LAJMI I FUNDIT:

Trump ia ndërpret Bidenit qasjen në informacionet e klasifikuara: Joe, je i pushuar nga puna

Trump ia ndërpret Bidenit qasjen në informacionet e klasifikuara: Joe, je i pushuar nga puna

Presidenti amerikan, Donald Trump ka deklaruar se i ka anuluar kontrollin e sigurisë dhe qasjen në informacionet sekrete të inteligjencës për pasardhësin e tij, Joe Biden.

“Joe, je i pushuar”, ka shkruar Trump në platformën Truth Social, duke iu referuar sloganit të programit të tij të dikurshëm reality show “The Apprentice”. Biden kishte bërë të njëjtën gjë para katër vitesh ndaj Trumpit.

Ky i fundit e justifikoi këtë vendim duke theksuar se Biden kishte bërë të njëjtën gjë në vitin 2021, duke u bërë presidenti i parë në historinë e SHBA-së që i mohoi pasardhësit informacionet e inteligjencës.


“Biden vendosi këtë precedent kur urdhëroi komunitetin e inteligjencës të ndalonte presidentin e 45-të të SHBA-së (MUA!) që të kishte qasje në detajet e sigurisë kombëtare”, shkroi Trump.

Trump pohoi se “nuk mund t’i besohen informacione të ndjeshme” Bidenit, duke iu referuar hetimit të Ministrisë së Drejtësisë për mënyrën se si ish-presidenti amerikan i ka trajtuar informacionet sekrete. Hetimi përfundoi se nuk kishte bazë për ngritjen e akuzave penale, por theksoi gjithashtu se Biden kishte “memorie të dobët”.

Në raport u përmend se Biden nuk mund të kujtonte ngjarje të rëndësishme të jetës – si vitin kur vdiq djali i tij, Beau ose periudhën kur shërbeu si zëvendëspresident i Barack Obamas.

Biden, i cili është tërhequr nga jeta publike, nuk reagoi menjëherë ndaj vendimit të Trumpit.

Në vitin 2021, Biden i anuloi Trumpit qasjen në informacionet e inteligjencës, duke thënë se natyra e tij “e paparashikueshme” e bënte të papërshtatshëm një qasje të tillë, veçanërisht para sulmit në Kongresin amerikan më 6 janar, për të cilin demokratët e akuzuan Trumpin se e kishte nxitur.

Ndërkohë, në vitin 2022, agjentët federalë zbuluan dokumente të klasifikuara në shtëpinë e Trumpit në Florida, dhe ai u akuzua për mbajtjen e të dhënave sekrete. Trump e hodhi poshtë fajësinë dhe çështja u hodh poshtë pas rizgjedhjes së tij si president.

Donald Trump ka gjasa të ketë fshehur shumë dokumente të shtetit në rezidencën në Florida
Lexo po ashtu Donald Trump ka gjasa të ketë fshehur shumë dokumente të shtetit në rezidencën në Florida

Anulimi i kontrollit të sigurisë nga kritikuese dhe kundërshtarët Trumpit, pas rikthimit në pushtet, filloi të anulojë kontrollin e sigurisë dhe mbrojtjen për individë të rëndësishëm të lidhur me administratën e Biden.

Përfshihet këtu ish-komandanti ushtarak amerikan Mark Milley, i cili ishte një kritik i zëshëm i Trumpit. Sekretari i ri i Mbrojtjes, Pete Hegseth, urdhëroi një hetim mbi sjelljen e Milleyt dhe kontrollin e gradës së tij ushtarake.

Trump gjithashtu anuloi mbrojtjen për ish-drejtuesin e shërbimit shëndetësor amerikan, Anthony Fauci, i cili udhëhoqi përgjigjen e SHBA-së ndaj pandemisë së COVID-19.

Muajin e kaluar, ai i hoqi gjithashtu mbrojtjen për ish-Sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo dhe ish-këshilltarin për sigurinë kombëtare, John Bolton.

Trump gjithashtu i hoqi kontrollin e sigurisë për dhjetëra ish-drejtorë të shërbimeve të inteligjencës, duke përfshirë dy ish-drejtorët e CIA-s që në vitin 2020 nënshkruan një letër në të cilën e quajtën raportin mbi laptopin e Hunter Biden “një kurth rus”.

Më vonë u konfirmua se laptopi ishte autentik dhe se të dhënat që ndodheshin në të përfshinin prova për keqpërdorim droge, prostitucion dhe marrëveshje biznesi me të huaj. /Telegrafi/