LAJMI I FUNDIT:

In Memoriam: David Lynch (1946–2025) – surrealisti që e bëri eksperimentalizmin pjesë të rrjedhës kryesore

In Memoriam: David Lynch (1946–2025) – surrealisti që e bëri eksperimentalizmin pjesë të rrjedhës kryesore
David Lynch (1946–2025), foto nga Dylan Coulter

Nga: Peter Bradshaw, kritik filmi
Përkthimi: Telegrafi.com

Asnjë regjisor nuk e ka interpretuar ëndrrën amerikane me më shumë pafajësi të çiltër sesa David Lynch. Ky mund të ishte titulli i cilitdo prej filmave të tij. Lynch e kuptoi se, nëse ShBA-ja ëndërronte sigurinë, mirëqenien, shtëpinë në periferi dhe gardhin e bardhë, ajo gjithashtu ëndërronte të kundërtën: arratisjen, rrezikun, aventurën, seksin dhe vdekjen. Këto të dyja përplaseshin, duke hapur humnera dhe gropa të fshehta në autostradën pa krye drejt lumturisë.

Lexo po ashtu:
Seria kult “Twin Peaks”: Si lindi detektivi më i pazakontë televiziv?
David Lynch, për bukurinë në errësirë
E gjithë natyra s’është tjetër veçse një teatër magjik

Lynch ishte një kineast që gjente porta drejt ekzistencave alternative dhe lundronte në to sikur të ishin zona erogjene, hapësira të lagështa të mundësive ekzistenciale. Ai ishte një surrealist i madh amerikan, por vizioni i tij ishte aq i veçantë, saqë u bë diçka më shumë se kaq: një fabulist i madh, një kundërshtar i narrativës konservatore. Rrëfimet e tij ndaheshin dhe rrotulloheshin në logjikën që nuk rrjedh nga argumenti. Lynch ishte unik; adaptoi traditën e eksperimentalizmit në kinemanë e artistëve si Maya Deren dhe Alexander Hammid me [filmin e shkurtër pa zë] Rrjetat e pasdites [Meshes of the Afternoon, 1943] dhe e solli atë në rrjedhën kryesore komerciale, duke e përzier me dramat e krimit intrigues [pulp noir], telenovelën, komedinë ironike [camp comedy], trilerin erotik dhe horrorin mbinatyror.


Kujt i ngjante më shumë Lynchi? Ndoshta Luis Buñuelit të viteve pioniere 1920, Douglas Sirkut të Holivudit të viteve 1940, Alejandro Jodorowskyt të kundërkulturës së viteve 1970. Ose ndoshta [piktorit] Edward Hopperit (piktura e të cilit Zyra gjatë natës ka diçka tipike për Lynchin) apo Andrew Wyethit dhe tablosë së tij misterioze, Bota e Kristinës. Por, “linçianja” mund të nënkuptojë gjithashtu rrjedhën kryesore ose edhe konservatorizmin. Vetë Lynchi nuk bënte shaka kur fliste për krenarinë e të qenit vëzhgues me sy shqiponje [Eagle Scout] në fëmijërinë e tij.

Dhe ai mund të bënte regji të filmave me komplot konvencional (edhe pse të çuditshëm), si Njeriu elefant [The Elephant Man], me John Hurtin në rolin e të shfrytëzuarit në një cirk viktorian, apo adaptimin e veprës së Frank Herbertit, Duna [Dune] – madje edhe Rrëfimi i vërtetë [The Straight Story], një film emocional (titulli i të cilit sugjeron thjeshtësinë), i bazuar në historinë e vërtetë të një burri të moshuar [Alvin Straight] që udhëtoi nga Ajova në Uiskonsin me traktorin e tij për të vizituar vëllanë e tij të lëçitur. Lynch ka qenë gjithmonë i pasionuar pas kulturës amerikane, dhe Steven Spielbergu e vendosi me zgjuarsi atë në rolin e legjendës së kinemasë perëndimore, John Ford, në filmin e tij Fabelmanët [The Fabelmans].

Por, me filmat e tij, si debutimi i tij i errët, Koka e gomës [Eraserhead], dhe (ajo që për mua është kryevepra e tij) Rruga “Molholend Drajv” [Mulholland Drive], një fantazi e errët mbi dëshpërimin e Holivudit, ai tregoi se sfida ndaj normalitetit ishte erotike. Ai e theksoi këtë me konceptin e tij të tingujve drithërues dhe partiturat muzikore të frymëzuara nga bashkëpunëtori i tij i kahershëm, kompozitori Angelo Badalamenti. Do ta kujtoj gjithmonë atmosferën në Festivalin e Kanës pas shfaqjes së parë të filmit më 2001, kur të gjithë ndiheshim të dehur dhe të trazuar nga ajo se sa sensual dhe i çuditshëm ishte ai film, sa ironik dhe sa erotik.

Ndoshta më e jashtëzakonshmja nga të gjitha është se projekti i tij i vazhdueshëm televiziv, Tuin Piks [Twin Peaks], parashikoi me dekada prestigjin kulturor të serialeve të sotme të transmetimit të gjatë. Në fakt, as Sopranot [The Sopranos] dhe as I çmenduri [Mad Men] nuk e arrijnë nivelin e Tuin Piksit në aspektin e një vepre autoriale. Shihni dy sezonet e para të Tuin Piksit nga vitet 1990, historinë e një agjenti të ndershëm të FBI-së (luajtur nga Kyle MacLachlan), i cili heton misterin metafizik të një vrasjeje të dhunshme, dhe shihni se si sezoni i dytë përfundon me një premtim për ta vazhduar historinë pas 25 vitesh – dhe, në fakt, ashtu ndodhi. Pamja me tonalitetet e një telenovele të dramave televizive të viteve 1990, u zëvendësua në sezonin e tretë nga një estetikë më e errët dhe më melankolike, tipike për produksionet e nivelit të lartë të shekullit XXI. Por, ajo ishte tërësisht vepër e Lynchit.

“E gjithë kjo botë është e egër në zemër dhe e çuditshme në sipërfaqe!”, klith Lula e dëshpëruar, që luhet nga Laura Dern në filmin Të egër në zemër [Wild at Heart] të David Lynchit, e tronditur në dhomën e saj të mjerë të motelit, shtatzënë me fëmijën e të dashurit të saj – domethënë, vrasësit të dënuar Sailor, një figurë presliane që luhet nga Nicolas Cage. Megjithatë, nuk është tamam përshkrimi i botës ashtu siç e sheh Lynchi. Në makabrën Kadifeja e kaltër [Blue Velvet, 1986], bota është normale në sipërfaqe, por e çuditshme në thellësi – dhe këto dy shtresa nuk mund të ekzistojnë pa njëra-tjetrën. Një djalosh me pamje të rregullt, i luajtur nga Kyle MacLachlan, teksa ecën në një utopi periferike amerikane, gjen një vesh të prerë në tokë: një simbol, ndoshta, i perceptimit tepër të ndjeshëm të regjisorit ndaj drithërimave të fshehta dhe Amerikës së nëndheshme. Së shpejti, ky djalë do të zhvillojë një obsesion për një këngëtare të klubeve të natës – pjesë e fiksimit të kahershëm të Lynchit për kabaretë sekrete dhe ritualet teatrale okulte, si dhe për magjepsjen e tij të veçantë me perden e kuqe që valëvitet dhe fsheh mistere. Një imazh frojdian, pa dyshim, por ndoshta mbi të gjitha një imazh linçian.

Autostrada për askund [Lost Highway, 1997] ishte një nga halucinacionet e tij me dyfishime identitetesh, ku saksofonisti i trazuar Bill Pullman dhe gruaja e tij (Patricia Arquette) tmerrohen nga një përndjekës anonim, i cili në prag të derës ua ka lënë videokaseta me pamje të jashtme të shtëpisë – një ide që më vonë u huazua nga Michael Haneke në filmin Fshehur [Caché].

Por, për mua, Molholendi mbetet kryevepra e tij e erotizmit dhe dëshpërimit, një interpretim brilant i faktit se, në Holivud, zhgënjimi është një mbetje toksike e fabrikës së ëndrrave. Marrëdhënia mes Naomi Wattsit, me sytë e saj të mëdhenj e të pafajshëm, dhe Laura Harringut, një gruaje enigmatike dhe të trazuar, është një nga miqësitë më të tensionuara të kinemasë moderne amerikane.

E kam takuar Lynchin vetëm një herë, në internet: një bisedë me video për ekspozitën e fotografive të tij në Londër, në Galerinë e Fotografëve [Photographers’ Gallery]. Një nga ato që shtroi pyetje ishte dikush që kishte pasur një rol kalimtar në Njeriu elefant dhe Lynch u emocionua menjëherë, duke këmbëngulur që ta sillnin në platformë për ta parë fytyrën e saj; ajo mezi u bind, meqë nuk donte të shndërronte gjithë mbrëmjen në kujtim të tij me të. Ai gjithmonë përpiqej të gjente mënyra për ta futur audiencën e tij në territore të reja frike, dëshire dhe kënaqësie. /Telegrafi/