Enver Hoxha, Haxhi Qamili dhe ”dumbabët”
![Enver Hoxha, Haxhi Qamili dhe ”dumbabët”](https://telegrafi.com/wp-content/uploads/2025/02/Qamili-780x439.jpg)
Nga: Naum Prifti
Skënder Luarasi qe nga njerëzit e rrallë, në mos i vetmi, që nuk e përfilli porosinë e Enver Hoxhës për autokritikë, duke mbajtur lart dinjitetin personal dhe pikëpamjet e tij. Dhe, megjithatë mbeti gjallë. Dashamirësit e tij ia vishnin këtë mrekulli, në radhë të parë babait të tij, Petro Nini Luarasit, dhe simpatisë që gëzonte në rrethet intelektuale me personalitetin e vet.
Në Kongresin I të Partisë më 1948, Enver Hoxha e ngriti Haxhi Qamilin në rangun e patriotëve të shquar, duke e paraqitur kryengritës fshatar të tipit Pugaçov, apo Stjepan Razin, ashtu sikurse ia kishte servirur një historian i cekët. Ky cilësim ngjalli kundërshtime të forta tek gjithë patriotët e ndershëm që e njihnin atë periudhë. Ata dërguan letra dhe protesta në KQ se Haxhi Qamili ishte dhe mbetej turkoshak që kishte luftuar me bajrakun e Turqisë dhe me parullën “duam Babën” (Sulltanin), kur sapo qe shpallur pavarësia. Letrat mbetën pa përgjigje dhe në shtypin e zotëruar nga partia nuk pati asnjë diskutim, por në biseda të lira, kritikat ishin mjaft të forta. Kundërshtia qe se ndërsa partia e shihte Haxhi Qamilin me sy klasor si flamurtar të luftës kundër Esat Pashë Toptanit dhe bejlerëve të tjerë, patriotët e gjykonin lëvizjen e tij thellësisht antikombëtare.
Lexo po ashtu nga Kujtimet e Tafil Boletinit:
– E keqja e shqiptarit nga mendësia “kështu e don politika”
Muzeu i Luftës Nacionalçlirimtare në rrugën e Barrikadave, u hap te ish-Kuestura, një godinë trekatëshe që nuk ekziston më, përballë Poliambulancës. Në sfondin kryesor të sallës më të madhe, dukej portreti i plakut fisnik Ismail Qemali, me mjekër të bardhë dhe krahas tij portreti i zymtë prej banditi i Haxhi Qamilit me mjekër shtëllungë të zezë, me çizme dhe dolloma ushtarake. Prof. Skënder Luarasi, sapo vizitoi muzeun, tha me ironi: “Bukur, shumë bukur! Këtu e paskan vënë në piedestal si atë që ngriti flamurin e Shqipërisë, si atë që e uli”! Fjalia e tij lapidare u përhap me shpejtësi të madhe, për kontrastin e fortë dhe për të vërtetën që përmbante. Shumë patriotë nuk e duronin Haxhi Qamilin pranë Ismail Qemalit, por nuk kishin guxuar të flisnin hapur dhe të ironizonin ideatorët e muzeut, se e dinin që maketi ishte aprovuar prej sferave më të larta të partisë.
Po e riprodhoj rrëfimin e Skënder Luarasit për Haxhi Qamilin, ashtu si e kam dëgjuar prej gojës së tij:
Haxhi Qamili qe një fshatar injorant nga katundi Sharrë i Tiranës. Qe fanatik fetar, prandaj njëherë e kishin dërguar në Mekë për haxhillëk. Që kur u kthye prej andej, fshatarët filluan ta thërrisnin “haxhi”, sipas zakonit, dhe kësisoj Qamili u bë Haxhi Qamil. Qe beqar me moshë të madhe dhe vëllai e përdorte si hyzmeqar duke e dërguar të shiste presh në pazarin e Tiranës. Do të kishte mbetur gjithë jetën shërbëtor i vëllait, sikur në Durrës të mos kishte plasur grindja midis Esat Pashë Toptanit dhe Musa Qazimit, myftiut të Tiranës.
Në një mbledhje krerësh më 1913, Esat Pasha, njeri me ambicie të forta politike, i sapokthyer prej Stambollit, shfaqi pretendime për post drejtues, ndërsa rivalët iu sulën me kritika, se qe kujtuar vonë. Ku ishte pashai, kur ata luftonin për Shqipëri? Esati tha se edhe duke qenë larg, e kishte ndihmuar atdheun duke dërguar 3 000 lira flori nga Turqia. Plasi skandali se lirat s’dihej ku kishin përfunduar, por dyshohej se qenë ngrënë ose përvetësuar prej Musa Qazimit dhe rrethit të tij. Mbledhja u prish, urat u ndanë. Musa Qazimi, me t’u kthyer në Tiranë mendoi të hakmerrej ndaj kundërshtarit të tij. Pasi u mendua, i dërgoi haber Haxhi Qamilit, të vinte ta takonte. Ai e njihte si besnik dhe si fetar të bindur, ndaj sapo e pa përpara tij i tha: “Haxhi, ty të ka ngarkuar Allahu me një mision të madh”! Haxhi Qamilit i shkëlqyen sytë nga myzhdeja që dëgjoi, se besoi që porosia vinte nga Zoti. “Ti do të luftosh dhe do të shfarosësh armiqtë që duan të prishin fenë tonë dhe përpiqen të njollosin njerëzit e shenjtë”! “Jam gati, që tani”, u përgjegj Haxhiu.
Musa Qazimi, njeriu i fesë, e armatosi Haxhi Qamilin me pushkë e revole dhe e nisi për në Krujë me tre veta pas, që të mblidhte forca të tjera vullnetare. Sa arritën në Krujë u bënë tridhjetë, sa zbritën nga Kruja u bënë treqind forca. Kjo qe ushtria e Haxhi Qamilit, e cila u sul kundër bejlerëve kundërshtarë të Musa Qazimit dhe të klanit të tij.
Prof. Skënder Luarasi e shihte lëvizjen e tij si konflikt midis një palë bejlerësh kundër një pale tjetër dhe Haxhi Qamilin vegël në duart e myftiut të Tiranës. Lëvizja qysh në krye ishte antishqiptare. Të shqyeje flamurin e Shqipërisë, ta quaje shqiponjën pulastren dhe të luftoje me flamurin e Turqisë, duke kërkuar kthimin e Sulltanit dy vjet pas pavarësisë së Shqipërisë, kjo qe thikë në shpinë për kombin. E vërteta është se Haxhi Qamili dhe bandat e tij u vunë zjarrin sarajeve të disa bejlerëve kundërshtarë, ku bashkohej revolta spontane e ortekut të fshatarësisë që kishte pas vetes, por ndërkohë nuk mund t’i falen vrasjet, sakatosjet dhe torturimet e patriotëve shqiptarë. Ai shtroi në dajak gjithë mësuesit e shkollave shqipe, si mëkatarë që u mësonin nxënësve “harfet e kaurit”.
Enver Hoxha ishte si biçikletë me kontrapedal, nuk dinte dhe as nuk donte të kthehej mbrapa. Pas më shumë se njëzet vjetësh u kujtua ta rimerrte në mbrojtje Haxhi Qamilin dhe ta paraqiste si patriot, kësaj radhe duke përdorur pa kursim metodologjinë marksiste. Studimi “i tij” për Haxhi Qamilin iu servir si model historianëve dhe shkencëtarëve për gjykimin e figurave historike. Sigurisht qe një model i neveritshëm (a një mësim në shembull negativ, sipas shprehjes kineze), sepse aty çdo fakt qe transformuar, çdo e vërtetë qe kthyer së prapi në shërbim të idesë së njëanshme nga e cila qe nisur.
Studimi, i botuar në një nga vëllimet e shumta të Enver Hoxhës, hapej me kritikë drejtuar S .L. dhe A. M. (ndofta prof. Meksi), të cilët kishin gabuar në gjykimin e figurës së Haxhi Qamilit. Qe kritikë e drejtpërdrejtë kundër Skënder Luarasit dhe në mos gabohem Meksit, veçse me iniciale. Pas botimit të veprës, miqtë dhe të afërmit e këshilluan Prof. Skënderin, për të mirën e tij, të bënte autokritikë të sinqertë ku të pranonte se kishte patur mendime të gabuara për lëvizjen haxhiqamiliste, tani që Enver Hoxha e kishte kritikuar publikisht. Skënderi qëndroi i papërkulur në mendimet e tij dhe nuk i pranoi sugjerimet e tyre. Pak më vonë, një mesaxher i posaçëm, që vinte nga një institucion zyrtar, e pyeti nëse e kishte lexuar vëllimin e fundit të shokut Enver, ku kritikohej me emër. Skënderi iu përgjigj se veprat e Enver Hoxhës i lexonte “me kujdes”, por askund nuk kishte parë ndonjë kritikë publike për veten e tij. I dërguari i posaçëm, një kolegu i tij historian, i tha se inicialet S. L. ishin të qarta për cilindo. Skënderi duke bërë të paditurin, e pyeti: “A jeni i sigurt? Unë për vete jo. Kush mund të jetë ky S. L.”? Pyetja qe befasuese për kolegun. “Kuptohet, jeni juve, S. L., Skënder Luarasi”! “E pse qenkam unë dhe jo një tjetër? Ku ta di unë se nuk është Selman Latifi, Sotir Lefteri apo Sadik Lumi”? “Ju keni shprehur kritika për Haxhi Qamilin duke e akuzuar si antishqiptar, si antikombëtar … prandaj, udhëheqësi u kritikon dhe ju duhet ta pranoni gabimin”, e këshilloi kolegu i tij. “Unë jo”, kundërshtoi profesori. “Ma faktoni, ju lutem, te cili organ, a në cilën gazetë kam shfaqur mendime për Haxhi Qamilin. Nuk mund ta pranoj se ky S. L. jam unë dhe nuk mund të marr përgjegjësi se kush mund të jetë”. Profesori e ktheu së prapi kolegun, pa e ulur kokën para diktatorit.
“Nuk u trembët nga pasojat”? – e pyeta kur ma tregoi ngjarjen. “Kisha një argument të fortë”, më tha. “Nuk kisha shkruar dhe botuar asgjë për të, kurse me gojë kisha folur gjithandej, por s’ mund të ma vërtetonin”.
Sapo mësoi se Luarasi s’pranonte të bënte autokritikë, Enver Hoxha u nevrikos. Kjo linte të kuptohej se vazhdonte të ruante pikëpamjet e veta për Haxhi Qamilin. Me ligësinë e tij të përhershme, Enver Hoxha e etiketoi agjent të imperialistëve dhe dhëndër të sovjetikëve! Ai qe i tmerrshëm për etiketime politike dhe më e keqja, fjalët e tij përsëriteshin nga partiakët e tjerë, zgjeroheshin me rrathë koncentrikë dhe bëheshin pjesë e administratës dhe institucioneve. Qe një nga format më të ulëta dhe më dinake të luftës së klasave për të diskredituar intelektualët. A mund të quhej Skënder Luarasi dhëndër i sovjetikëve, sepse u martua me një ruse? Pas kësaj logjike Zogu duhet quajtur dhëndër i hungarezëve dhe vetë Enver Hoxha dhëndër i dibranëve.
Pas vdekjes së parakohshme të gruas së parë, Skënder Luarasi u martua me Majan, pedagoge në Fakultetin e anglishtes. Burri i saj, oficer, iu nënshtrua presioneve zyrtare dhe u detyrua të ndahej prej saj, ashtu si shumë të tjerë, që ishin martuar me gra të huaja. Maja, për arsyet e saj, nuk deshi të kthehej në Bashkimin Sovjetik dhe vendosi të qëndronte pedagoge në Universitetin e Tiranës. Sapo Skënderi deklaroi se do të martohej me të, pati shumë qortime, si nga miqtë e tij, ashtu edhe nga shokët, por ai si njeri me karakter të fortë nuk ua vuri veshin. Atëherë, a me sugjerimin e tyre, apo me kokën e tij, Mehmet Shehu i dërgoi sekretarin e tij Peçi Kallushin për t’i kumtuar fjalët e më poshtme: “Skënder, të këshilloj dhe të porosis të mos martohesh me grua sovjetike, se do t’i rëndosh gjynahet dhe tekat e tua”! Dihej se edhe sugjerimet, edhe këshillat, merrnin formën e urdhrave kategorikë kur dilnin nga goja e udhëheqësve tanë. Skënderi ia priti aty për aty Peçit, sekretarit të tij: “M’i bëj të fala Kryeministrit, ndërsa për porosinë që dërgon, thuaji se kryeministër në shtëpinë dhe familjen time jam unë dhe jo ai”. Me aq biseda midis tyre mori fund. Skënderi pati harmoni shembullore me bashkëshorten deri në fund të jetës. Fati deshi që pas tri vajzave me gruan e parë, të gëzohej me një djalë, të cilin e pagëzoi Petro, në kujtim të babait të tij Petro Nini Luarasi.
Skënder Luarasi e kishte zakon të anketonte njerëz të njohur e të panjohur, për çështjet që interesohej. Edhe për Haxhi Qamilin të njëjtën metodë ndoqi dhe pas disa vitesh grumbulloi një sërë ngjarjesh për bëmat e tij tragjike dhe komike.
Episodi me shpatarakët qe pjesë e asaj serie. Rrëfimi i tij me detaje dhe me dialogjet plot dramaticitet më mbeti i tiposur në mendje:
Sapo Haxhi Qamili me bashibozukët e tij arriti në Elbasan, furrat e qytetit u zbrazën shpejt dhe tregtarët i mbyllën tregtoret për shkak të pasigurisë. Problem kryesor për rebelët qe sigurimi i hajes. Këtë e dinte mirë kryekomandanti i tyre, Haxhi Qamili, prandaj kudo që shkelte e lëshonte ushtrinë për plaçkitje. Kjo liri u jepte atyre kënaqësi të madhe, për të rrëmbyer ç’të mundnin në qytet e në fshat, pa paguar asnjë metelik. Mirëpo, brenda në Elbasan nuk kishin çfarë të rekuizonin, prandaj u sulën drejt Shpatit, në pllajat e të cilit dalluan disa kope dhënsh. I këputën nga kullotat dhe i sollën në qytet duke siguruar rezerva ushqimi për disa ditë. Haxhi Qamili i përgëzoi për guximin dhe shpejtësinë. Pasdite burrat e Gjinarit, u kthyen nga punët jashtë shtëpisë dhe prej grave dëgjuan hatanë që kishte ndodhur, kopetë ishin rrëmbyer me urdhër të Haxhi Qamilit. Ata nuk e dinin kush ishte Haxhi Qamili, po kushdo që të ishte, qoftë edhe vetë Zoti, nuk mund të jepte urdhër t’u grabiteshin kopetë e tyre. Shtatë-tetë burra të armatosur u nisën drejt Elbasanit, atje ku kishin përfunduar kopetë e tyre. Sapo ranë në qytet, pyetën në ç’konak ndodhej Haxhi Qamili. Kur hynë në oborrin e sarajit, roja u përpoq t’i ndalonte, duke u thënë se askush nuk mund të hynte brenda pa urdhrin e Babë Haxhiut, por ata e vërvitën tej portës me tytat e pushkëve duke e porositur të mos bëzante se armët i kishin të mbushura. Katër burra të armatosur hynë në odën ku Haxhiu po çakaritej pranë zjarrit, se ishte kohë vjeshte, ndërsa të tjerët qëndruan jashtë duke vigjëluar.
“Zotrote je Haxhi Qamili”? – e pyeti një prej tyre. “Po, unë jam, me ymysin e Allahut”, u përgjigj Haxhi Qamili serbes. “Zotrote ke urdhëruar ushtarët të marrin dhëntë tona në Shpat”? – e vazhdoi pyetjen shpataraku. Dukej se qe i mllefosur dhe veç kësaj i armatosur, prandaj Haxhi Qamili e ftoi të ulej që të bisedonin. “Ngadalë burra, të merremi vesh. Uluni këtu shesh”. “Jo, besa, s’kemi ardhur për t’u marrë vesh pa u dhënë urdhër ushtarëve të kthejnë gjënë e gjallë atje ku e rrëmbyen”, ia preu shpataraku. Haxhi Qamili mbante në brez një goxha revole me mulli, foletë e të cilit i mbante një mbushur me fishek, një zbrazur. Ai kishte deklaruar se alltija e tij e ndante fajtorin nga i pafajshmi. Si i djallëzuar që ishte, e kthente tytën e alltijes nga vetja, kur te gryka qe foleja e zbrazur, e shkrepte dhe natyrisht nuk pësonte asgjë, pastaj ia drejtonte tjetrit në gjoks, e shkrepte dhe e linte shakull përtokë. Atëherë u kthehej të pranishmëve dhe i pyeste: “E patë? Allahu e bëri ferk”! Naivët mahniteshin, ndërsa njerëzit besëtytë besonin se alltija vërtet kishte forcë magjike. Atë dredhi deshi të përdorte edhe me shpatarakët. E nxori revolen nga brezi, tha se ajo e dallonte fajtorin dhe menjëherë e drejtoi grykën nga gjoksi i vet, mirëpo njëri nga shpatarakët e ndërpreu duke i thënë: “Jo me atë fare alltije, zotni, po me këtë që kam unë”, dhe u bë gati t’ia hidhte revolen në prehër. Pasi Haxhi Qamili e pa se aty mund të linte kokën, e ktheu fletën, u tha se trimi trimin nuk e nget dhe në çast urdhëroi t’u lironin kopetë e rrëmbyera. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë![104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja](https://telegrafi.com/wp-content/uploads/2024/09/image2-380x233.jpeg)
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
![Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140](https://telegrafi.com/wp-content/uploads/2024/02/Screenshot-2024-02-20-142648-380x233.png)
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
![Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254](https://telegrafi.com/wp-content/uploads/2024/02/1a-1-380x233.jpg)
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
![Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253](https://telegrafi.com/wp-content/uploads/2024/02/DSC00994-380x233.jpg)
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
![Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123](https://telegrafi.com/wp-content/uploads/2023/07/foto-kryesore-per-tlgre-380x233.jpg)
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
![A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?](https://telegrafi.com/wp-content/uploads/2025/02/ballkan-summit-380x233.jpg)
A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?
![Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!](https://telegrafi.com/wp-content/uploads/2025/01/rsz_220250130_telegrafi_deals-380x233.png)
Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!
![Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?](https://telegrafi.com/wp-content/uploads/2025/01/1-272-380x233.jpg)
Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?
![Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!](https://telegrafi.com/wp-content/uploads/2024/12/20241218-Telegrafi-Deals-380x233.png)
Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
![25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!](https://telegrafi.com/wp-content/uploads/2020/11/1_optimized-380x233.png)
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Më të lexuarat
![Pas përhapjes së fotografive në gjendje jo të mirë shëndetësore, Bebe Rexha reagon ashpër në Instagram: As e sëmurë nuk mund të jesh në paqe](https://telegrafi.com/wp-content/uploads/2025/02/bebe-780x439.jpg)
Pas përhapjes së fotografive në gjendje jo të mirë shëndetësore, Bebe Rexha reagon ashpër në Instagram: As e sëmurë nuk mund të jesh në paqe
![Koloneli shqiptar, pjesë e qeverisë së re në Siri: Kosova e kërkoi njohjen, por nga niveli shumë i ulët](https://telegrafi.com/wp-content/uploads/2025/02/e4b3e67c-dbb2-4803-b7b0-d1371debac6c-780x439.jpg)
Koloneli shqiptar, pjesë e qeverisë së re në Siri: Kosova e kërkoi njohjen, por nga niveli shumë i ulët
![Reagimi i sinqertë i Oleksandr Usyk ndaj pensionimit të Tyson Furyt - por ukrainasi ka dyshime](https://telegrafi.com/wp-content/uploads/2025/02/usyk-780x439.jpeg)
Reagimi i sinqertë i Oleksandr Usyk ndaj pensionimit të Tyson Furyt - por ukrainasi ka dyshime
![](https://telegrafi.com/wp-content/uploads/2025/02/egli-gjesti-1-780x439.png)
"Me mua asnjëherë nuk ka pasur lojë" - Pas injorimit, Egli ende beson në sinqeritetin e Gjestit
![Tyson Fury ka filluar një 'punë të re' disa javë pasi u pensionua nga boksi](https://telegrafi.com/wp-content/uploads/2025/02/fury-780x439.png)
Tyson Fury ka filluar një 'punë të re' disa javë pasi u pensionua nga boksi
![Kosova pa 193 njohjet e premtuara](https://telegrafi.com/wp-content/uploads/2025/02/281289382_741900460152277_3996124371227527709_n-780x439.png)
Kosova pa 193 njohjet e premtuara