Nga selfi i vitit 1840 te reklamat e viteve ’60 të shekullit XX: Tetë imazhet që rrëfejnë historinë e Amerikës
![Nga selfi i vitit 1840 te reklamat e viteve ’60 të shekullit XX: Tetë imazhet që rrëfejnë historinë e Amerikës](https://telegrafi.com/wp-content/uploads/2025/02/America00-780x439.jpg)
Një ekspozitë e re, me më shumë se 200 fotografi, përshkruan 300 vitet e krijimit të imazheve në ShBA, duke treguar se si historia dhe fotografia e vendit kanë ecur paralelisht.
Nga: Deborah Nicholls-Lee / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com
![](https://telegrafi.com/wp-content/uploads/2025/02/America01.jpg)
Në vitin 1840, duke përdorur një pllakë bakri, të cilën e krijoi vetë, Henry Fitz Jr. prodhoi njërin nga selfitë e parë në botë – me sytë e mbyllur, për të shmangur çdo shikim që mund të prishte rezultatin. Duke krijuar këtë imazh të mahnitshëm në tonet e kaltra, ai nuk po regjistronte vetëm pamjen e vet; ai gjithashtu dokumentonte hapat e parë të Amerikës në një formë arti që do ta tregonte historinë e saj në mënyra krejtësisht të reja.
Autoportreti i Fitzit, së bashku me më shumë se 200 fotografi të tjera, përshkruan 300 vitet e krijimit të imazheve në ekspozitën më të re në “Rijksmuseum” të Amsterdamit, Fotografia amerikane [American Photography], që është gjithashtu studimi i parë i plotë në Evropë mbi këtë temë. E plotësuar me huazime ndërkombëtare, ekspozita për herë të parë paraqet koleksionin e vetë muzeut me imazhe amerikane, të cilin e zgjeronte që nga viti 2007.
Për bashkëkuratorët Mattie Boom dhe Hans Rooseboom, pikënisja e ekspozitës ishte të tregonin ShBA-në përmes perspektivave të ndryshme të fotografëve të saj. “Amerikanët po e përdornin këtë medium ashtu siç ne [holandezët] e përdornim pikturën në shekullin XVII”, thotë Boom për BBC. “Amerika dhe fotografia ecin paralelisht. Ky medium është shumë i lidhur me vendin”.
Ekspozita qëllimisht është larguar nga qasja “top 100”, shton Rooseboom, duke thënë: “Kjo do të kishte qenë shumë e lehtë”. Në vend të kësaj, veprat e ikonave si Robert Frank, Richard Avedon dhe Diane Arbus janë vendosur përkrah momenteve më të vjetra, kartolinave dhe reklamave – “imazhe çuditërisht të mira që askush nuk i njeh”, thotë ai.
![](https://telegrafi.com/wp-content/uploads/2025/02/America02.jpg)
Një fotografi e shekullit XIX, e bërë me teknikën ferrotip (imazh i krijuar mbi një fletë metali), që paraqet një burrë dhe një grua përpara një hambari të thjeshtë, është një shembull i qartë për këtë. Imazhi me gjasë është shitur menjëherë nga fotografi endacak, “për një çmim modest”, shpjegon Rooseboom. “Shumë njerëz sapo kishin mbërritur dhe jetonin në fshat, larg qyteteve të mëdha, kështu që kjo ishte e vetmja mundësi që kishin për të pasur një portret”. Burri qëndron krenar, duke parë drejt fotoaparatit, por gruaja mban kokën ulur dhe shikon anash. “Ndonjëherë mund të ndjesh se njerëzit thjesht nuk ishin mësuar të fotografoheshin”, thotë Rooseboom. “Sot ne shohim në revista dhe filma se si duhet të pozojmë me elegancë”. Kjo mund të ketë qenë hera e vetme në jetën e tyre që fotografoheshin, dhe rezultati, shton Boom, “do të qëndronte i varur në murin e shtëpisë së tyre përgjithmonë”.
![](https://telegrafi.com/wp-content/uploads/2025/02/America03.jpg)
Në kontrast të plotë me imazhin e mëparshëm, një kartolinë e vitit 1913, që paraqet 12 mijë punonjës të kompanisë “Ford Motor” në Detroit, mund të ketë qenë “fotografia më e shtrenjtë e bërë ndonjëherë”, sipas një gazete të kohës, pasi fabrika u detyrua të ndërpriste punën për dy orë për të mbledhur stafin. Kompania krenohej duke thënë se ishte “fotografia me grupin më të madh ndonjëherë që merrte pozë”, duke treguar se industria kishte filluar të kuptonte vlerën e investimeve të mëdha në fotografinë promocionale. E shkrepur në vitin kur “Ford”-i prezantoi linjën e parë të montimit në lëvizje në Amerikë, kjo fotografi gjithashtu ilustron momentin kur ShBA-ja ishte bërë ekonomia më e madhe në botë dhe tregon prodhimin masiv që skaliti vendin.
Rishfaqja e imazhit në marketingun e “Ford”-it e bëri atë gjithashtu një nga shembujt e parë të fotomontazhit. Ndërsa të njëjtat fytyra të nuancuara mbushnin pjesën e përparme të fotografisë, numri i punonjësve të përmendur në mbishkrim rritej në mënyrë eksponenciale, ndërsa një ndërtesë në të majtë u hoq në një version dhe fitoi kate shtesë në një tjetër. “Mesa duket, shumë fotografë dhe botuesit e tyre nuk kishin asnjë shqetësim për të braktisur potencialin e mediumit të tyre për realizëm”, shkruajnë Boom dhe Rooseboom në katalogun e ekspozitës.
![](https://telegrafi.com/wp-content/uploads/2025/02/America04.jpg)
Një dekadë më vonë, fotografi portretist nga Nju-Jorku, James Van Der Zee, po e zbukuronte gjithashtu punën e vet, duke vizatuar bizhuteri mbi subjektet dhe duke retushuar fytyrat e tyre për të fshirë vijat e errëta dhe rrudhat. “Vendosa zemrën dhe shpirtin tim në to dhe u përpoqa që çdo foto të dukej më bukur se personi”, ka thënë ai. Si një fotograf me ngjyrë që punonte nga studioja e tij në Harlem, në kulmin e Rilindjes së Harlemit, puna e tij dokumenton periudhën kur migrantët me ngjyrë, që iknin nga segregacioni i Jugut, po ndërtonin një jetë të re në Veriun urban. Për herë të parë, afro-amerikanët dhe grupet e tjera minoritare mund të fotografoheshin nga dikush brenda komunitetit të tyre dhe të përfaqësoheshin në mënyrën që i lartësonte ata. Portreti i një burri të panjohur (1938), për shembull, është i kompozuar me kujdes për të sugjeruar vetëbesimin. Veshja është elegante, dhe lulja në xhepin e xhaketës shton një detaj bohem. Ky imazh pasqyron aspiratat dhe gatishmërinë e shtuar për veprim të popullsisë afro-amerikane dhe krenarinë e Van Der Zee-së për kulturën e vet.
![](https://telegrafi.com/wp-content/uploads/2025/02/America05.jpg)
Është komuniteti kinezo-amerikan ai që është në qendër të punës së Irene Poonit, e cila u rrit në Kuartin Kinez të San Franciskos, ku prindërit e saj, emigrantë të brezit të parë nga Guangzhou, drejtonin një dyqan me produkte bimore mjekësore. Një imazh i vitit 1965 paraqet motrën e saj, Virginia, në një dyqan lokal të ëmbëlsirave, rrethuar nga çokollatat “Hershey’s” dhe “Nestlé”. Germat “Nest” dalin pjesërisht nga raftet e mbushura dendësisht, duke përforcuar ndjenjën se ajo është e mbyllur brenda kësaj morie shkronjash. Pranë kokës së saj, një çokollatë me markën “Look” kërkon vëmendje, duke nënkuptuar një tjetër rol të fotografisë amerikane: reklamimi, një sektor në të cilin ShBA-ja ishte shtet pionier. “Shumë artistë të shekullit XX filluan në sektorin e reklamimit. Është pjesë e historisë së artit”, thotë Boom. “E gjithë kjo fushë tashmë ekzistonte, dhe arti, si dhe fotografia si formë arti, ushqehen prej saj”.
![](https://telegrafi.com/wp-content/uploads/2025/02/America06.jpg)
Një nga imazhet më të fuqishme të ekspozitës, Flamuri amerikan, përgjithmonë? (1970) u krijua nga fotografi i reklamave i Nju-Jorkut, Bill Stettner, i cili synonte të ngrinte statusin e fotografisë tregtare dhe loboi me sukses që fotografët të ruanin të drejtat mbi veprat e veta. “Do të doja të mendoja se ajo që po bëj, e cila është qartësisht fotografi komerciale, për reklama, është art”, i tha ai një intervistuesi për serinë televizive të viteve 1980, Bota e fotografisë [World of Photography].
Flamuri amerikan, përgjithmonë?, vepra e tij më e njohur, fillimisht ishte vetëm një mostër, e krijuar, siç tha ai, “nga nevoja” për të forcuar portofolin e tij pas një krize financiare. Vepra merr emrin nga marshi patriotik dhe paraqet flamurin amerikan, të krijuar nga shkrepëset që sapo marrin flakë, duke sugjeruar ndoshta brishtësinë e ShBA-së dhe të parimeve mbi të cilat u themelua. “Fotografia komerciale shpesh anashkalohet dhe nuk koleksionohet nga muzetë, por është një fushë vizualisht magjepsëse”, thotë Rooseboom. “Gjen pararendësit e modernizmit në reklamim, por pothuajse askush nuk e di këtë dhe pothuajse askush nuk e ka mbledhur apo ekspozuar në galeri.”
![](https://telegrafi.com/wp-content/uploads/2025/02/America07.jpg)
Në vitet pas Luftës së Dytë Botërore, emigracioni masiv në ShBA solli mënyra të reja të të menduarit. ShBA-ja mori rolin e liderit kulturor, duke e zëvendësuar Evropën, dhe fotografia u pranua më në fund si një formë arti. U shfaqën qasje më interesante ndaj fotografisë, të cilat shkuan përtej dokumentimit të njerëzve dhe vendeve, duke synuar të provokonin emocione dhe të shtronin pyetje të thella. Amerika, sipas flamurit amerikan (1976) e Ming Smithit, e krijuar në 200-vjetorin e Deklaratës së Pavarësisë, kthehet sërish te flamuri amerikan, duke e ftuar vendin të reflektojë mbi historinë e vet. Duke vendosur një figurë me syze dielli para pasqyrimit në dritaren e një dyqani, ajo krijoi një rrjet konfuz reflektimesh. Struktura e rrjetëzuar sugjeron burgosjen, por – në kombinim me syzet e rrumbullakëta dhe yjet mbi flamur – gjithashtu krijon një kompozim abstrakt që kujton artin modern. “Ajo është një vëzhguese e kujdesshme, që luan me të gjitha këto shtresa brenda imazhit”, thotë Boom.
Smith eksploron potencialin artistik të fotografisë, duke eksperimentuar me ekspozimin e dyfishtë, shpejtësinë e shkrepjes dhe kolazhin. Në një version të këtij imazhi, ajo vizaton mbi të vijat e trasha të kuqe, duke e transformuar këtë moment të ShBA-së me shenjat që ngjasojnë me gjak ose flakë. Puna e Smithit mbështetet mbi lëvizjen për të drejtat civile që përfshin figurat si James Baldwin dhe Alvin Ailey. Ajo ishte gruaja e parë që iu bashkua kolektivit fotografik afro-amerikan, të njohur si “Kamoinge Workshop”, dhe gruaja e parë me ngjyrë vepra e së cilës u ble nga Muzeu i Artit Modern (MoMA). Megjithatë, grupi demografik që ajo përfaqësonte u injorua me të madhe nga bota e artit. “Unë punova për të kapur kulturën e zezë, pasurinë e saj, dashurinë e saj. Kjo ishte shtysa ime”, i tha ajo Financial Times-it në vitin 2019. “Nuk ishte se do të fitoja para prej saj, apo famë – as dashuri, sepse nuk kishte as ekspozita”.
![](https://telegrafi.com/wp-content/uploads/2025/02/America08.jpg)
Fuqia politike e fotografisë shihet gjithashtu në punën e fotografes autoktone amerikane (Seminole-Muscogee-Navajo) Hulleah Tsinhnahjinnie, e cila e përdor fotoaparatin për të korrigjuar keqkuptimet rreth popullsive indigjene dhe për të ofruar një perspektivë alternative mbi historinë e ShBA-së. “Tani nuk është një i huaj që mban fotoaparatin dhe na shikon, por mbërthehet nga duart ngjyrëkafe që hapin botët e njohura”, shkruan ajo në një ese të vitit 1993. “Ne dokumentojmë veten me sy humanizues, krijojmë vizione të reja me lehtësi dhe mund ta kthejmë fotoaparatin për t’ju treguar se si ju shohim ne”.
Përmes titullit të saj, Nuk është reklamë, është atdheu im, mbi një imazh turistik të Luginës së Monumenteve në Arizonë, ajo thekson komercializimin e tokës amerikane dhe përdor atë që ajo e quan “sovranitet fotografik”, për të na kthyer në fillimet e historisë dhe për ta rrëfyer atë nga një perspektivë e re. Në kombinim me veprën si Tonopah, Nevada (2012) e Bryan Schutmaatit, i cili dokumenton ndikimin e industrisë minerare mbi peizazhin e Perëndimit Amerikan, imazhet si ai i Tsinhnahjinniesë rrëfejnë një histori të një toke të bukur, e cila ka kuptime të ndryshme për njerëz të ndryshëm: fitim financiar, siguri ose një hapësirë të shenjtë. Ndërsa fotoaparati ka kaluar nga dora në dorë, historitë amerikane janë shumëfishuar. “Fotografia amerikane është një fushë shumë më e pasur dhe më e gjerë nga sa e dinim edhe ne”, thotë Rooseboom. “Ka ende shumë gjëra për t’u zbuluar.” /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë![E vërteta “barbare” e Betejës së Mogadishusë](https://telegrafi.com/wp-content/uploads/2025/02/Mogadishu01-780x439.jpg)
E vërteta “barbare” e Betejës së Mogadishusë
![Shpërngulja e shqiptarëve në vitet 1912-‘39 dhe reagimi i shtetit shqiptar](https://telegrafi.com/wp-content/uploads/2025/02/camet-780x439.jpeg)
Shpërngulja e shqiptarëve në vitet 1912-‘39 dhe reagimi i shtetit shqiptar
![Nga selfi i vitit 1840 te reklamat e viteve ’60 të shekullit XX: Tetë imazhet që rrëfejnë historinë e Amerikës](https://telegrafi.com/wp-content/uploads/2025/02/America00-780x439.jpg)
Nga selfi i vitit 1840 te reklamat e viteve ’60 të shekullit XX: Tetë imazhet që rrëfejnë historinë e Amerikës
![Historia e vrasjes së Çerçiz Topullit](https://telegrafi.com/wp-content/uploads/2018/02/Topulli-780x439.jpg)
Historia e vrasjes së Çerçiz Topullit
![Thënie të Woody Allenit:](https://telegrafi.com/wp-content/uploads/2018/01/Woody-Allen-780x439.jpg)
Thënie të Woody Allenit: "Zoti vdiq (Nietzsche). Nietzsche vdiq (Zoti). Edhe unë hiç mirë s’po ndihem"!
![Pema gjenealogjike e familjes së Skënderbeut](https://telegrafi.com/wp-content/uploads/2018/01/Skenderbeu-2-780x439.jpg)
Pema gjenealogjike e familjes së Skënderbeut
![104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja](https://telegrafi.com/wp-content/uploads/2024/09/image2-380x233.jpeg)
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
![Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140](https://telegrafi.com/wp-content/uploads/2024/02/Screenshot-2024-02-20-142648-380x233.png)
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
![Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254](https://telegrafi.com/wp-content/uploads/2024/02/1a-1-380x233.jpg)
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
![Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253](https://telegrafi.com/wp-content/uploads/2024/02/DSC00994-380x233.jpg)
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
![Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123](https://telegrafi.com/wp-content/uploads/2023/07/foto-kryesore-per-tlgre-380x233.jpg)
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
![A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?](https://telegrafi.com/wp-content/uploads/2025/02/ballkan-summit-380x233.jpg)
A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?
![Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!](https://telegrafi.com/wp-content/uploads/2025/01/rsz_220250130_telegrafi_deals-380x233.png)
Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!
![Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?](https://telegrafi.com/wp-content/uploads/2025/01/1-272-380x233.jpg)
Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?
![Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!](https://telegrafi.com/wp-content/uploads/2024/12/20241218-Telegrafi-Deals-380x233.png)
Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
![25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!](https://telegrafi.com/wp-content/uploads/2020/11/1_optimized-380x233.png)
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Më të lexuarat
![Bëhet virale një video e Gjestit, ku i drejtohet me fjalor banal Eglit në dhomën e gjumit](https://telegrafi.com/wp-content/uploads/2025/02/eggli-780x439.jpg)
Bëhet virale një video e Gjestit, ku i drejtohet me fjalor banal Eglit në dhomën e gjumit
![](https://telegrafi.com/wp-content/uploads/2025/02/Screenshot-2025-02-12-224005-780x439.png)
"Disa njerëz u vranë këtu, brenda zyrës sonë": Zelensky zbulon se si u përpoqën ta vrisnin në pallatin presidencial
![Kush shet më shumë çelik dhe alumin në SHBA dhe kush po përballet me tarifa?](https://telegrafi.com/wp-content/uploads/2025/02/Screenshot-2025-02-12-213435-780x439.png)
Kush shet më shumë çelik dhe alumin në SHBA dhe kush po përballet me tarifa?
![Edhe një aksident me fatalitet në autostradën për Prizren](https://telegrafi.com/wp-content/uploads/2025/02/FOTO-Ilustruse-780x439.jpg)
Edhe një aksident me fatalitet në autostradën për Prizren
![Gashi: LVV-ja tenton ta bëjë vetë qeverinë – nëse e bën me Listën Serbe, është vetëvrasje](https://telegrafi.com/wp-content/uploads/2025/02/hyjukl-780x439.jpg)
Gashi: LVV-ja tenton ta bëjë vetë qeverinë – nëse e bën me Listën Serbe, është vetëvrasje
![Profesori nga Beogradi: Nëse krijohet Asociacioni për serbët në Kosovë, të bëhet edhe për shqiptarët në Serbi](https://telegrafi.com/wp-content/uploads/2025/02/image-2025-02-12T183206.832-780x439.jpg)
Profesori nga Beogradi: Nëse krijohet Asociacioni për serbët në Kosovë, të bëhet edhe për shqiptarët në Serbi