qendror në anën e përparme, përballë kongregacionit: engjëjt mbështesnin duart dhe kokat e tyre në pjesën e pasme të fronit të saj, duke e vështruar atë dhe Krishtin foshnjë, me mbrojtje, ndërsa një kordon më i gjerë shenjtorësh qëndronte rreth saj në nderim. Mbi dhe poshtë, majat dhe një predella shfaqnin skena nga jeta e saj. Në anën e pasme, të dukshme për klerin dhe ndoshta vetëm në ditët e shenjta për popullin, fokusi ishte Krishti, me kulmin në kryqëzimin e tij. Predella e përshkruante jetën e tij, nga tundimet e veta, nëpërmjet dasmës në Kana e deri te ringjallja e Lazarit.

Zbulimi dhe shkëlqimi janë të mrekullueshme: këmbëngulja sieneze për përdorimin e materialeve më të mira bën që vepra të gumëzhijë nga ngjyrat energjike edhe sot, dhe e gjithë struktura, me skenat e saj rrëfimtare, kërkon të lexohet e rilexohet për muaj apo vite (është predella e parë e mbijetuar në të cilën skenat individuale lidhen për të treguar një histori më të madhe). Por, është një kujtesë e kthjellët për ndryshimin e shijes për faktin që, në shekullin XVI, kjo strukturë madhështore u degradua në një faltore anësore, ndërsa në shekullin XVIII u pre përmes mesit të saj të hollë, duke ndarë dy anët e pikturuara dhe më pas u copëtua në skena individuale me qëllimin për t’i shitur. Megjithëse shumica e 33 pjesëve të saj ndodhen ende në Sienë [në Museo dell’Opera], pjesët e tjera janë shpërndarë – në dhjetë koleksione në pesë vende. Ribashkimi i pjesëve të mbijetuara të predellës së pasme për ekspozitën në Galerinë Kombëtare, shënon herën e parë kur ato shihen së bashku qëkur u ndanë.

Ajo që nuk mund të shihet në Londër, pasi është një afresk i pikturuar në muret e Palazzo Pubblico në Sienë dhe madje edhe tani është i mbyllur për restaurim, është padyshim një nga veprat më magjepsëse të artit kudo në botë: Alegoria e qeverisjes së mirë dhe të keqe [Allegoria ed effetti del Buono e del Cattivo Governo] e Ambrogio Lorenzettit, e cila zbukuronte dhomën ku dega ekzekutive e qeverisë sieneze mbante mbledhjet e veta.
Një nga gjërat më të mira të kësaj vepre komplekse dhe të jashtëzakonshme është vizioni i saj për një qytet të mirëqeverisur – një qytet i rrethuar me mure, që i ngjan në mënyrë të habitshme Sienës dhe që, nga ana tjetër, mbron një fshat produktiv, të sigurt, të populluar dhe të pakërcënuar, me një zonjë elegante mbi kalë, me gomarë, qen dhe një derr me vija të zeza. Në këtë qytet të mirëqeverisur, ndërtesat janë të mirëmbajtura, rrugët gumëzhijnë nga tregtia, një mace kalon lehtë mbi një parmak të lartë jashtë një dritareje dhe, më prekësja nga të gjitha, një dallëndyshe, e zezë dhe e bardhë si stema e Sienës, kujdeset për folenë që ka ndërtuar nën strehën e një shtëpie.
Në një pjesë tjetër të afreskut, në një kënd të drejtë me qytetin e mirëqeverisur, qëndrojnë Virtytet – Urtësia, Forca, Maturia dhe të tjerat, të gjitha të personifikuara si gra mbretërore. Më e mira prej tyre është Paqja, e cila qëndron e shtrirë në fustanin e saj të gjatë të bardhë, me kokën të mbështetur mbi dorë, me gjethe ulliri që kurorëzojnë flokët e saj, dhe jastëkun e saj të qëndisur me mjeshtëri, të mbështetur mbi armaturën që ka hequr: një tablo e prehjes dhe soditjes, dhe megjithëse fresku mbart një dendësi filozofike të jashtëzakonshme, ajo duket si një grua e vërtetë, e bërë nga mishi, gjaku, mendimi dhe ndjenja. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë
Dhjetë shkronjat që dikur ekzistonin në alfabetin anglez

Veglat e lashta muzikore dhe roli i tyre në trashëgiminë kulturore

In Memoriam: Gene Hackman (1930–2025) - yll në çdo film ku luajti

Shqiptari i parë që diplomoi e doktoroi në Kembrixh, u dënua me vdekje nga Enver Hoxha

Historia e shqiponjës dykrenëshe, flamurit kuqezi dhe himnit shqiptar
Skënderbeu me mbretin e Polonisë dhe Janosh Huniadin

104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

Marrëveshje: Melodia Px dhe Telegrafi Deals janë dakordu që atletet Nike për femra ti ofrojnë për vetëm 69.95€, deri më 09 mars!

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?

Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
Më të lexuarat

Publikohen pamje nga vendi i ngjarjes, ku Gjesti kaloi murin rrethues të shtëpisë së Big Brother

“Grusht shteti”: Kuvendi i Republikës Srpska miraton ligje që ndalojnë punën e disa institucioneve të BeH brenda territorit të saj

U hodh nga ura 92 metërshe në Zambi, australianes i këputet litari – përfundon në ujërat e mbushura me krokodilë

Mediat gjermane raportojnë se vëllai dhe motra e Besar Nimanit dyshohen se kanë shtënë nga vetura e zezë

Analistët: Votat nga diaspora mund të përcaktojnë formimin e institucioneve

Numërohen mbi 67 për qind e vendvotimeve në përfaqësi diplomatike, procesohen rezultatet