Nga: Nevrije Ismaili
1.1 Karakteristikat e epikës
Studiues të ndryshëm të folklorit shqiptar kanë mbajtur qëndrime të caktuara lidhur me përcaktimin gjinor të folklorit, por na duket më i drejtë mendimi që i sheh të gjitha krijimet folklorike të ndara në tri gjini: lirike, epike dhe epiko-lirike apo liriko-epike, në vartësi të mbizotërimit të lirizmit apo të epizmit. Një ndarje e tillë është realizuar mbi bazën e natyrës së mirëfilltë të krijimeve folklorike, bazuar kryesisht në natyrën e teksteve poetike të këtyre krijimeve. Nisur nga ky kuptim, kur praktikojmë termin këngët historike shqiptare, kemi parasysh kryesisht tekstet e këtyre krijimeve. Në lirikë janë përfshirë të gjitha ato krijime që përcjellin apo pasqyrojnë botën e brendshme shpirtërore, ndjenjat dhe përjetimet lirike. Në epikë grupohen të gjitha ato krijime folklorike në të cilat në thelbin e tyre rrëfejnë diçka apo kanë natyrë tregimtare. Ndërsa në krijimet epiko-lirike apo liriko-epike përgjithësisht përfshihen krijime të ndërmjetme midis dy gjinive të para, pra ato krijime, në të cilat krahas natyrës rrëfimtare kemi dhe pasqyrimin e ndjenjave të brendshme lirike. Natyrisht, kufijtë e këtyre gjinive nuk janë dhe nuk mund të jenë të prerë si me thikë, por e rëndësishme është mbajtja parasysh gjatë trajtesave të ndryshme e thelbit të secilit krijim, për ta përfshirë në atë gjini në të cilën ai ndihet më rehat.
Për ne kanë rëndësi krijimet e gjinisë epike. Por meqenëse në këtë gjini mund të përfshihen si krijimet në poezi (natyrisht, në përbërje të një kënge të caktuar), ashtu dhe krijimet në prozë, duhet theksuar se do të jetë në konsideratë gjatë këtij teksti vetëm njëra nga ndarjet e krijimeve epike në poezi. Është fjala për këngët historike, që janë një nga dy ndarjet e mëdha të epikës popullore shqiptare në vargje. Vetë këto emërtime kanë nevojë për t’u zhvilluar, në drejtim të përcaktimit të kuptimit të tyre, pasi duke vënë në mënyrë sa më të prerë e të qartë kufijtë midis tyre do të bëhej edhe më e qartë natyra e këngëve të epikës historike shqiptare.
Për të kaluar më tej në realizimin konkret të ndarjes së krijimeve epike në poezi (natyrisht duke sjellë mendimet e pararendësve që i kanë trajtuar këto çështje dhe duke mbajtur, kur të jetë e nevojshme, edhe një qëndrim kritik) është e nevojshme për të parë pak më gjerësisht disa nga tiparet më të përgjithshme të epikës në vargje. Epikë është një fjalë e ardhur nga greqishtja që përgjithësisht do të thotë fjalë, tregim, këngë. Në këtë linjë duhet thënë se, krahas natyrës rrëfimtare apo tregimtare, këngët epike dallohen apo veçohen për frymën heroike, forcën dhe gjerësinë e frymëmarrjes, rrëfimin objektiv të ngjarjeve të ndryshme, në një mënyrë të shtruar dhe me forcë të brendshme, që duken apo paraqiten të shprehura si së jashtmi. Sipas studiuesit A. Xhagolli arrihet në të gjitha këto përfundime, “ngaqë rrëfimi përgjithësisht realizohet në vetën e tretë, më së shumti, por dhe në vetën e dytë”.[1] Pikërisht mbi këtë bazë nisjeje i njëjti studiues sheh edhe një nga dallimet e krijimeve epike nga baladat, duke theksuar se përgjithësisht në këto të fundit pjesa rrëfimtare është e dhënë në vetën e parë.[2]
Studiues të ndryshëm në kohë të ndryshme janë përpjekur që të sjellin mendimet e tyre lidhur me dallimet e brendshme në epikën poetike, duke sjellë tiparet e karakteristikat e dy llojeve përbërëse. Është pohuar se njëra pjesë e krijimeve epike ka në thelbin e vet natyrë apo karakter legjendar, ndërsa pjesa tjetër ka si tipar kryesor pasqyrimin e ndërgjegjes historike. Por na duket se përcaktimi i bërë për mënyrën e dallimit të këtyre dy llojeve mbi bazën e tipit të mendimit poetik është nga më të formuluarit drejt dhe nga më të pranueshmit.[3] Një rishikim i kritereve dhe i ndarjeve konkrete të epikës popullore shqiptare do të bënte të mundur edhe më mirë përcaktimin e objektit të këtij studimi, veçimin e këtij lloji folklorik që do të trajtojmë. Përgjithësisht është pranuar nga folkloristët shqiptarë se epika historike shqiptare paraqitet si kalim gradual apo si vazhdimësi e epikës legjendare, natyrisht, me mjete të tjera shprehëse strukturore dhe artistike. Për më tepër, E. Mehmeti, duke bërë fjalë për raportet midis këngëve legjendare dhe historike, ndër të tjera, shprehet se “nga kënga e moçme epike ose kënga legjendare del kënga e e re epike ose kënga epike e tipit historic e cila me trajtën e vet të pastër që e ka arritur në periudhën e Rilindjes Kombëtare e mohon këngën epike të tipit legjendar”[4]. Mbi këtë bazë konceptuale, që e pranojmë si të logjikshme, do të përcaktojmë saktësisht objektin e studimit tonë.
1.2 Dallimet
Epikë legjendare/Epikë historike
Duhet thënë që në fillim se krijimet epike në poezi kanë zanafillë të hershme. Natyrisht, kjo hershmëri krijimi ka bërë që fillimisht të ishte mbizotërues konceptimi i ngjarjeve në mënyrë të jashtëzakonshme, kryesisht përmes operimit me fantastiken, por duke lëvizur edhe brenda kufijve të gjasës apo të mundësisë. Me zhvillimet e përgjithshme shoqërore ky tip i pasqyrimit të një realiteti të caktuar, gradualisht filloi të përftohej jo më me anë të formësive apo të operimeve me elementet përbërëse të së jashtëzakonshmes, por kaloi në plane apo në nivele më tokësore, më realiste. Përgjithësisht nuk kishte më veprime, ngjarje apo personazhe të jashtëzakonshme, por operohej me të vërteta që kushdo i njihte apo i përjetonte. Në se te këngët e epikës legjendare kemi të bëjmë me një fond shoqëror-historik ende të papërcaktuar mire, me figura heronjsh ende të paindividualizuara dhe të padiferencuara në aspektin shoqëror[5], mund të thuhet me bindje se te këngët historike kemi të bëjmë, para së gjithash, me një fond shumë të përcaktuar historiko-shoqëror, personazhet janë të individualizuara dhe shumë konkrete. Siç pohon Q. Haxhihasani, një nga folkloristët më të spikatur shqiptarë, duke bërë fjalë për këngët historike, “Në to nuk ka asgjë të sajuar, të shpikur, por ngjarje dhe situata të jetuara realisht. Kënga e popullit i paraqit këto, vërtet sipas ligjit të pasqyrimit artistik të realitetit, por këtë e bën duke qëndruar ngushtësisht brenda caqeve të së vërtetës historike. Ajo nuk del jashtë procesit historik, përkundrazi lind si kërkesë e tij dhe bëhet në një vështrim, dokumentim i tij”[6].
Duhet thënë se fillimet nuk ishin kaq të prera si me thikë, ndaj në krijimet më të hershme të epikës historike shqiptare ndeshet edhe ndonjë element i së jashtëzakonshmes. Pra, duhet pranuar se gradualisht u kalua nga një mendësi dhe mendim imagjinar, në një mendësi dhe mendim konkret, faktik, gjithnjë të paraqitur artistikisht. Realisht, e pranojmë se pikërisht në këtë çast kemi kalimin nga një lloj kënge në një tjetër, pra nga epika legjendare në epikën historike, ndonëse të dyja kanë bashkëjetuar deri vonë në hapësirat e ndryshme të jetës folklorike shqiptare. Lidhur me këtë mendim do të pajtoheshim me përfundimin e drejtë të E. Mehmetit se “kënga epike legjendare, duke e humbur funksionin dhe misionin e vet, së paku nga fillimi i shekullit nëntëmbëdhjetë e përfundon periudhën produktive. Në kushte dhe në rrethana të reja historike, nga gjysma e dytë e shek. XVIII dhe sidomos në shek. XIX, kulmon modeli historik i poezisë epike gojore”[7].
Me të drejtë A. Uçi këtë kalim e lidh me ndryshimin e tipit të mendimit poetik, duke përcaktuar si karakteristik për epikën legjendare tipin e mendimit poetik legjendar, ndërsa për epikën historike, tipin e mendimit poetik historik.[8] Duket qartë se kalimi nga njëri tip kënge te tjetri është kryer nga që “Modeli epik historik i poezisë gojore në këto rrethana (të sjella më lart –N. I.) di t’i shprehë më mirë kërkesat dhe aspiratat aktuale të kohës”[9]. Në këtë mënyrë është bërë, si të thuash, edhe vetë klasifikimi i lëndës poetike epike, është përcaktuar vetë kriteri i klasifikimit. Për më tepër, A. Uçi thekson: “Mendimi legjendar dhe mendimi historik janë dy tipa mendimi poetik, që dallohen si në planin diakronik, ashtu edhe për nga mënyrat e ndryshme të pasqyrimit të përvetësimit artistik të realitetit”[10].
Por studiuesit e kanë zgjeruar edhe më shumë këtë dallim të dy llojeve të poezisë popullore epike, duke u ndalur edhe në tipare të tjera. Kështu, E. Mehmeti thekson se “karakteri i heroikës në këngën kreshnike ndryshon dukshëm nga ai i këngës epike me syzhe historik. Heroizmi i këngës kreshnike dallohet nga ai i këngës historike ngase është heroizëm individual, fisnor, krahinor dhe historikisht i papërcaktuar. Kurse heroizmi i këngës historike nuk është i ngushtë, fisnor, krahinor, dhe individual, por heroizëm i përgjithshëm kombëtar dhe historikisht i njohur, heroizëm kolektiv i masave të gjera popullore apo i individit i cili sakrifikohet për interesa kolektive kombëtare”[11]. I njëjti studiues përcakton edhe ndonjë dallim tjetër. Ai shprehet se “Në këngët historike, karakteri realist i tyre vetvetiu e përjashton hiperbolizimin. Mirëpo kjo nuk do të thotë në asnjë mënyrë se e madhërishmja nuk është e pranishme në këtë lloj kënge”[12]. Për më tepër, ai e zbërthen mënyrën e procedimit me të madhërishmen në këngët historike duke thënë se atë “e përbën, sidomos, përkushtimi heroik i protagonistëve ndaj aspiratave dhe idealeve popullore dhe kombëtare për pavarësi, për liri dhe çlirim nga pushtuesit. Prandaj, në modelin epik historik e madhërishmja nuk del si sasi e pakufishme si në këngët kreshnike, e cila me masën e vet zgjon ndjenjën e përjetimit estetik. Përkundrazi, në këngën historike virtytet morale të heronjve shprehin të madhërishmen”[13].
Gjatë këtij studimi monografik, objekt i punës sonë është pikërisht tipi i dytë i epikës, këngët e epikës historike, me të cilat do të kuptojmë të gjitha ato krijime folklorike ku operohet me tipin e mendimit poetik historik. Natyrisht, krahas këtij definimi më të përgjithshëm ka edhe një numër elementesh të tjera karakteristike të epikës historike, të cilat në tërësinë e tyre e përcjellin këtë lloj kënge si të veçantë. Me të drejtë, folkloristi Q. Haxhihasani, duke bërë fjalë për këngët historike te shqiptarët, ndër të tjera, ka vënë në dukje se ato kanë përpunuar mjetet e veta të kompozicionit. Ai, duke i sjellë në mënyrë të përgjithësuar, përcakton konkretisht midis këtyre mjeteve: Vërtetësia artistike, karakteristike në trajtimin e ngjarjeve, që përshkon të gjithë arkitekturën e këngës; kristalizimi i disa mënyrave të veçanta në hyrjet e këtyre këngëve, si: përcaktimi i mjedisit dhe i kohës kur ndodhin ngjarjet; gdhendja e hollësive të fakteve historike; dhënia e profilit moral dhe luftarak të heronjve; kalimi në rrjedhat e ngjarjeve, dhënia e përfundimeve dhe pasojat e tyre. I njëjti studiues thekson se mbi këtë bazë janë ndërtuar dhe karakteristikat e brendshme të formës artistike të këngëve historike shqiptare, si: figuracioni poetik, struktura e vargut, refrenet, rimat etj.[14]
Duke qenë plotësisht të një mendjeje me këto përfundime, më poshtë do të ndalemi shkurtimisht në dhënien pikërisht të këtij tipi të mëvetësishëm të epikës popullore shqiptare, me qëllim që operimi i mëtejshëm të jetë në një kuadraturë të paracaktuar qartësisht.
1.3 Kënga historike
Tip i veçantë i epikës popullore
Këngët historike është një term i praktikuar mjaft nga studiuesit, kryesisht pas Luftës së Dytë Botërore. Më përpara janë përdorur terma të tjerë. Midis të tyre, shënojmë se te dorëshkrimi i Kieutit këto këngë i gjejmë të emërtuara Këngë të pleqërisë; Te De Rada – Këngë tradicionale; te Mitkoja – Këngë shqipe trimërishte; te Dozoni – Këngë lufte; te “Visaret e Kombit” gjejmë dy emërtime, Kangë trimnie dhe Kangë burrnie etj.[15] Emërtime të caktuara për këtë lloj kënge gjejmë dhe në popull. Sipas krahinave të ndryshme ka dhe emërtime të ndryshme, të tilla, si: këngë trimash, burrash, kapedanësh, kaçakësh etj.
Në thelb, pavarësisht nga emërtimet e ndryshme, të gjitha këto krijime folklorike i përbashkon fakti se në to bëhet fjalë për ngjarje, personazhe, vende konkrete dhe kohë të përcaktuara, të natyrës historike. Shkurtimisht mund të themi se krijimet e epikës historike përcjellin një formë të pasqyrimit të të vërtetave nëpërmjet veshjeve artistike, realitete të identifikuara historikisht. Si tipar dallues kryesor të këtyre këngëve Koliqi thekson “sensin realist, përshkrimin preciz dhe sintetik”[16]. Q. Haxhihasani lidhur me përcaktimin e këngës historike si një tip i dallueshëm nga të tjerët, shprehet se ky tip mendimi ka përcaktuar edhe mjetet e veta të kompozicionit. Sipas tij “Vërtetësia artistike që karakterizon trajtimin e ngjarjeve, përshkon gjithë arkitekturën e këngës. Janë kristalizuar p.sh. disa mënyra të veçanta në hyrjen e këtyre këngëve, ku fiksohet mjedisi historik në të cilin zhvillohen ngjarjet. Me hollësirat më të mëdha jepen shpeshherë këtu viti, muaji, dita, vendi, koha etj. kur ndodhin ngjarjet. Me të njëjtin kujdes gdhenden hollësitë e fakteve historike, profili moral dhe luftarak i heronjve, rrjedha e ngjarjeve, përfundimi dhe pasojat e tyre”[17]. Mendojmë se ky studiues me të drejtë ka arritur në përfundimin se pikërisht “Mbi këtë bazë janë ndërtuar edhe karakteristikat e brendshme të formës artistike – figuracioni poetik, struktura e vargut, refrenet, rimat etj.. Këto veçori i japin këngës sonë historike një fizionomi të veçantë që e bën të dallohet në mënyrë të qartë prej llojeve të tjera të këngëve brenda fondit poetik kombëtar”[18].
Pak a shumë në të njëjtën linjë është edhe mendimi i A. Shmausit kur thotë për këngët historike se në to “këndohen ngjarje të vërteta, sidomos me karakter vendës nga koha e re, madje shumë e re”[19]. Për më tepër, i njëjti autor shton se këto krijime mbështeten në realitetin objektiv “tue u ba këso dore nji pasqyrë besnike e rethanave politike dhe shoqnore, dhe njikohësisht nji pasqyrë e mënyrës se qysh mendojnë Shqiptarët dhe qysh këta e gjykojnë vleftën e saj”[20].
Këtu është e nevojshme që të ndalemi dhe në parashtrimin e një dukurie të vënë re në këngët historike, si një element i rëndësishëm, mbi bazën e së cilës kemi realizuar skemën tonë klasifikuese përgjatë këtij studimi. Me të drejtë studiuesi S. Fetiu, kur ka folur për zhvillimin e këngës historike shqiptare, ka vënë në dukje se “Edhe në aspektin e strukturës kompozicionale këngët historike shqiptare ndryshojnë varësisht nga periudha e caktuar historike”[21]. Kjo do të thotë se kënga historike, si vazhduese e këngës epike legjendare, ka ruajtur lidhjet me të jo vetëm në fillesat e këtyre kalimeve, por edhe në rrjedhat e historisë, duke krijuar struktura të veçanta, në raporte krahinore apo më të gjera.
Pikërisht një mbështetje apo vazhdimësi e tillë, mendojmë që e krijon realisht një diferencë të caktuar brendapërbrenda llojit të epikës historike te shqiptarët. Kështu p. sh., në ato hapësira ku ka qarkulluar eposi heroik shqiptar është më e kuptueshme edhe ruajtja e frymës së këtij lloji folklorik te këngët e epikës historike. E kundërta ndodh në ato hapësira ku ka munguar, në bazë të gjetjeve të derisotme, kënga e eposit heroik legjendar, dhe duke munguar një përvojë e tillë, është kaluar në një strukturë tjetër, të pandikuar nga përvoja e eposit heroik legjendar. Duke e njohur dhe duke e pranuar këtë realitet, krijohet edhe një pikë mbështetëse apo mundësohet edhe diferencimi klasifikues i kësaj lënde folklorike, krahas edhe funksionimit dhe përcaktimit të veçorive të tjera.
Nga sa u tha del e qartë se lidhjet epikë legjendare – epikë historike, por dhe dallimet midis tyre, janë të natyrave të ndryshme. Por, ndër të gjitha këto lidhje apo dallime, më e rëndësishme për studimin tonë është të zbulohet apo të përcaktohet periudha e filleve të epikës historike, caku kohor gjatë të cilit u realizua një tip i ri kënge që, gjithsesi, nuk mundej dhe nuk mundi të shkëputej plotësisht nga paraardhësja e vet. Jo vetëm kaq, por duhet pohuar se pranimi i këtyre ndërlidhjeve nuk ka të bëjë vetëm me fillimet e kalimit nga epikë legjendare në epikë historike, por normalisht, në trajta më të zbutura dhe më të reduktuara, ndikimet kanë vazhduar gjatë, ndonjëherë deri në ditët tona.
1.4 Fillet e epikës historike
Natyrisht, për arsye tashmë të ditura, na mungojnë dëshmi konkrete (regjistrime të këngëve të epikës historike në periudha që ta kalojnë cakun kohor tashmë të njohur nga botimet e derisotme), të cilat të hedhin dritë të plotë rreth filleve të epikës historike shqiptare. Ndaj janë shprehur edhe mendime të ndryshme rreth fillesës së epikës historike te shqiptarët. Megjithëse një nga karakteristikat e këngëve historike është pasqyrimi i drejtpërdrejtë, i atypëratyshëm i ngjarjes, prapëseprapë ka dhe raste, në të cilat shihet mirëfillti, se ka këngë historike që mund të mos jenë krijuar në të njëjtën kohë me ngjarjen. Kjo do të thotë se jo gjithnjë ka përputhje kohore midis këngës dhe ngjarjes dhe, si rrjedhojë, ngjarja mund të jetë e hershme, por kënga nuk përkon si ngjizje dhe praktikim me atë kohë që ka ndodhur ngjarja e trajtuar nga kënga.
Ndofta, nisur edhe nga një realitet i tillë, autorë të caktuar e lidhin apo na e sjellin epikën historike shqiptare që nga periudha shumë të hershme, siç është p.sh., ajo e Bizantit. F. M. Rrapaj në një nga vëllimet e botuara me krijime folklorike përfshin edhe krijime që bëjnë fjalë për Pirron e periudhës ilire[22]. F. Çaushi boton një studim të veçantë për një këngë të hershme që, sipas tij, ka shtegtuar në shekuj[23]. D. Shala thotë se “Epika jonë popullore historike pa dyshim është shumë më e vjetër se sa ardhja e turqve në Ballkan”[24]. Autorë të tjerë, përkundrazi, këngën historike shqiptare nuk e shpien më tutje se sa shekulli XVIII. Kështu p.sh., A. Shmausi, duke shkruar për këngët historike të shqiptarëve pohon se “Këto mërrijnë, me subjektet dhe me kreshnikët e vet, deri në shekullin XVIII. Këto shoqnojnë ngjarjet politike, sidomos ato të historis vendase dhe të fisit rreth shekullit XIX; ato ma të rejat janë asosh qi trajtojnë ngjarje ndërmjet dy luftave të mëdhaja botnore, dhe ma në fund ngjarje të luftimeve partizane”[25]. Studiuesi P. J. Ruches në një botim të vetin shprehet se tekstet që ai analizon përfshijnë një periudhë 227 vjeçare, duke filluar me vitin 1716. Pra, ai le jashtë vëmendjes, nuk e dimë arsyen e vërtetë, këngët arbëreshe për Skënderbeun, si dhe këngët për luftën e 1389. Dhe duhet thënë se pohimin e mësipërm ai e bën në vitin 1967[26], ndërkohë që ishin realizuar në një masë të konsiderueshme botime të këtyre krijimeve folklorike.
Besojmë se të dyja këto qëndrime që i përmendëm nuk janë gjithaq të përligjura. Dëshmi të ndryshme historike të besueshme, vetë lënda folklorike të dikton të mbash qëndrim për të hedhur më mirë dritë rreth filleve të epikës historike shqiptare. Nuk do të ishim të mendimit se këngët historike shqiptare zënë fill që në stade shumë të hershme të shoqërisë parashqiptare. Ky pohim ka të bëjë, përveç të tjerash, edhe me faktin e pohuar nga folkloristë të ndryshëm, që pranojnë se kënga historike nuk mund të ketë jetëgjatësi më të madhe se sa 200 – 250 vite maksimumi, e kjo nga që lindin dhe përfshihen në qarkullimin folklorik krijime të reja, që trajtojnë ngjarjet bashkëpërcjellëse të asaj shoqërie. Vetë gjedhet pararendëse shfrytëzohen dhe shërbejnë si traditë krijuese folklorike. Me të drejtë A. Shmausi, duke bërë fjalë për këngën historike, shprehet se “Ajo përcjell ndodhitë historike këmba këmbës dhe përfshin po me atë intensitet dhe vetëdijen mbi të tanishmen si ngjarjet lokale, ashtu dhe ndodhitë më të gjera që kanë rëndësi të përgjithshme”[27]. Po kështu, mendojmë se një tip mendimi poetik përgjithësisht ekziston me aktin e vet të krijimit përderisa nuk ka dalë një tip tjetër mendimi poetik. Vetë kalimi nga mendimi poetik legjendar në mendimin poetik historik nënkupton krahas shmangies së njërit edhe rifutjen dhe gjallërimin e tjetrit, natyrisht, pa pretenduar për një ndarje të tyre si me thikë.
Nga ana tjetër, nuk mund të pajtohemi as me mendimet që i lidhin fillimet e këngës historike shqiptare vetëm me shekullin XVIII. Parë në këtë mënyrë, kënga historike shqiptare rezulton të ketë filluar praktikimin e vet shumë vonë. Mirëpo në kundërshtim me pohimin e mësipërm na vijnë një numër dëshmish historike, të cilat pohojnë bindshëm se, të paktën, që në shekullin XV kanë qarkulluar këngë historike te shqiptarët. Sjellim në vëmendje dëshmi të bashkëjetuesve të Skënderbeut apo të një periudhe shumë të afërt me të, të cilët kanë pohuar se ata vetë kanë dëgjuar këngë për Heroin shqiptar. Po kështu, edhe vetë lënda folklorike përkatëse dëshmon bindshëm në të mirë të pohimit tonë. Këngët historike, të regjistruara te arbëreshët e Italisë, nuk mund të ishin gjë tjetër veçse një marrje nga trojet e shpërnguljeve dhe praktikim në kushtet e reja. Mëdyshja e Shmausit në se shqiptarët kanë pasur para shekullit XVIII këngë trimërie të tipit të vjetër, nuk gjen asnjë lloj diskutimi kur është fjala për këngët historike. Ndër të tjera, ai shkruan: “Shqiptarët atëherë d..th. në shekullin XV, kanë krijue nji epikë të veten në sfondin e madh historik të luftës kundra Turqvet. Për ketë gja, sambas mendimit t’em, na vlen si shembull poezija popullore e Arbreshvet”[28].
Nisur nga këto premisa, të paktën, duke filluar me periudhën e Skënderbeut nuk mund të përjashtohet epika historike shqiptare. Do të sillnim këtu edhe pohimin e S. Skëndit, i cili duke bërë fjalë për raportet e këngëve heroike midis sllavëve të jugut dhe shqiptarëve, pohon se “asnjë gjurmë e poezisë heroike jugosllave nuk gjendet para shekullit të gjashtëmbëdhjetë. Ka arsye të forta të besohet, që këngët shqiptare të arbëreshëve të Italisë janë më të vjetrat. Ato trajtojnë rezistencën e shqiptarëve kundër turqve në shekullin e pesëmbëdhjetë dhe zbulojnë një shoqëri të krishterësh e zotërish të vendit, karakteristike për Shqipërinë e asaj periudhe”[29]. Edhe M. Lamberci pohon: “Më interesante midis këngëve popullore të kolonive shqiptare të Italisë janë ato që përmendin trimëritë e Kastriotit, ato që lartësojnë shokët e tij heroikë, ato që u frymëzuan nga urrejtja për pushtuesin turk dhe nga brengat e mërgimit. Këto këngë janë shumë të çmueshme për lashtësinë e tyre dhe për vlerën e tyre historike, sepse përveç që janë prodhimi më i mirë i letërsisë popullore shqiptare, janë edhe dëshmi të vërteta të asaj periudhe epike që filloi me luftën kundër dyndjeve të hordhive osmane në Gadishullin Ballkanik dhe mbaroi me mërgimin e dhimbshëm”[30].
Dhe, në të vërtetë, edhe nga të gjitha pohimet e sjella, natyrisht jo të plota dhe në mënyrë shteruese, është më i pranueshëm mendimi se këngët historike të arbëreshëve të Italisë janë produkte të kohës heroike, dhe, si rrjedhojë, edhe fillet e epikës historike shqiptare në tërësi mund të lidhen pikërisht me këtë periudhë. Le të sjellim si përforcues të këtij pohimi gjykimin e studiuesit të mirënjohur shqiptar, E. Çabeit. Ndër të tjera, ky studiues i afirmuar, pohon: “Arbëreshët e Italisë të shpërngulur nga vende të ndryshme të Shqipërisë e të Moresë në një nga kohërat më të rënda të historisë shqiptare, bartën me vete dhe ruajtën doket dhe zakonet e të parëve duke mbajtur të gjallë gjatë shekujve mbiemrat e familjeve, kostumet, besimet, këngët e lashta, valet, po mbi të gjitha gjuhën, një toskërishte e tipit më të vjetër”[31].
Mirëpo problemi që ka të bëjë me përcaktimin e filleve të epikës historike shqiptare, në të vërtetë, është i lidhur edhe me një krijim tjetër, pikërisht atë që bën fjalë, në variante të ndryshme, për betejën Kosovës më 1389. Dihet se përplasja midis forcave osmane dhe atyre të koalicionit ballkanik është reale, përbën fakt historik. Nga ana tjetër, deri më sot nuk është vënë në mëdyshje se arketipi i këngës që bën fjalë për Luftën e Fushë-Kosovës i përket pothuajse së njëjtës periudhë që ka ndodhur edhe ngjarja, pavarësisht nga zanafilla. Kështu, Gj. Zheji, kur ka folur për sistemin tonik, që ai e ka konsideruar si fazën më të hershme të vargëzimit në folklorin shqiptar në përgjithësi, si shembull merr pikërisht këngën që po trajtojmë, duke u shprehur për të se është “këngë që duhet të jetë moshatare me këtë betejë dhe që është mbledhur më 1912”[32].
Edhe shumë studiues të tjerë i përmbahen këtij mendimi, duke pranuar se me këngët për Luftën e Fushë-Kosovës zë fill epika historike shqiptare. Q. Haxhihasani duke bërë fjalë për këngët shqiptare për luftën e Kosovës, shprehet se ato “përbëjnë një dëshmi që flet nga këndvështrimi i saj për lashtësinë e krijimit, po edhe për autoktoninë e popullatave shqiptare në këto treva”[33]. A. Uçi e përcakton periudhën e shekujve XIV – XV si një fazë të re zhvillimi kur “Epoka e luftërave kundër dyndjes e pushtimit osman përbën kontekstin e ri historiko-shoqëror, në suazë të të cilit lindi epika heroike historike shqiptare”[34].
Përcaktimet që kanë të bëjnë me fillet e epikës historike shqiptare janë të rëndësishme, pasi në këtë mënyrë përcaktohet saktësisht objekti i trajtimit. Vetëm pas tyre mund të realizohen të gjitha llojet e klasifikimit të kësaj kënge në përgjithësi. Jo vetëm kriteri kronologjik i klasifikimit, i cili e ka të domosdoshme një përcaktim të filleve të epikës historike (pasi vetëm në këtë mënyrë mund të fillojë realisht mbarështrimi apo trajtimi i lëndës folklorike përkatëse), por edhe kriteri që ne kemi parapëlqyer për studimin tonë e ka të nevojshme të operojë paraprakisht me këtë paracaktim. Kështu mund të hidhet dritë plotësisht në atë qerthull problematikash që ngërthen vetë epika historike shqiptare në tërësinë e vet. Por besojmë se, pikë së pari, është e nevojshme që të ndriçohet edhe diçka tjetër. Realisht, të gjitha krijimet folklorike kanë të bëjnë me historinë e zhvillimit të shoqërisë njerëzore, ato e përcjellin historinë në mënyra të caktuara. Por, për epikën historike raporti i saj me faktin historik është i një natyre tjetër, është një lidhje më e pranueshme dhe më e drejtpërdrejtë.
Ndonëse elemente të një lloji tjetër folklorik, konkretisht të epikës legjendare, mund të vazhdojnë të ekzistojnë dhe në llojin e epikës historike, kjo nuk do të thotë se janë e njëjta gjë. Do të mjaftonte të sillnim këtu pohimet e A. Budës, historianit të njohur shqiptar, që duke bërë fjalë për raportet epikë legjendare – epikë historike, ndër të tjera, shprehet se “Nuk duhet harruar, për më tepër, se fenomenet arkaike kanë një jetë të gjatë dhe, në formë reliktesh pak a shumë të gjera ose të izoluara, rrojnë deri në ditët tona në bashkëjetim me formacione më të reja”[35].
Nga ky përfundim që ka arritur të shprehë profesori i nderuar, mund të themi se lidhjet e krijimtarisë folklorike me historinë mund të jenë si të drejtpërdrejta në kohë, ashtu dhe në distancim të plotë apo relativ me të, natyrisht duke mbajtur parasysh karakterin artistik të këtij pasqyrimi. Por kur është fjala për këngët e epikës historike, duhet pasur parasysh se për to është karakteristik procedimi i atypëratyshëm apo dhe pak më i distancuar në kohë. Rimarrjet e historisë, përkatësisht të ngjarjeve apo të figurave të caktuara historike, për t’u trajtuar nga kënga historike shqiptare janë vetëm dukuri të kohëve të fundit dhe jo karakteristikë e tyre në vazhdimësi. Sa për ilustrim të këtij pohimi le të kujtojmë se me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut u krijuan edhe një numër këngësh të reja kushtuar atij dhe periudhës që përfaqësonte. Por këto krijime të reja përgjithësisht ishin jo në vazhdën e krijimtarisë së epikës historike në përgjithësi. Ndaj, për të gjitha këto sa thamë, rreth këtyre lidhjeve folklor, posaçërisht këngë historike – histori duhet hedhur dritë, pasi vetëm pas kësaj do ta kishim të mundur të shihnim ecurinë e këngës historike.
1.5 Kënga historike dhe historia
Kur flitet për këngët historike, natyrisht, mendja të shkon vetvetiu te raportet reale që ekzistojnë midis krijimit folklorik të epikës historike dhe vetë faktit të mirëfilltë historik. Kjo ngaqë epika historike, edhe siç e shprehëm më lart, realizon pasqyrimin artistik të faktit historik. Me fjalë të tjera, do të përmendnim se kënga historike nuk bën fotografimin e realitetit historik, natyrisht, të përbërësve të tij, ngjarje apo figura të caktuara, por i përcjell ato në formën e një trajtimi artistik. Me të drejtë folkloristët shqiptarë më shumë i janë përmbajtur mendimit se “Kënga historike nuk riprodhon realitetin me gjuhën e dokumentit historik. Marrëdhëniet e saj me faktet janë të një natyre të veçantë; ajo ka si specifikë të saj pasqyrimin e jetës me mjete artistike”[36]. Mirëpo ka pasur dhe ka raste që këngës historike i janë dhënë edhe tipare të tjera, që e lidhin apo e njësojnë me dokumentin historik. Duke bërë fjalë për këngët shqiptare origjinale S. Skëndi pohon se “Ato janë si një kronikë”[37].
Mendojmë se është e vërtetë që këngët e epikës historike, duke qenë se bëjnë fjalë për ngjarje, personazhe, vende konkrete, të natyrës së mirëfilltë historike, duke përcaktuar qartë lidhjen e tyre me një kohë konkrete, reale dhe me një hapësirë të qartë, jo të natyrës imagjinare, pasqyrojnë një realitet të identifikuar nga pikëpamja historike. Në to përgjithësisht ka shumë dëshmi, përmendje emrash, faktesh, vendesh etj., të cilat në tërësinë e tyre i japin këngës historike një natyrë disi më pak poetike, me një figuracion disi më të varfër, po ta krahasojmë me këngët e epikës heroike legjendare. Një gjë e tillë mendojmë se ka të bëjë me vetë ndryshimin e tipit të mendimit poetik. “Vetëdija historike, e trupëzuar në epikën historike, paraqitet si pasqyrim me vërtetësi historiko-artistike ngjarjesh, situatash, epokash, personalitetesh konkrete, reale historike”[38].
Krahas, do të shtonim se këngët historike vijnë jo si tekste të veçanta poetike, por në mpleksjen, fuzionimin, bashkëjetesën e tyre artistike me meloditë përkatëse dhe e kanë ekzistencën e tyre pikërisht në këtë sinkretizëm. Edhe kur kemi të bëjmë me tekste të veçanta, të cilat nuk mbartin shumë vlera poetike artistike, në të vërtetë nëse i dëgjon bashkësia apo komuniteti, i pëlqen, i vlerëson, ai i përfshin në qarkullim, pasi në sinkretizëm tingëllojnë krejt ndryshe nga ç’mund të përftohet thjesht në një lexim teksti. Ndaj kënga historike, ashtu si për gjithë folklorin, duhet vlerësuar si e tillë, në tërësinë e vet sinkretike.
Ka dhe një problem tjetër që lidhet me vlerësimin apo me përcaktimin e këngës historike, qoftë dhe në mënyrë figurative, si anale, kronikë historike, biografi e autobiografi e historisë së popullit. Në të gjitha këto përcaktime, që në një farë mënyre shprehin edhe një mungesë të konceptimit të këngës historike, krahas llojeve të tjera folklorike, si art sinkretik, ka një pasaktësi që buron nga mosmbajtja parasysh e vetë ligjësorive të folklorit. Kënga historike nuk mundet që të jetë e tillë, siç na vjen nga përcaktimet e mësipërme, nga që dhe ajo është në vartësi dhe e kushtëzuar prej bashkësive apo komuniteteve, të cilat e përfshijnë në qarkullimin folklorik. Një pranim i tillë i jetës së folklorit në përgjithësi, do të thotë, ndër të tjera, se për të njëjtin fakt historik mund të ketë një numër këngësh historike me shpalosje apo trajtesa në këndvështrime krejt të ndryshme apo të kundërta.
Lidhur me këtë A. Xhagolli pohon me të drejtë se “Kënga historike përzgjedh ato ngjarje, momente, figura që lidhen dhe pasqyrojnë interesat e komunitetit ku praktikohet krijimi folklorik”[39]. Për më tepër, i njëjti studiues vazhdon ta zbërthejë raportin fakt historik – këngë historike me shmangien që kjo e fundit mundet t’ju bëjë fakteve të caktuara historike, me një peshë e domethënie në jetën e një shoqërie në tërësi. “Ndaj ndodh që ato (ngjarjet historike –shënim i N. I.),edhe kur janë me shumë peshë në historinë kombëtare, të mos zënë vend apo të jenë të rastësishme në krijimet e epikës historike. Kështu p.sh., Kongresi i Lushnjës (1920) përbën një ngjarje madhore në historinë kombëtare shqiptare, ndërsa epika historike paraqitet pothuajse e painteresuar”[40].
Do të thoshim se jemi plotësisht dakord me mendimin realist të A. Xhagollit kur bën fjalë për raportet e faktit historik me këngën historike. Ndër të tjera, ai shprehet: “Çdo pasqyrim artistik folklorik nuk është thjeshtë një fotokopjim i realitetit. Arti folklorik, si një dukuri sinkretike, në tërësinë e përbërësve të tij është një njësi artistike. Kjo do të thotë se autori kolektiv, në proceset folklorike, pas aktit të fillesës krijuese individuale, pranon dhe përfshin në qarkullim folklorik ato krijime që ai parapëlqen, pavarësisht nga rëndësia dhe vlerësimi i këndvështrimit të kronikanit, pjesëmarrësit apo vëzhguesit në ngjarje, dokumentit historik”[41].
Së fundi, duke bërë përcaktimet dhe vlerësimet e mësipërme nuk e mohojmë apo dhe nuk e përjashtojmë krejtësisht ndihmesën e folklorit në përgjithësi dhe të epikës historike në veçanti për historinë apo për historianin, aq më tepër në rastet kur mungojnë dëshmitë e nivelit dokumentues historik. Jemi të mendimit se veçanërisht në raste të tilla, në mungesë të fakteve të mirëfillta historike, historiani duhet të mbajë parasysh apo të mbështetet te kënga historike, si një burim i rëndësishëm informativ, por duke pasur gjithnjë parasysh se kemi të bëjmë me dukuri jo të drejtpërdrejta, por me pasqyrime artistike.
Me të drejtë Q. Haxhihasani, duke bërë fjalë pikërisht për raportin fakt historik – këngë historike, ndër të tjera, pohon: “Kënga nuk riprodhon realitetin me gjuhën e dokumentit historik. Marrëdhëniet e saj me faktet janë të një natyre të veçantë; ajo ka si specifikë të saj pasqyrimin e jetës me mjete artistike. Megjithëkëtë, për vetë parimet e përmendura të krijimit të saj, në këngën historike jepen kaq të dhëna mbi karakterin dhe zhvillimin e konflikteve, psikologjinë dhe botën shpirtërore të personazheve, marrëdhëniet shoqërore, sistemin ekonomik administrative, ushtarak të kohës, etj., saqë e bëjnë atë një dëshmi me interes në mbështetje të historisë”[42].
Jemi të mendimit se vetëm me konceptime të tilla mund të vlerësohet drejt kënga historike, duke e parë atë, së pari dhe kryesisht, si krijim artistik. Natyrisht, edhe vlerat e tjera të këngës historike, kryesisht ndihmesa e tyre për historinë, nuk do të duhej të shpërfilleshin. Në kushtet që për shqiptarët kanë munguar në një masë të konsiderueshme dëshmitë e shkruara apo burime të mirëfillta të natyrës historike, duhet pranuar se kënga historike mund të shërbejë edhe si një burim informacioni për vetë historinë.
E theksuam këtë të vërtetë shkencore, pasi në thelb mbi bazën e saj krijohen premisat për klasifikimin e këngëve të epikës historike, jo thjesht duke u nisur nga kriteri kronologjik i ngjarjeve apo i veprimit të figurave të ndryshme historike, por për të parë dhe mundësinë e funksionimit të kritereve të tjera klasifikuese, nisur pikërisht nga funksionimi i këtyre krijimeve si art sinkretik.
1.6 Kriteret e klasifikimit të epikës historike
Siç e kemi përmendur edhe më lart, deri më sot klasifikimi i lëndës folklorike të epikës historike është realizuar kryesisht mbi bazën e kriterit kronologjik të renditjes së secilës këngë, kombinuar në raste të caktuara edhe me një ndarje tematike të përgjithshme, pavarësisht nga natyra, karakteri, struktura, mënyra e funksionimit. Ky konstatim është shumë i dukshëm duke u nisur edhe thjesht nga një vështrim i kritereve mbi bazën e të cilëve është mbarështruar e gjithë lënda në vëllimet e korpuseve të epikës historike që i përmendëm më lart, të botuara në Tiranë dhe në Prishtinë. Kështu, në 3 vëllimet e botuara në Tiranë gjejmë renditjen e këngëve historike sipas kësaj skeme: Vëllimi i parë përfshin fillimisht këngë që, sipas autorit të tij, përcjellin aspekte më të hershme të qëndresës kundër të huajit; pastaj vijnë këngë për qëndresën kundërosmane në shekullin e XV; për ngjarje të shekujve XVI – XVIII; për periudhën e principatave të pavarura shqiptare; së fundi, këngë për ngjarje të tjera të vitit 1800 – 1830.
Është për t’u vënë në dukje se me intuitën e studiuesit të mirëformuar, Q. Haxhihasani, autori i vëllimit, e ka kombinuar strukturën e vëllimit sipas rendit kronologjik me bashkime krijimesh sipas tematikës apo hapësirës së praktikimit. Përmendim se te ndarja e dytë e këngëve, që e titullon Qëndresa kundërosmane në shekullin e XV, grupon në një ndarje të veçantë këngët arbëreshe. Ndërsa te ndarja e katërt, e titulluar Periudha e principatave të pavarura shqiptare, sjell dy nëndarje, në të cilat grupohen këngët për periudhën e Bushatasve dhe këngët për periudhën e Ali pashë Tepelenës. Përgjithësisht ky studiues i respektuar, edhe me bashkëautorët e tjerë në dy vëllimet e tjera të epikës historike që i botoi Tirana, i sjell këngët përkatëse të epikës historike sipas kriterit kronologjik, të kombinuar edhe me kriterin tematik në raste të caktuara. Mjafton të kujtojmë këtu pohimin e Q. Haxhihasanit në hyrjen e vëllimit të dytë se në këtë vëllim “janë përfshirë këngët e ngjarjeve të periudhës 1831 – 1912”[43]. Por, duke mbajtur për bazë këtë kriter, organizimin e këtij vëllimi e gjejmë mbi 3 kapituj, të formuluar në nivel tematik.
Pak a shumë i njëjti kriter është ndjekur edhe në botimet e katër vëllimeve të epikës historike të botuara në Prishtinë, duke shtuar edhe përbërësit e ndërtimit strukturor të këngëve. Dr. S. Fetiu në parathënien e vëllimit të parë pohon se “Lënda e gjithmbarshme për këto katër vëllime është sistemuar në bazë të kritereve të caktuara shkencore, duke gërshetuar përbërësit që shënojnë kronologjinë historike me atë tematikë, si dhe me përbërësit e ndërtimit strukturor të këngëve”[44].
Duke i vlerësuar këto botime si pasqyrimin më të mirë dhe më të plotë të epikës historike shqiptare, theksojmë se në aspektin studimor përcjellja e këtyre kritereve do të ishte pak a shumë e formalizuar, pa lejuar që të shihet edhe kënga historike në tërësinë e vet sipas veçorive tipologjike të saj. Në të vërtetë, kriteret klasifikuese mund të jenë të natyrave të ndryshme, mbi këndvështrime të ndryshme, por në tërësinë e tyre ato i shërbejnë zbulimit sa më të plotë të secilit lloj folklorik ku praktikohen. Ndaj në këtë studim kemi marrë përsipër që, duke respektuar traditën e deritanishme, të vlefshme edhe për klasifikime shkencore të nivelit arkivor, ta shohim këngën historike edhe në një këndvështrim tjetër, bazuar në veçoritë tipologjike të saj.
Nisur nga kjo bazë konceptuale, shembullin e parë të një klasifikimi të tillë, edhe ndryshe, e ka sjellë prof. E. Mehmeti, i cili në caqet e një kumtese ka përcaktuar 5 modele kryesore të këngëve historike shqiptare. Konkretisht ai na ka sjellë këto pesë modele kryesore të këngëve historike shqiptare: këngët e Betejës së Kosovës të vitit 1389; këngët arbëreshe; këngët e zonave folklorike veriore; këngët folklorike të zonave jugore; këngët malësorçe apo këngët majëkrahu[45].
Natyrisht, vetë trajtesa e përmendur ka meritën që për herë të parë të sjellë idenë dhe të realizojë strukturën e një mundësie të re klasifikuese të epikës historike shqiptare. Duke qenë plotësisht e një mendjeje me udhëheqësin tim të doktoratës, do të përpiqem që në këtë studim, duke pasur parasysh jo vetëm këtë kumtesë të tij, por edhe këshillat, vërejtjet dhe sugjerimet, që më ka dhënë vazhdimisht, gjatë hartimit të kësaj monografie, të sjell ndihmesën time, duke shqyrtuar epikën historike shqiptare, karakteristikat dhe veçoritë e saj mbi këtë bazë konceptimi. Besojmë se në këtë mënyrë do të mund të dalin më të qarta dhe më të plota edhe strukturat me të cilat operon kjo lloj kënge, nisur nga shtrirja kohore dhe hapësinore. Të dyja këto përmasa që përmendëm dihet se në aspektin folklorik luajnë rol shumë të rëndësishëm, pasi përcaktojnë edhe natyrën sinkretike të vetë krijimeve.
Këto pesë modele të përcaktuara mbi bazën e strukturës së këngëve historike në përgjithësi, pa dyshim, vijnë si rrjedhojë logjike e natyrës së tyre gjatë aktit të qarkullimit folklorik. Për shqiptarët janë të njohura mënyrat e ndryshme të të kënduarit dhe të të kërcyerit, të cilat luajnë natyrshëm një rol shumë të rëndësishëm në vetë strukturën e krijimeve folklorike të epikës historike në përgjithësi. Nuk ka se si të mbetet jashtë këtij ndikimi edhe një nga përbërësit e këtij lloji folklorik, siç është vetë teksti poetik. Ky pohim ka të bëjë, para së gjithash, me faktin se vetë tekstet nuk kanë jetë apo praktikim të mirëfilltë folklorik jashtë shoqërimit të tyre muzikor, ndaj teksti nuk mund të jetë i shkëputur nga “presioni” i melodisë, apo më mirë të themi me harmonizimin, shkrirjen tekst – melodi. Një mënyrë e caktuar e të kënduarit lejon një zgjatje të tekstit përkatës që e shoqëron, ndërsa një mënyrë tjetër e të kënduarit nuk e lejon gjatësinë e tekstit në të njëjtën përmasë, ndaj teksti në mënyrën e dytë të të kënduarit, natyrisht, do të jetë më i shkurtër. Vetë pranimi i këtyre të vërtetave të njohura, mbi bazën e mënyrës së të kënduarit, krahas edhe dukurive të tjera, si tradita e të kënduarit, e rrëfimit epik etj., shpjegon edhe ndryshimet në vetë tekstet e epikës historike, që praktikohen në hapësira të ndryshme shqiptare.
Le të hedhim një vështrim më konkret rreth mënyrave të funklsionimit të këngëve të epikës historike te shqiptarët. Është e kuptueshme, se këngët për betejën e Kosovës (1389) vijnë si krijime në kapërcyell të kalimit nga epika legjendare në atë historike. Nuk ka se si krijimet e reja të epikës historike, që po hidhnin hapat e parë, të mos kishin një vazhdimësi, apo pikënisje nga tradita pararendëse dhe kjo ishte pikërisht kënga e kreshnikëve apo më në përgjithësi eposi heroik legjendar. Jo më kot këngët për betejën e Kosovës janë regjistruar përgjithësisht në ato hapësira ku kanë qenë më të praktikuara këngët e epikës heroike legjendare. Duke qenë përvoja e vetme e deriatëhershme për krijimet epike, nuk kishte se si kënga historike e re që po lindte, të mos përdorte mjetet e teknikës epike, të mos merrte elemente të caktuara, midis të cilëve janë edhe prania e dukurive tipike të epikës legjendare, mënyra e shoqërimit muzikor, gjatësia relativisht e madhe e vargjeve të kënduara etj. Këto elemente janë tipike dhe karakterizojnë më dukshëm dhe më hapur këtë model të parë të këngës së re historike shqiptare. Ajo na vjen si një tip kalimi nga një lloj folklorik në një tjetër.
Ndërsa këngët epike historike të arbëreshëve të Italisë formojnë një model të dytë të këngës historike shqiptare në përgjithësi, nga që përcjellin një strukturë të caktuar, nga më të hershmet e poezisë sonë epike. Nga ana tjetër, kjo lloj kënge vjen që nga periudha e hershme e shpërnguljeve masive të shqiptarëve pas vdekjes së kryetrimit Skënderbe, si një nderim, krenari dhe respekt për të dhe për periudhën e tij të lavdishme, ndaj ajo përgjithësisht erdhi nga brezi në brez e ruajtur me fanatizëm, pa shtesa dhe heqje të shumta, me një strukturë të ngulitur dhe të qëndrueshme. Kjo besojmë se është një nga arsyet që këto këngë i gjejmë përgjithësisht si të ngurtësuara nga botimi në botim, realizuar nga mbledhës të ndryshëm.
Këto krijime të epikës historike shqiptare, përbëjnë modelin e mirëfilltë dhe më të hershëm të saj në përgjithësi, të zhveshur më së shumti nga karakteri legjendar i këngëve të betejës së Kosovës (1389), por jo krejtësisht. Gjejmë në këto krijime edhe elemente të caktuara, tregues të një lashtësie të vetë krijimeve, nga fondi mitologjik apo një frymë disi baladeske. Karakteristike për këngën historike arbëreshe është dhe një dukuri tjetër. Sipas ndonjë studiuesi që bën fjalë për këngët arbëreshe, rezulton se në to “rrëfimi poetik lirik” paraqitet si “pjesë e pandashme e çdo krijimi”, duke i përfshirë këtu edhe këngët historike[46]. Gjithsesi, këto elemente të pranishme janë tregues vetëm i faktit se në truallin e ri ku u vendosën dhe jetuan arbëreshët nuk kishin më dinamikë zhvillimi, por vetëm të sillnin disi të ngurtësuar trashëgiminë e sjellë nga dheu i parë. Edhe për sa i përket strukturës së tyre këngët arbëreshe paraqiten më të përmbledhura, si rrjedhojë, edhe më të shkurtra, se sa këngët për betejën e Kosovës.
Siç ka vërejtur edhe Shmausi, përpos shkurtësisë, “mbisundon toni i qetë tregimtar dhe ndihen hapat shumë të matura të narracionit, madje edhe atje ku ku mund të supozojmë shkurtimin e versionit të parë të tyre”[47]. Pikërisht mbi këto baza dalluese ky studiues e përcakton këngën historike arbëreshe si një tip të veçantë të këngës epike. Për më tepër, ai e dallon këtë këngë jo vetëm nga këngët kreshnike, nga tipat e këngës historike shqipe, por edhe të ndryshme nga këngët e trimërisë së sllavëve të jugut, nga kënga e hajdutëve bullgarë dhe ajo kleftine greke[48].
Së treti, do të ndaleshim te dy modele të tjera këngësh historike te shqiptarët. E kemi fjalën konkretisht për këngët historike të praktikuara në zonat folklorike të Veriut dhe në zonat folklorike të Jugut. Përbashkësi e tyre është shkëputja në përgjithësi nga natyra disi legjendare e këngëve për betejën e Kosovës apo e këngëve arbëreshe, që i përmendëm më lart. Pavarësisht nga kjo përbashkësi, këto dy grupime përbëjnë dy modele të veçanta. Shprehemi në këtë mënyrë, pasi në përgjithësi këngët e grupimit në zonat folklorike të Veriut kanë si karakteristikë të vetën shoqërimin me instrumente të ndryshme muzikore, ndërsa këngët historike të zonave folklorike të Jugut praktikohen të kënduara vetëm në shumëzërëshe. U ndalëm për ta theksuar këtë tipar dallues, ngaqë në të vërtetë është pikërisht dhe mënyra e të kënduarit faktor themelor apo nga më të rëndësishmit, që kushtëzon apo përcakton edhe strukturën e këtyre këngëve, duke i bërë dy modele të veçanta.
Së katërti, do të ndaleshim më shkurtimisht te modeli i pestë i këngëve historike shqiptare. Në këtë përfshihen të quajturat këngë majëkrahu apo malësorçe. Janë krijime folklorike me një përhapje jo gjithë shqiptare. Ato praktikohen më së shumti në zonat folklorike Veriore dhe kanë mëvetësinë e tyre, kushtëzuar apo determinuar nga vetë specifikat e mënyrës së praktikimit. Siç e ka thënë shprehimisht etnomuzikologu R. Munishi, në veprën e tij.[49]
Pasi dhamë në vija të përgjithshme skemën e klasifikimit që do të praktikojmë gjatë studimit tonë dhe sollëm në mënyrë të përmbledhur disa nga tiparet dhe karakteristikat kryesore të pesë modeleve të këngës historike shqiptare, më tej do të vazhdojmë me analizën konkrete të të gjitha këtyre modeleve që përmendëm. Krahas trajtesave dhe argumentimeve të planit teorik, do të realizohen edhe një numër analizash konkrete, në zbërthim dhe në mbështetje të përfundimeve tona. Besojmë se në këtë mënyrë, jo si qëllim në vetvete, do të dalin edhe më të qarta, më të plota dhe në plan më përgjithësues hapësirat e këtij lloji të veçantë folklorik shqiptar. /Revista “Akademia”/Telegrafi/
_______________
[1] Shih A. Xhagolli, vepër e cituar, f. 222.
[2] Po aty.
[3] Shih A. Uçi, Epika heroike dhe roli i saj në folklorin shqiptar, Çështje të folklorit shqiptar 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Kulturës Popullore, Tiranë, 1986, f. 9.
[4] Enver Mehmeti, vepër e cituar, f. 150.
[5] Shih me gjerë A. Buda, Eposi dhe historia jonë, Çështje të folklorit shqiptar 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Kulturës Popullore, Tiranë, 1986, f. 48.
[6] Q. Haxhihasani, Hyrje, Epika historike 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Kulturës Popullore, Tiranë, 1981, f. 8.
[7] E. Mehmeti, po aty.
[8] Po aty.
[9] Po aty.
[10] Po aty.
[11] Po aty, f. 151-152.
[12] Po aty, f. 155.
[13] Po aty.
[14] Q. Haxhihasani, Hyrje, Epika historike 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Kulturës Popullore, Tiranë, 1983, f. 6, 7.
[15] Cituar sipas Epika historike I, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Kulturës Popullore, Tiranë, 1983, f. 6.
[16] E. Koliqi, cituar sipas A. Schmaus, Poezia epike shqiptare, Gjurmime albanologjike – Folklor dhe etnologji, Prishtinë, 1986, f. 115.
[17] Q. Haxhihasani, Hyrje, Epika historike 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Kulturës Popullore, Tiranë, 1983, f. 7.
[18] Po aty, f. 7-8.
[19] A. Schmaus, punim i cituar, f. 116.
[20] Po aty.
[21] S. Fetiu, Parathënie, Këngë popullore historike I, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 2007, f. 13.
[22] Shih p.sh., F. M. Rrapaj, Këngë popullore nga Çamëria, mbledhës të folklorit 3, Instituti i Kulturës Popullore, Tiranë, 1983, f. 433-434.
[23] F. Çaushaj, Kënga që shtegtoi shekuj, Toena, Tiranë, 2006.
[24] D. Shala, Mbi epikën tonë popullore historike, Rilindja, Prishtinë, 1982, f. 16.
[25] A. Schmaus, punim i cituar.
[26] P. J. Ruches, Albanian historical folklsongs 1716-1943, Argonaut inc., Chicago, 1967, f. 1.
[27] A. Schmaus, Syzhet ballkanike në epikën popullore arbëreshe, Gjurmime albanologjike, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 1968, f. 9-20.
[28] A. Schmaus, punim i cituar, f. 125.
[29] S. Skëndi, Poezia epike gojore e shqiptarëve dhe e sllavëve të jugut, Instituti i Dialogut dhe i Komunikimit, Tiranë, f. 272-273.
[30] Cituar sipas R. Sokolit, Figura e Skënderbeut në muzikë, 8 Nëntori, Tiranë, 1978, f. 20.
[31] E. Çabej, Vatra dhe bota në poezinë e De Radës, Tiranë, 1965, f. 117.
[32] Gj. Zheji, Bazat e vargëzimit shqiptar, Rilindja, Prishtinë, 1990, f. 22-27.
[33] Q. Haxhihasani, Hyrje, Epika historike I, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Kulturës Popullore, Tiranë, 1983, f. 22.
[34] A. Uçi, Epika heroike dhe roli i saj në folklorin shqiptar, Çështje të folklorit shqiptar 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Kulturës Popullore, Tiranë, f. 30.
[35] A. Buda, Eposi dhe historia jonë, Çështje të folklorit shqiptar 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Kulturës Popullore, Tiranë, 1986, f. 48.
[36] Po aty, f. 10.
[37] S. Skendi, vepër e cituar, f. 124-125.
[38] Shih A. Uçi, punim i cituar, f. 13.
[39] A. Xhagolli, vepër e cituar, f. 247.
[40] Po aty, f. 247-248.
[41] A. Xhagolli, Fakti historik dhe trajtimi folklorik (Kryengritja e Malësisë së Madhe, 1911), Seminari Ndërkombëtar “Shkodra në shekuj”, vëllimi I, Muzeu Historik i Shkodrës, Shkodër, 2005, f. 213-214.
[42] Q. Haxhihasani, Hyrje, Epika historike 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Kulturës Popullore, Tiranë, 1983, f. 10.
[43] Q. Haxhihasani, Hyrje, Epika historike 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Kulturës Popullore, Tiranë, 1981, f. 5.
[44] S. Fetiu, Parathënie, Këngë popullore historike I, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 2007, f. 11.
[45] E. Mehmeti, Veçori tipologjike të këngëve historike, SNGJLKSH, nr. 26/2, Prishtinë, 2007, f. 19-27.
[46] Shih më gjerësisht, A. N. Berisha, Qasje poetikës së letërsisë gojore, Rilindja, Prishtinë, 1998, f. 118-119.
[47] A. Schmaus, punim i cituar, f. 20.
[48] Shih më gjerë, po aty.
[49] R. Munishi, Këngët malësorçe shqiptare, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 1987.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë
Fotografitë ikonike të revistës “Face”
Higjiena ndër shekuj: Luigji XIV u la dy herë gjatë gjithë jetës!

Harta e shteteve të Evropës, gjatë 2400 vjetëve
KLAN

Historia e fisit Shala

Ana Komnena për zbarkimin e vikingëve në Durrës: Libri ku “për herë të parë” përmenden shqiptarët!

104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?

Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!

25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Më të lexuarat

Haki Abazi thyen heshtjen pas zgjedhjeve: Momenti të ngrihemi mbi vogëlsinë individuale

Transferim rekord në histori të futbolli: Arabia Saudite shkon te Real Madridi me ofertë të re për Viniciusin

Ylli i Udineses mori përsipër penalltinë pa pëlqimin e ekipit – realizoi, por askush nuk festoi me të

Trump tërhiqet nga ideja për ta marrë Gazën: Plani im funksionon, por nuk do ta imponoj

Uka: Maurizio Salustro na kërkoi 500 mijë euro, ose përfundonim 54 vjet dënim burg

Rozana fsheh “Valixhen e Tundimeve” teksa Gjesti shpërndan biletat e fatit