LAJMI I FUNDIT:

Koreja e Veriut u shndërrua në një ferr në tokë – falë vetëm një njeriu

Koreja e Veriut u shndërrua në një ferr në tokë – falë vetëm një njeriu
Një mozaik në Phenian i Kim Il-sungut, “Presidentit të përjetshëm” (foto: Gamma-Rapho)

Kim Il-sung e shkatërroi ekonominë, përqendroi pushtetin dhe pa bashkatdhetarët e tij të masakroheshin, zbulon vepra Tirani aksidental [Accidental Tyrant] i Fyodor Tertitskiyt.

Nga: Christopher Harding / The Daily Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com

Më 14 tetor 1945, një turmë në Phenian u mblodh për të dëgjuar një fjalim që do të përcaktonte një epokë të re. Sundimi kolonial japonez në Kore kishte përfunduar, gadishulli ishte në prag të pavarësisë dhe popullit në veri, nën kontrollin sovjetik, i ishte premtuar një udhëheqës i ri me një emër heroik që lidhej me luftëtarët e mëdhenj të lirisë të së kaluarës – Kim Il-sung. Në vend të kësaj, përpara tyre qëndronte një ish-mësues i shkollës fillore, i cili kishte kaluar pjesën më të madhe të jetës së tij në Kinë dhe në Bashkimin Sovjetik. I veshur me një kostum të errët, këmishë të bardhë dhe kravatë, ai iu drejtua turmës me një koreanishte të pasigurt dhe një zë të ngjirur. Një dëshmitar tha se Kimi i kujtoi një kamerier kinez.


I lindur si Kim Song-ju, ai e kishte marrë emrin “Il-sung” si një nofkë lufte [nom de guerre] rreth një dekadë më parë, kur rezistenca e tij e armatosur kundër sundimit japonez dhe lidhjet me komunizmin rus dhe kinez e ndihmuan të spikaste mes liderëve koreanë që simpatizonin komunistët. Por, ai fliste më mirë kinezçen sesa koreanishten, dhe përparimi i tij i shpejtë ishte rezultat i një procesi përzgjedhjeje nga zyrtarët sovjetikë, ku nuk u shfaq asnjë kandidat më i mirë. Mitologët zyrtarë të Koresë së Veriut kishin një punë të vështirë përpara vetes, në vitet e mëvonshme, kur e kthyen këtë figurë të kompromisit në “Udhëheqësin e dashur” më famëkeq në botë.

Siç e bën të qartë Fyodor Tertitskiy në biografinë e tij të re për Kimin, Tirani aksidental, dekada të tëra mjerimi në Korenë e Veriut burojnë nga kjo zgjedhje fatale e Bashkimit Sovjetik. Kimi, shkruan Tertitskiy, “është figura më e errët në gjithë historinë e Koresë”: një njeri që “nisi luftën më shkatërrimtare që ka parë ndonjëherë Koreja”, “krijoi një nga shtetet më shtypëse në historinë e njerëzimit”, shkaktoi uri masive dhe “bëri gjithçka që mundi për t’u siguruar që ky regjim do të vazhdonte edhe pas vdekjes së tij”.

Përpjekja e fundit ka qenë veçanërisht e suksesshme, falë djalit dhe nipit të tij, Kim Jong-un, të cilët kanë trashëguar pushtetin; aq e suksesshme, saqë, ndërkohë që shumica e vendeve komuniste në botë u kanë lejuar popullsive të veta të përqafojnë teknologjinë moderne, Tertitskiy vlerëson se të gjithë koreano-veriorët me qasje të pakufizuar në internet mund të futen brenda një vagoni treni.

Duke pasur parasysh miliona njerëz të vrarë ose të shtypur nga regjimi që krijoi Kim Il-sungu, është njëkohësisht kureshtje dhe shqetësim të gjesh në qendër të tij një njeri relativisht të thjeshtë. Po të lëmë mënjanë perden e propagandës, të endur nga breza të tërë zyrtarësh të qeverisë – kryesisht rrëfime për heroizmat e Kim Il-sungut kundër imperialistëve japonezë dhe amerikanë – zbulojmë dikë që, në vend të një filozofie madhështore, u shty nga dëshira për ta kthyer vendin e tij në një klasë të madhe shkollore, duke e përkulur popullin sipas vullnetit të tij dhe duke mos u lejuar as ide dhe as aspirata përtej atyre që ai zgjidhte për ta.

Një njeri, e kaluara e vërtetë e të cilit ruhet me kujdes nga udhëheqja aktuale e Koresë së Veriut, paraqet probleme të dukshme për një biograf; për të mos përmendur faktin që Kimi dukej se preferonte gratë, ushqimin, makinat dhe vilat më shumë sesa ndonjë formë tjetër e thellë e vlerësimit. Nuk është çudi, pra, që, përveç biografive zyrtare, veprat e përkushtuara ndaj jetës së Kimit janë të pakta dhe të rralla. Tertitskiy ka mbledhur një gamë mbresëlënëse burimesh në disa gjuhë, për të ndërtuar këtë rrëfim të thuktë, të besueshëm dhe shumë të lexueshëm. Por, pashmangshëm kjo është më shumë një histori e përgjithshme e Koresë së Veriut, e përqendruar rreth një figure të fshehtë, sesa një portret i pasur psikologjik si ata që janë të mundshëm për liderët e tjerë të shekullit XX.

Kjo i bën edhe më magjepsëse detajet personale për Kimin, kur ato dalin në dritë. Mësojmë për dashurinë e tij për gruan e tij të parë, Han Song-hui: një komandante guerile e cila u arrestua dhe u burgos nga japonezët. Kur u ribashkuan vite më vonë, ajo ishte rimartuar. Kimi mund të kishte bërë çdo gjë të pamëshirshme dhe të pazakontë ndaj burrit të saj të ri. Por, në vend të kësaj, ai i la të qetë, duke kujtuar se, shumë kohë më parë, Song-hui ia kishte endur çorapet me fije të flokëve të saj.

Megjithatë, dhe mbi të gjitha, hasim një njeri me dhunti për të lexuar situatat politike dhe për t’i shfrytëzuar në avantazhin e tij. Në vitet e tij të para, na tregon Tertitskiy, Koreja e Veriut ishte e dominuar nga Stalini, i cili zgjodhi Phenianin për kryeqytet, Kimin për lider dhe një formë katastrofike të kolektivizmit bujqësor për model ekonomik. Por, me kalimin e viteve, Kimi arriti të shkëputej nga ndikimi sovjetik duke kultivuar nacionalizmin korean, veçanërisht në shkolla, ndërkohë që eliminonte kundërshtarët e brendshëm politikë. Jo çdo gjë shkoi sipas planit të Kimit: pushtimi i tij i Koresë së Jugut në vitin 1950 ishte një dështim që kushtoi gati tre milionë jetë. Stalini ishte fillimisht kundër dhe Mao Ce Duni ndërhyri vetëm pasi lufta filloi të shkonte keq për Kimin.

Kimi vazhdoi për dekada të tëra të manovronte regjimin e tij mes luhatjeve të marrëdhënieve kino-sovjetike, duke siguruar ndihma të mëdha nga të dyja palët, por pa u bërë kurrë plotësisht i varur nga asnjëra. Ai mësoi nga kaosi i periudhës pas vdekjes së Stalinit dhe Maos se një njeri që dëshiron që idetë e tij të jetojnë më gjatë se ai vetë, duhet të caktojë një pasardhës që e ka të lidhur fatin e tij me respektin ndaj jetës dhe trashëgimisë së tij. Zgjidhja, që mund të dukej e pazakontë për një regjim komunist, ishte ta mbante pushtetin brenda familjes: Kimët nuk mund të mohojnë figurën e tyre themeluese dhe as elita e vendit nuk mund të ngrihet dhe të rebelohet kundër.

Zhgënjimi më i madh i Kimit ishte dështimi për të bashkuar të gjithë Korenë nën sundimin e tij – një zhgënjim që u përkeqësua në vitin 1975, kur komunistët vietnamezë ia dolën pikërisht në këtë synim. (Tertitskiy vëren se lajmet koreano-veriore atë ditë shmangën me kujdes përmendjen e kësaj ngjarjeje.) Deri në kohën kur Kimi vdiq në vitin 1994, prosperiteti në rritje i Koresë së Jugut ishte një fyerje e mëtejshme për atë që ai kishte ndërtuar në veri. Dhe, megjithatë, tani që Koreja e Veriut është një shtet me armë bërthamore, duke ndërtuar raketa balistike ndërkontinentale dhe duke dërguar trupa për të luftuar në Ukrainë, është e vështirë të mohosh thelbin e argumentit të Tertitskiyt te Tirani aksidental: se, sipas kushteve të tij të pavolitshme, jeta e Kim Il-sungut ishte një sukses i rrallë. /Telegrafi/